2018-ta vit vendimtar për Shqipërinë drejt BE-së

Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe pesë vite më vonë asaj iu dha statusi i kandidatit për në BE, por pa ndonjë datë të saktë lidhur me afatin kohor të hapjes së negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian, shkruan sot European Western Balkans.

Megjithëse, nisja e bisedimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jetë një proces i lehtë, BE-ja duhet të mbajë të gjalla shpresat mes shteteve kandidate.

Shqipëria është shumë pranë hapjes së bisedimeve të pranimit të saj në BE, dhe pritet që ky vit të jetë vendimtar për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Disa muaj më parë, ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi se Shqipëria pret që Këshilli Evropian të miratojë vendimin mbi hapjen e negociatave të pranimit të saj në BE, në qershor 2018.

Gjithashtu, ai paralajmëroi BE-në se do të ishte një zhgënjim i madh për shqiptarët nëse ky vendim nuk do të miratohej.

Në një opinion për Euractiv, Bushati theksoi se hapja e negociatave ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe sfidues të të mësuarit.

“Ne e dimë shumë mirë se do të duhet kohë dhe ne duam ta përdorim këtë kohë për ta transformuar më tej vendin tonë në çdo kuptim dhe për t’i sjellë qytetarët më afër me Evropën”, shkruan Bushati.

Situata do të jetë më e qartë në prill kur Komisioni Evropian të paraqesë një raport mbi Shqipërinë.

Ndërsa, lidhur me vendimin që pritet të merren pas paraqitjes së raportit, komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn shprehu optimizmin e tij se Komisioni Europian do të paraqiste një vlerësim pozitiv në raportin vjetor mbi progresin e Shqipërisë.

Ai bëri të ditur se nuk kishte patur asnjë reagim negativ nga ndonjë vend anëtar i BE-së.

Përveç kësaj, komisioneri i BE-së për Zgjerimin vuri në dukje se Shqipëria duhet të vazhdojë të zbatojë reformat në pesë fusha kyçe të përcaktuara si administrata publike, korrupsioni, shteti ligjor, krimi i organizuar dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ajo që është më e rëndësishme është se muajin e ardhshëm, Komisioni Evropian do të paraqesë Strategjinë e Zgjerimit – një dokument me një vizion të qartë për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Gjithashtu, presidenca bullgare e BE-së në 2018 mund të jetë me rëndësi vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Kohët e fundit, Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së zhvilloi takimin e nëntë ku u pranua angazhimi i Shqipërisë ndaj axhendës së reformave. Këshilli theksoi se krahas me prioritetet e tjera kyçe edhe reforma në drejtësi mbetet thelbësore për procesin e hyrjes së Shqipërisë në BE.

Gjithashtu, BE mirëpriti ngritjen e institucioneve të vetingut në qershor 2017 dhe theksoi se ky proces i rëndësishëm përfaqëson një hap përpara drejt zbatimit të reformës së drejtësisë në Shqipëri.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini deklaroi se reforma në drejtësi që po zbatohet në Shqipëri është një ndër reformat më të rëndësishme në ndonjë nga vendet që janë në planet e zgjerimit.

“Ne besojmë se kjo do të kontribuojë pozitivisht në fusha të tjera, veçanërisht në krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm dhe më transparent për bizneset dhe investitorët”, tha Mogherini.

Shqipëria ishte në një udhëkryq në vitin 2016, e detyruar të zgjidhte nëse të vazhdonte trashëgiminë e saj historike të korrupsionit dhe krimit të organizuar apo do të bënte një ndryshim rrënjësor në rrugën e saj drejt BE-së.

Ligji i vettingut ka për qëllim të ndalojë korrupsionin dhe ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë, por gjithashtu të pastrojë sistemin e drejtësisë përmes një kontrolli të thelle dhe të detajuar të aseteve dhe lidhjeve të mundshme me krimin e organizuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por, gjithsesi, Shqipëria ka regjistruar arritje të dobëta në hetimin dhe ndjekjen e figurave kyçe të trafikut të drogës dhe aktiviteteve të tjera të krimit të organizuar, siç u deklarua nga raporti i ”Freedom House” vitin e kaluar.

Ende korrupsioni brenda sektorit publik mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit drejt BE-së.

Një çështje tjetër me të cilën përballet Shqipëria është problemi i imigrantëve në BE pasi numri i personave të ardhur nga Shqipëria është nga më të lartët.

”Vetëm në Francë, ku numri i imigrantëve ishte në nivelin më të lartë të “40 viteve të fundit”, numri më i lartë i kërkesave vinte nga Shqipëria, Afganistani dhe Haiti”, tha Pascal Brice, drejtor i Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne