25 Qershori i blerjes së votave, përplasjeve me armë dhe rrahjet mes militantëve

Natën e 24 Qershorit, kur bëheshin gati materialet në Qendrat e Votimit, ndodhi një ngjarje e rëndë. Një punonjës policie nxorri armën e shërbimit dhe u qëllua për vdekje. Ambjentet ku do të votonin banorët e fshatit u përgjakën. Gjatë natës kufoma e policit u hoq dhe ambjentet u pastruan nga gjaku, për t’u bërë gati për ditën e nesërme.

Vetëvrasja e policit nuk qe një ogur i mirë, për atë që do të ndodhte në 25 Qershor.

Dita e votimit u shenjua nga dy momente, shitblerja e votës dhe përplasjet e dhunshme mes militantëve. Mëngjesi nisi me lajmet se vota po blihej masivisht. Denoncimet kishin foto dhe video. Ngjarjet ishin prova se votimet u kthyen në një pazar të madh.

Blerësit janë kudo. Denoncimet vijnë nga PS për LSI dhe nga LSI për PS.

Në videon më poshtë duket kreu i PS së Vorës duke blerë dy vota për 100 mijë lekë të vjetra.

Një rast tjetër ishte i një militanit të PD, që u kap me 4 milion lekë të vjetra në Krujë. 30 vjeçari u kap nga policia duke shpërndarë para për blerjen e votave dhe është arrestuar.

Dega e Partisë Socialiste në Delvinë ka denoncuar sot tentativat, sipas saj të LSI-së për blerje vote. Në dokumentin e denoncimit raportohet se “është konstatuar se në shkollën ‘Xhelal Berberi’ në lagjen Papuci, nga përfaqësues të LSI po shpërndahen para tek votuesit”. Në denoncim thuhet se një vote po blihet për 50 euro, nga Bako Balili, vëllai i Klement Balilit i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit” i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se denoncimet për blerjen e votës janë me qindra raste. Fenomeni në këto zgjedhje është masiv dhe i përhapur si asnjëherë më parë.

Veç njerëzve që blejnë vota, partitë kanë lëshuar në terren edhe të fortët. Mesnatën e 24 Qershorit, para se të hapeshin qendrat e votimit, LSI shpërndau fotot e komisionerit të saj të mbuluar në gjak.

Komisioneri i LSI në Kashar ishte rrahur barbarisht dhe përfundoi në spital.

Ngjarja më e rëndë ndodhi në Shëngjin. Rreth 10 persona, ende të paidentifikuar qëlluan me armë simpatizantin e LSI. Florian Dushku u dërgua në spital i plagosur.

“Për çdo pikë gjaku të derdhur përgjegjësia bie mbi Ramën” ishte reagimi i fortë që erdhi nga selia e LSI.

Raportimet e para nga vendi i ngjarjes ishin se të shtënat me armë erdhën nga Samuel Ndoka, nipi i ish-deputetit Arben Ndoka. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se persona të armatosur zbritën nga makinat dhe qëlluan ndaj anëtarëve të LSI që qendronin përpara qendrës së votimit.

Menjëherë drejt Lezhës u nis Ilir Meta.

Meta Lezhë by lapsi-al

Ai u shpreh se ka ardhur personalisht me eskortën e tij për të mbrojtur votën e lezhjanëve.

“Të ngrihemi të gjithë për t’i dërrmuar bandat e Rilindjes, bandat e drogës dhe bandat që duan të vjedhin votën, dinjitetin dhe të ardhmen e lezhjanëve e fëmijëve të Lezhës”.

“Kryesadisti dhe Haki Droga do të marrin atë përgjegjësi që nuk i ka shkuar në mëndje, nëse do të ketë një viktimë për shkak këtij kursi e dhune ndaj shqiptarëve” .

“I bëj të ditur çdo qyetari të Lezhës për çdo shqetësim që ka të më njoftojë menjëherë këtu dhe unë do të jem kudo bashkë me eskortën time, bashkë me të gjithë burrat dhe të rinjtë e Lezhës për ti treguar vendin banditëve që nuk ua tregon dot policia e drogës” ishin deklaratat e forta të Ilir Metës.

I menjëhershem ka qenë reagimi i PS pas deklaratev të forta të Metës.

“Mos bini pre e provokimeve skandaloze te Presidentit te zgjedhur e te eksponenteve te partise se tij, sidomos te “vezhguesve” te LSI qe ne disa zona jane elemente me precendente penale. Ruani qetesine.

Beni detyren patriotike ndaj Shqiperise sot me voten tuaj dhe perballoni me shume vetepermbajtje, ofensiven mizerabel te Presidentit te zgjedhur mbi procesin zgjedhor” thuhet në njoftimin e PS.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla konfirmoi se janë mbledhur prova të mjaftueshme për ngjarjen e Lezhës.

“Kemi grumbulluar prova të mjaftueshme për ngjarjen e Lezhës. Sa i përket situatës së përgjithshme pavarësisht ngjarjeve të fundit është e qetë. E rëndësishme është që qytetaret të votojnë të lirë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre ashtu siç edhe organet ligjzbatuese të jenë në gatishmëri dhe të kenë një sjellje korrekte.”  deklaroi Llalla.

Incidente të tjera gjatë votimit kanë ndodhur edhe në Tiranë, ku ka pasur një sherr mes komisionerëve në shkollën “Dhora Leka”. Komisionerët u konfrontuan fizikisht me njëri-tjetrin, dy orë pasi kishte nisur votimi.

Në Gjirokastër u denoncua një tjetër incident, kur drejtori i OSHEE, Andi Shkurta kërcënoi një gazetare. Pamjet e tregojnë që i afrohet gazetares duke e kërcënuar, sepse po filmohej. Shikoni pamjet dhe dëgjoni kërcënimet:

Drejtori i OSHEE kërcënon gazetaren by lapsi-al

Të shtëna me armë pati edhe në Kukës. Një qëlloi me armë në një lokal në fshatin Novosej të Kukësit, pasi u konfrontua me klientët. Incidenti ndodhi në ambientet e lokalit të shtetasit Dashamir Tocilla, përkrahës i LSI-së.

Breshëritë e armëve, rrahjet dhe përplasjet mes militantëve e kanë kthyer këtë 25 Qershor në një ditë të frikshme, duke njollosur rëndë procesin e zgjedhjeve. Dhe nata ende s’ka filluar…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne