12 llojet e vrasjeve që nuk falen në Kodin e ri penal, përfshihet edhe 21 Janari

Ndryshimet e reja në Kodin Penal, të miratuara nga Parlamenti, janë botuar në Fletoren Zyrtare, në datën 5 Maj, ndërsa do të hyjnë në fuqi në datën 25 Maj.
Përpos të tjerave, ndryshimet heqin parashkrimin e ndjekjes penale për 12 lloje vrasjesh me dashje.

Pra, pavarësisht kohës kur një person e ka kryer vrasjen, ai nuk do t’i shpëtojë kurrë ndjekjes penale, vetëm nëse ndahet nga jeta. Në Kodin Penal në fuqi kishte një mundësi që, shumë të akuzuar për vrasje, pasi të kishte kaluar 20 vjet nga kryerja e veprës penale, t’i shpëtonin ndjekjes penale.

Konkretisht, Kodi në fuqi, në nenin 66, parashikon që nuk mund të bëhet ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë. Me ndryshimet e reja, ky parashikim është shfuqizuar, duke hedhur poshtë çdo afat kohor për veprën penale të vrasjes. Ndryshimet parashikojnë që veprat penale të kreut II, seksionit I, nenet 76-79/c të Kodit Penal, nuk i nënshtrohen parashkrimit. Në këtë grup veprash penale përfshihen edhe vrasjet e 21 Janarit, ngjarje për të cilën Gjykata e Strasburgut ka hapur rrugën për rihetim dhe rigjykim, shkruan Shqiptarja.com.

Konkretisht, nuk do t’i nënshtrohen parashkrimit ose nuk do të mbeten kurrë pa u ndëshkuar, vetëm nëse autori nuk jeton më, vrasja me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, vrasja me dashje e kryer kundër dy ose më shumë personave dhe vrasja me dashje e kryer më shumë se një herë. Po ashtu, nuk i nënshtrohen parashkrimit vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, vrasja me paramendim, vrasja e kryer për interes apo hakmarrje, vrasja me dashje për gjakmarrje, vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit, vrasja e dëshmitarit, vrasja e personit me mangësi fizike ose psikike etj.

Dyfishohet koha e parashkrimit

Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë dyfishimin e kohës së parashkrimit të veprës penale për një grup veprash penale. Ligjvënësit kanë ndryshuar pikërisht nenin 66 të Kodit Penale. Neni 66 i ndryshuar parashikon që nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar dyzet vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm. Në pikën që ishte në fuqi parashikohej që nuk mund të bëhej ndjekja kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

Neni 66 i ndryshuar parashikon gjithashtu se nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim, pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë, tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim dhe dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

Afati i provës

Ndërhyrjet në Kodin Penal kanë ndryshuar edhe afatin e provës. Pas paragrafit 2 të nenit 59 është shtuar paragrafi 3, i cili parashikon që për dënimet e dhëna deri në dy vjet burgim, të pezulluara nga gjykata, afati i provës është sa dyfishi i kohës së dënimit me burgim të dhënë nga gjykata. Ndërkaq, afati i provës, me përjashtim të rregullit të parashikuar në paragrafin 3 të këtij neni, është 24 muaj deri në 5 vjet. Afati i provës fillon, nga e nesërmja shpalljes së vendimit të gjykatës që ka dhënë vendim për pezullimin e dënimit me burgim. Afati i provës mund të shkurtohet ose zgjatet në varësi të mënyrës së ekzekutimit të provës dhe kushteve personale të të dënuarit, por pa cenuar afatin minimal dhe maksimal të parashikuar në këtë paragraf.

Krimet që nuk do të falen kurrë

Vrasja e kryer me dashje.

Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër.

Vrasja me paramendim.Vrasja e kryer për interes apo hakmarrje.

Vrasja me dashje për gjakmarrje.

Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit.

Vrasja me dashje e kryer ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

Vrasja me dashje e kryer ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse.

Vrasja me dashje e kryer më shumë se një herë.

Vrasja me dashje e kryer kundër dy ose më shumë personave.

Vrasja me dashje e kryer në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës.

Vrasja me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave.

Neni 66 i Kodit Penal, në fuqi/ Parashkrimi i ndjekjes penale

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:

a) Njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

b) Dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;

c) Pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;

ç) Tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;

d) Dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

Neni 66 i Kodit Penal, i ndryshuar

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:

a) Dyzet vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm;

b) Njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

c) Dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;

ç) Pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;

d) Tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;

dh) Dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

Veprat penale të kreut II, seksionit I, nenet 76 -79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne