10 teza mbi Astirin

Nga  Redi Muçi

1. Ekziston një copë letër, që është ligji. Ekziston edhe shteti, fuksioni i të cilit ndër të tjera është të bëjë rolin e rojtarit që sigurohet se ajo çka është shkruar në letër zbatohet nga të gjithë subjektet e tij. Kur burokratët e shtetit janë pjesë aktive e shkeljes së ligjit saqë ajo merr përmasat e një fenomeni social, siç janë ndërtimet pa leje, atëherë përgjegjësia parësore është e shtetit, jo e subjekteve që mbijetojnë ose përfitojnë nga ky vakuum i shtetit.

2. Shteti ka përgjegjësi për veprimet apo mosvrepimet e së shkuarës. Nuk bëhet fjalë për Saliun, Nanon, Ramën, Metën, por për mungesën (ende sot e kësaj dite) të institucioneve shtetërore. Shteti nuk mund të kërkojë llogari për veprimet në mungesë të tij. Kursimet e një jete, të materializuara në ato shtëpi, nuk mund të grabiten sepse ka ekzistuar dikur një përkthim i legjislaturës evropiane në shqip.

3. Shteti nuk mund të funksionojë me dy standarde, ku disave u bie shpatullave e u jep certifikata pronësie edhe pse kanë ndërtuar pa leje, duke bërë spektakël televiziv në kohë fushate, e disa të tjerë i hedh në rrugë për pazaret e kryeshtetarit me oligarkët.

4. Shpërnguljet dhe ngulitjet e grupeve sociale janë fenomene që kanë ndodhur periodikisht gjatë gjithë historisë së civilizimit njerëzor. Ashtu si me emigrantët e ligjshëm apo klandestinë, këto fenomene e ripërkufizojnë ligjin ekzistues duke i dhënë një përmbajtje krejt tjetër. Nëse ligji do të ishte një, në jetë të jetëve, do kishim ngelur te Moisiu.

5. “Taksapaguesit” e ndershëm e të ngazëllyer që dalin kundër banorëve të Astirit me pretendimin se ata nuk kanë grabitur pronën e tjetrit, duhet të pyesin gjyshin se ku ka lerë dhe veten se ç’e mirë i ka sjellë në Tiranë. Nëse do respektohej shenjtëria e pronës së kohës së Zogut, secili prej nesh do ishte duke kullotur bagëtinë e beut në katundin e vet.

6. Secili prej “taksapaguesve” do na tregojë historinë e gjyshit të vet që duke shitur qofte, fiq, gëlqere apo duke bërë biznes në Australi, erdhi e u bë pronar tokash në Tiranë. Dhe ne do ta besojmë!

7. “Taksapaguesit” duhet të shqetësohen ca më shumë për shkatërrimin e hapësirës publike për përfitimet e oligarkut (si në rastin e Teatrit), për ngritjen e trarëve nëpër autostrada që atyre do t’u kushtojnë 15 milion euro/ kilometri.

8. “Taksapaguesit” mund të shqetësoheshin se pse këto taksa (që me sa duket i përkufizojnë ata si qenie politike) nuk shpenzohen që arsimi i lartë të jetë i cilësisë evropiane dhe të ofrohet falas, por shpenzohen që qeveria që e ka asfiksuar kryeqytetin në çdo pëllëmbë me beton dhe hekur, të ndërtojë mega-projekte që i shet si “zhvillim”.

9. Për pinjollët e rinj të tranzicionit ekzistojnë “kokëpalarët”, “shpellarët” etj. që një herë në katër vjet gënjehen me një grusht miell, por që ndonjëherë bëhen të bezdisshëm e na ndalojnë civilizimin. Kur arrin thika në kockë, shpellarët e shkundin nga themelet shoqërinë e pinjollëve. Dhe pinjollët bëhen viktimat e pafajshëm të kafshërisë së turmës.

10. Lali Eri është vemja më e pështirë që ka kullotur ndonjëherë në llagëmet e politikës shqiptare.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne