10 gazetarët shqiptarë që tronditën qeverinë, PËRGJIGJA për Edi Ramën dhe për cilindo që spekulon me lirinë e medies

I pari i qeverisë sonë doli sot me zë, figurë dhe letër para për të mbajtur një ”leksion” të mrekullueshëm për lirinë e medies. Leximi i fjalimit erdhi fill pas sulmit më të fundit ndaj saj ku ofendoi gazetarët. Për Edi Ramën, thënë nga ai vetë, media shqiptarë është kazan.

Përgjigja më e mirë e medias, sidomos kur flamurin e të folurit për lirinë e saj e merr prapë Edi Rama, është t’i kujtojmë atij dhe gjithë publikut se flamurin e vërtetë për të folur për medien dhe censurën që e mbyt, e kanë atë që e kanë çarë atë.

Janë 10 gazetarë që nëpërmjet punës dhe vetëm punës, tronditën qeverinë dhe publikun me investigimet e tyre. Janë këta gazetarë që mungojnë në tryezat e bollshme që Edi Rama shtron që me zbulimet e tyre i japin përgjigjen më të mirë kryeministrit dhe kujtdo që spekulon e flet në emër të lirisë së medies.

1.Alida Tota,  gazetarja u shkarkua nga puna, në muajin gusht të vitit 2016, pasi po investigonte ngjarjen tragjike të humbjes së jetës, së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, ku nën hetim nga ana e Prokurorisë ka qenë dhe Bashkia e Tiranës drejtuar nga Veliaj.

Pas kësaj ajo ka pasur një përballje në gjyq me pronarët e televizonit “A1 news”. Nga dokumentat e paraqitura në gjykatën, administratori A1 News ( i regjistruar si TV Ballkan), përveç censurës ndaj lirisë së fjalës, ka kryer falsifikime edhe me pagat e gazetarëve.

Gjykata e Shkallës së Parë, çmoi se gazetarja Alida Tota, nuk është paguar plotësisht si Drejtore e A1 News, përgjatë kohës së punës. Për këtë vendosi që A1 News, të shlyej detyrimin prej 613,828 lekësh (të reja) ndaj gazetares Alida Tota. Por Gjykata, e drejtuar nga Anila Karanxha, çedoi në dhënien e së drejtës së “shkarkimit pa motivacion” të gazetares Alida Tota. Raportit i Departamentit Amerikan të Shtetit, i bërë publik në seancën gjyqësore, dënonte fuqimisht shkarkimin nga puna, pa motivacion, të gazetares Alida Tota. Sipas raportit, shkak është bërë investigimi ndaj Bashkisë së Tiranës dhe presioni i ushtruar nga administratori i A1 News, Neritan Gjojdeshi.

Këshilli i Europës si dhe Komiteti i Helsinkit, janë dy institucione të tjera që kanë ngritur shqetësimin për shkarkimin e Alida Totës. Megjithatë gjyqtarja Karanxha, është shprehur çuditërisht, se këto qëndrime të këtyre institucioneve ndërkombëtare, kanë ardhur si pasojë e denoncimit të gazetares Alida Tota. Pra, me pak fjalë, gazetarja Tota ka “ndikuar” në hartimin e raporteve ndërkombëtare për Shqipërinë.

2. Artan Rama, një tjetër investigim në vazhdën e hetimeve për vdekjen e Ardit Gjoklajt ishte ai i emisionit ”Publicus”  i cili u censurua duke mos lejuar transmetimin e tij. “Konflikti nisi që kur gazetarë të emisionit trokitën në dyert e Bashkisë së Tiranës për të kërkuar informacion mbi Landfillin e Sharrës.

Ditën e mërkurë, më kërkuan të raportoja për emisionin e radhës. Kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe as nuk ishte pjesë e marrëveshjes që unë kisha më z. Dulaku. Zakonisht, të premteve unë në programacion raportoja vetëm temën e emisionit dhe kjo ishte normale, por jo përmbajtjen dhe sidomos që në nisje të javës.

Në fokus të emisionit ishte përgjegjësia e institucioneve shtetërore me këtë ngjarje. Ndaj dhe gazetari Jetmir Olldashi shkoi në Ndërmarrjen Nr. 1 të Bashkisë së Tiranës e cila ka marrëdhënie dhe kontakte direkte me kompaninë që përpunonte mbetjet në Sharrë, ku dhe humbi jetën Arditi. Kishim të dhëna se ndërmarrja e Bashkisë nuk ishte bashkëpunuese me hetimin që po kryen prokuroria. Prokurorët kërkojnë marrëveshjen që Bashkia ka me kompaninë dhe sidomos manualin e sigurisë së punonjësve. Ne nuk e dimë ende çfarë ka në atë manual, por nisur nga interesi që ka prokuroria për këtë manual, kuptojmë arsyen pse Bashkia ngurron të jetë bashkëpunuese aq sa sorollatin me javë oficerët e policisë gjyqësore” , është shprehur vetë gazetari teksa emisioni i tij u ndalua të transmetohej. Emisioni “Publicus” nuk transmetohet më.

3. Vinsent Triest, është gazetari që publikoi i pari lajmin në lidhje me kërkesën e autoriteteve holandeze për rikthimin e vizave për shqiptarët. Bumi i këtij lajmi ishte se autoritet holandeze kanë denoncuar si problem grupet kriminale shqiptare atje dhe kërkuan rikthimin e vizave Shengen.   Më pas lajmi mori përmasa edhe më të mëdha, edhe pse qeveria shqiptare u përpoq që ta fshihte atë. Pas kësaj kryeministri Rama nisi një sërë deklaratash, duke theksuar faktin se krimi nuk ka markë shtetesh.

4. Habjon Hasani, gazetari dhe drejtuesi i “Hashtag” është i njohur për investigimet e tij, sidomos në çështjet e marrëveshjeve koncesionare që kanë kryer qeveritë në vendit tonë. Një prej atyre që ka pasur reagime më të shumta ka qenë dhe ajo e ministrit Damian Gjiknuri me kompaninë ruse të naftës, GAZPROM-in.

Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit, shërbimet inteligjente të disa shteteve partnere në NATO, sinjalizuan autoritetet më të larta të vendit tonë mbi disa negociata të dyshimta ndërmjet GAZPROM-it rus dhe kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë.

Historia nis në verën e vitit 2016, kur kompania ‘JURIMEX’ në pronësi të biznesmenit rus Robert Nowikovsky, kërkoi të merrte me koncension disa blloqe naftëmbajtëse në jug të vendit.

Pas një korrespondence disa mujore me rusët, drejtori i Albpetrol-it Endri Puka, në dhjetor 2016 i kërkoi ministrit Gjiknuri që të niste negociatat zyrtare me kompaninë JURIMEX për arritjen e një marrëveshje koncensionare.

Kanë qenë disa shërbime inteligjente të vendeve partnere sinjalizuan me shqetësim shërbimet shqiptare si dhe personalitetet më të larta të vendit mbi situatën.

5. Elvi Fundo, në muajin janar të këtij viti gazetari Elvi Fundo nëpërmjet një shkrimi zbardhi disa të dhëna mbi pasurinë e ish-deputetit dhe gazetarit Alfred Peza. Sipas kontratës të siguruar nga “City News” bashkëshortja e Alfred Pezës, zonja Mirela Ndini në vitin 2015, në datën 17 mars ka blerë 1% të aksioneve të Bankës Credins me vlerë 1.13 miliardë lekë.

Sipas dokumentave kontrata e shitjes është bërë përpara noterit Julian Zhelegu, dhe zonja Mirela Ndini ka blerë nga shtetasi Aleksandër Pilo, 1% të aksioneve të Bankës Credins në vlerën 113 milionë lekë të reja ose 1.13 miliardë të vjetra. Blerja e aksioneve më pas ka kaluar procedurat e tjera ligjore dhe zonja Mirela Ndini bashkëshortja e deputetit të Rilindjes Alfred Peza, është bërë aksionere ne Bankës Credin dhe sot pas gati një viti ka 0.79% të aksioneve të kësaj Banke.

Por nuk u zbulua vetëm kaq nga ky investigim. Sipas të dhënave të siguruara nga “OpenData” përsa i përket pasurisë së gruas së tij u gjet edhe një llogari tjetër bankare sërisht Mirela Ndinit, këtë herë në vlerën 130 milionë lekë të vjetra. Sipas të dhënave të publikuara por edhe dokumentave të siguruar nga rezultoi se Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur 1.1 miliard lekë (të vjetra) pasuri apo të ardhura monetare. Nga ky investigim ish-deputetit Peza iu hoq mandati.

6. Artan Hoxha. Rasti më i fundit i tij ka qenë publikimi i Videos së  Elbasanit ku Policia e Shtetit dilte zbuluar për mosveprimin e saj kundër bandave.

Bëhej fjalë për një kontroll rutinë në dukje, po më pas është goditur mjeti  i nën drejtorit te Policisë, i cili ka qenë duke shoqëruar Range Roverin, ky automjet është goditur papritmas nga një automjet i blinduar, nga më të mirët në Shqipëri, Audi A8. Pas këtij skandali i gjithë komisariati i Elbasanit është shkrirë.

7. Leonard Bakillari, gazetari i Mapo në një shkrim për BIRN publikoi skandalin me milionat e pasurive të gjyqtarëve. Sistemi gjyqësor në Shqipëri perceptohet si një ndër më të korruptuarit në vend. Sipas raporteve të Transparency International, 80 për qind e shqiptarëve besojnë se gjyqtarët janë zyrtarët më të korruptuar në vend.

Megjithatë, ILDKP dhe më pas Prokuroria kanë dështuar në zbardhjen e burimit të pasurisë së gjyqtarëve. Shkak për këtë bëhen skemat e përdorura për fshehjen e pasurisë përmes emrave të tjerë.

Një zyrtar i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave i tha BIRN në kushtet e anonomatit se familjarët përdoreshin prej gjyqtarëve në skema të dyshuara si pastrim parash të padeklaruara.

“Kemi evidentuar raste kur familjarë të afërt të gjyqtarëve janë përfshirë në skema të pastrimit të parave kryesisht nëpërmjet kompanive të ndërtimit. Në pjesën më të madhe të rasteve, familjarët e gjyqtarëve zotërojnë kuota minimale, 10 apo 15 përqind në këto kompani”, tha ai.

8. Basir Çollaku, gazetari i vendosur në zbardhjen e dëshmive të ish-agjentëve të antidrogës në Fier, të cilë nxjerrin zbuluar marrëdhënien e trafikantëve Habilaj me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Nazëraj dhe Naçi, dy ish-oficerë tashmë në azil tronditën jo pak me deklaratat e tyre dhe historitë sesi në kultivimin e drogës dhe trafikimin e saj ishin të përfshirë edhe kokat e policive në Vlorë dhe Fier.

Bledar Naçi ish-oficer i Antidrogës, dikur i dekoruar nga Saimir Tahiri dhe i përgëzuar nga Edi Rama për “heroizëm” dhe sot, i detyruar të strehohet nga përndjekja e shtetit që i shërbeu për shumë vite. Njësoj si Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj, jeta e Bledar Naçit mori tatëpjetën kur u përplas me grupin e Habilajve që udhëtonin me makinën e ish-ministrit të Brendshëm, në fund të vitit 2013.

Ndërsa Nazëraj me dëshminë e tij ka tronditur në lidhje me një incidenti në fillim të vitit 2014, kur ai dhe efektivë të tjerë ndaluan Audin A8 “AA 003 B” në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Sipas tij, ata kundërshtuan kontrollin e makinës dhe pas atij rasti ai u transferua në Lushnje.

Po ashtu ai rrëfen se si ua shpërndanin shefat e policisë trafikantëve farën e kanabisit duke përfituar 30% si dhe jetën e tij të vështirë me sulmet e herëpashershme nga ana e segmenteve të tjera të shtetit, po ashtu edhe burgosjen e tij.

9.Flamur Vezaj, gazetari që tashmë ka lënë Shqipërinë për Amerikën jo pak herë ka nxjerrë zbuluar skandale të qeverisë.

Po ashtu ai ka denoncuar dhe skandalet në rradhët e institucioneve të drejtësisë, ku një nga më të përmendurit është dhe fakti që Prokuroria e shmangte kontrollin e banesave të gjyqtarëve nën hetim.

Të dhënat e siguruara nga gazetari tregojnë se mes 8 procedimesh ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të ndërmarra në vitet 2015-2016 për veprat penale të korrupsionit pasiv, Prokuroria ka kërkuar vetëm një rast autorizim për kontroll banese.

Ndërkohë, e njëjta praktikë është ndjekur rëndom edhe për 12 procedimet për hetim pasuror ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë.

Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se për arrestimin apo kontrollin e shtëpisë së një gjyqtari të shkallës së parë apo të Apelit, Prokuroria kërkon autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas miratimin e Gjykatës që mbulon veprën penale.

Në rastet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë autorizimi kërkohet në Gjykatën Kushtetuese.

10.Altin Goxhaj, aktivisti i palodhur i cili denoncon me të gjitha mjetet skandalet që ndodhin çdo ditë në kurriz të qytetarëve.

Investigimet e tij më të forta që kanë krijuar reaksione të mëdha në media dhe opinionin publik përgjatë vitit 2013-2017 më të njohura janë:

  • Denoncimi i Reformës në Drejtësi si një Projekt i Fondacionit Soros i cili involvoi më pas nëpërmjet lobimit të vetë George Soros edhe vetë Partinë Demokratike, Ambasadën Amerikane dhe Komisionin Europian. Po ashtu ka analizuar nëpërmjet investigimit edhe rolin teknik dhe konkret të ekspertëve të Soros dhe zgjedhjen në konflikt interesi në hierarkinë e Drejtësisë të përfaqësuesve të Soros
  • “Investigimin dhe kontrollin e Opozitës nga njerëzit e Soros të etiketuar si Kolona e Pestë e Soros në PD” si dhe lidhjet e ngushta me Podestën dhe Soros për të luajtur një rol specifik në favor kandidates demokrate Hillary Clinton dhe kundër kandidatit republik Donald Trump.
  • Investigimi i interesave ekonomike dhe financiare të George Soros të favorizuara nga Qeveria në fushën e naftës, mikrokreditit dhe përfitimet e mëdha financiare nga ndihma e huaj për Shqipërinë nëpërmjet lobimit me pushtetin politik.
  • Investigimin dhe denoncimin e koncensionit të rrjetit të kioskave në Tiranë dhënë një kompanie të krijuar në mënyrë të posaçme pas ardhjes nga Veliaj në pushtet dhe analizimit të shkakut të “pastrimit” të rrugëve dhe shesheve nga shitësit ambulantë.
  • Financimin elektoral nga Bashkia Tiranë të fushatës elektorale në 2017
  • Investigimin dhe denoncimin e përpjekjeve për miratimin e një ligji që aplikonte censurën ë rrjetet sociale, iniciativë e ndërmarrë nga ish-deputetja e PDsë Majlinda Bregu të cilës iu vrtetuan lidhjet e drejtpërdrejta me Fondacionin Soros.
  • Investigimin e lidhjeve të Fondacionit Soros me mediat dhe gazetarët dhe botuesit dhe përdorimin e tyre në favor të interesave të Soros, pushtetit si dhe angazhimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar në një fushatë kundër kandidatit presidencial Trump 1 vit më parë për të ndikuar te vota e shqiptaro-amerikanëve.
  • Investigimin e dhe denoncimin e marrëveshjes dhe kontratës së Soros me institutin CID të themeluar nga Sokrates Kokkalis dhe Elanie Papulias në Harward për të hartuar dhe implentuar modelin ekonomik dhe ligjor ekonomik dhe fiskal, koncensionet dhe zonat e lira ekonomike, privatizimet dhe reformat në arsim të Qeverisë Shqiptare si dhe krijimi i një rrjeti të diasporës shqiptare në SHBA e cila po përdorej në favor të fushatës elektorale pro kandidates Clinton dhe kundër Trump.
  • Fotoja e nënës së kryeministrit Rama, Aneta Rama, me presidentin e Partizanit Gaz Demi dhe deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi.  /Valmora Gogo-Faxweb

SHËNIM: Renditja nuk është bazuar në rëndësinë e investigimeve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne