1 Maji – Totozani: Më shumë angazhim për punësimin, të ndalohet puna në “të zezë”

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majin, përshëndet të gjithë ata shqiptarë, që me kontributin e tyre të përditshëm, përkushtimin dhe dashurinë për punën ndihmojnë në progresin e shoqërisë sonë.

“Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një ditë feste, por është një ditë angazhimi për të kërkuar respektimin e të gjithë të drejtave që lidhen me punën, si të drejta themelore të njeriut. Mendimi im i parë shkon për ata punëtorë që humbën jetën në galeritë e minierave apo në ndërtim, në kushte pune skandaloze, në shkelje flagrante të kushteve të sigurisë.Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe  përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre. Mbështetje dhe ndihmë më e madhe duhet dhënë për fuqizimin e gruas përmes punësimit, pasi mundësitë ekonomike më të mëdha për to shndërrohen edhe në një  element mbrojtës nga dhuna në familje.

Shkëputja e marrëdhënieve të punës në mënyrë të padrejtë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por është edhe abuzim me detyrën.  Ajo sjell pasoja mbi çdo individ, të cilat reflektohen më gjerë në familje dhe shoqëri”.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, nxit dhe inkurajon frymën qytetare, shoqërinë civile si dhe çdo individ që të mos ketë frikë të kërkojë të drejtat që i takojnë dhe të denoncojnë çdo rast abuzimi, dhune apo shkelje të ligjit.

“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve mbetet një moment frymëzimi për të gjithë, për të treguar guxim dhe vendosmëri në kërkesat për respektimin e të drejtës  së punës, e të drejtës për një jetë më të mirë”, shprehet Avokati i Popullit, Igli Totozani.  /Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne