Gjykata Speciale është një e padrejtë historike që po i bëhet popullit të Kosovës, por nisma për shfuqizimin e saj është e dëmshme dhe është bërë për interesa personale të individëve, për të shpëtuar kokën e tyre.

Kështu u tha në tryezën ku temë diskutimi ishte “ Dhomat e Specializuara dhe raporti me institucionet e Republikës së Kosovës”, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lideri i VV-së Albin Kurti tha se kjo gjykatë, veç sa ia shton abnormalizimin Kosovës. Por theksoi se iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për shfuqizimin e gjykatës, është e pasinqertë dhe jo serioze, dhe ka për synim heqjen e emrit të tij nga kjo gjykatë, e jo shfuqizimin e saj.

Ndërsa tha se këta politikanë duhet gjykuar si kriminelë të paqes, e jo të luftës

“E di që shumë njerëz janë lodhur me këta mujsharët e pasluftës në Kosovë dhe thonë hajt se ndoshta kjo gjykate na heq pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar, vrasësit e plaçkitësit e veshur me pushtet. Unë besoj që as nuk duhet, e as nuk mundemi t’i heqim qafesh me iniciativa që vijnë prej Serbisë e Rusisë. Ata duhet t’i largojmë nga pushteti dhe me ta duhet të përballet vetë shoqëria jonë, ne qytetarët e këtij vendi ne opozita. Popujt e tjerë i kanë larguar të korruptuarit dhe kriminelët, e i kanë hapur rrugë drejtësisë, demokracisë e zhvillimit. Në Kosovë besoj që shumë prej këtyre politikanëve duhet akuzuar dhe gjykuar si kriminelë të paqes, për atë çfarë i kanë bërë popullit tonë për 18 vjet pas luftës, e jo si kriminel të luftës, për atë se çfarë i kanë bërë Serbisë”, tha ai.

Shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konufca, tha se krijimi i Gjykatës Speciale është luftë kundër Kosovës, pasi iniciativa për themelimin e saj, është e një deputeti rus. Ndërsa thotë se pretendimet e saj janë skandaloze. Por thotë se ‘specialen e themeluan letrat e Atifete Jahjagës’, e cila i ka shkruar shefes së politikës së jashtme të BE-së, për themelimin e saj dhe nëse presidenti Hashim Thaçi është për shfuqizimin e saj, atëherë duhet të tregojë.

Ndërsa Luljeta Aliu, analiste politike tha se udhëheqësit e Kosovës është dashur të mendojnë me herët për këtë, pasi tanimë jemi në një situatë kur specialja nuk mund të zhbëhet.

Profesori Mazllum Baraliu tha se Kosova tashmë është para një akti të kryer dhe se specialja duhet të vazhdojë punën./KosovaPress/

14