28 shkurti, grusht shteti i fundit i tutelës së Luftës së Ftohtë

Plot 21 vite më parë, më datë 28 shkurt 1997, Turqia përjetoi një tjetër ndërhyrje ushtarake, nga më të rëndësishmet e historisë së afërt të saj.

Grusht shtetet apo tentativat për puç ushtarak nuk konsiderohen një përjashtim në aspektin e Turqisë. Datat e puçeve demonstrojnë në mënyrë të qartë se Turqia është ballafaquar me përpjekje të këtilla një herë në gati çdo 10 vite: 1960, 1971, 1980, 1997 (28 shkurt), 2007 (27 prill) dhe 2016 (15 korrik).

Kur shikohet periudha pa ndërhyrje ushtarake nga viti 1980 deri në 1997-n, mund të mendohet se janë vonuar për një grusht shteti të ri. Por situata do të kuptohet lehtësisht kur të kujtoni se gjenerali puçist, Kenan Evren, kishte vetëm 8 vite që ishte larguar nga pushteti.

Përse Turqia përballet një herë në çdo 10 vite me grushte shteti?

Shtetet lojëbërëse, siç është Turqia, nuk lihen thuajse kurrë të qeta nga aktorët globalë. Sepse kur lihen të qeta, vatrat globale e dinë shumë mirë se çfarë janë në gjendje të bëjnë këto shtete. Prandaj kërkojnë me ngulm që kësisoj vendesh të mbahen vazhdimisht nën kontroll. Këtë e dimë edhe nga Gjermania. Shtet që ka tentuar dy herë të ndryshojë rendin global, Gjermanisë i kanë imponuar kushtetutën dhe kufizuar ushtrinë dhe forcën e armatosur.

Ndërsa në Turqi, potenciali i këtij vendi është parë edhe një tjetër herë gjatë viteve nën qeverisjen e Kryeministrit Adnan Menderes, që u ekzekutua me anë të një puçi ushtarak. Për këtë arsye, me Kushtetutën e 1961-shit është formuar një sistem tutele/kujdestarie për të mbajtur të zgjedhurit nën kontroll. Grusht shtetet e bëra një herë në çdo 10 vite janë në thelb rregullime për të mbajtur nën kontroll të plotë kombin turk.

Puçet ushtarake në vende si Turqia s’mund të shpjegohen vetëm me faktorët e brendshëm. James Woolsey, një nga ish-krerët e CIA-s, pohoi javën e kaluar, në kuadër të një hetimi të kryer nga prokurori Robert Mueller në lidhje me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera. Në mënyrë të ngjashme, pas puçit ushtarak të vitit 1980 në Turqi, ish-këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Paul Henze (1977-1980), i pati thënë presidentit amerikan të atëhershëm, Jimmy Carter, se: “Djemtë tanë ia dolën!”

Sa i përket Turqisë së viteve 1990, bashkë me vitet nën drejtimin e presidentit të ndjerë dhe për mendimin tim të vrarë, Turgut Ozal, vendi kishte shënuar progres shumë të rëndësishëm jo vetëm në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe në atë të lirive/të drejtave të njeriut. Më pas, gjatë qeverisjes së kryeministrit të ndjerë, Necmettin Erbakan, me anë të koalicionit Rruga e Mirëqenies (Refah Yol), formuar nga Partia e Mirëqenies (RP – Refah Partisi) dhe Partia e Rrugës së Duhur (DYP – Doğru Yol Partisi), ekonomia e vendit mori një shtysë të fuqishme. Nëse procesi në fjalë do të vazhdonte në këtë mënyrë, Turqia mund të dilte jashtë kontrollit dhe të projektonte rrugën e saj.

Ja pra, në një klimë të këtillë u realizua grusht shteti i 28 shkurtit (1997).

Procesi i 28 shkurtit

Procesi filloi më datë 28 shkurt, me paradën e tankeve nga qendra e qytetit në nënprefekturën Sincan të Ankarasë. Kjo mund të duket si diçka e zakonshme; por nëse jetoni në një vend ku në të kaluarën me tanke është rrethuar Parlamenti, janë ekzekutuar kryeministra dhe ministra, atëherë kodet tuaja mendore janë të gatshme të nxjerrin shumë konkluzione nga një paradë tankesh. Për më tepër edhe procesi avancoi në atë drejtim. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me këmbënguljen e ushtarakëve që asokohe ishin të barabartë në numër me anëtarët civilë të tij, qeverisë iu imponua një plan veprimi. Pasi doli në pah synimi/nijeti i ushtarakëve, një vend i tërë u rreshtua sikur ishte në pritje të barbarëve. Vendi hyri në procesin e një grusht shteti me lëvizje pothuajse të testuara më herët. Gjykatësit, burokratët, OJQ-të hynë në garën e informimit të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të kuptuar se nën ç’lloj “kërcënimi reaksionar” ishte vendi.

Rezultatet

Mirëpo natyrisht që procesi nuk mori fund atje; rrëzimi i qeverisë solli vite të tëra koalicionesh të paqëndrueshme, arrestimin e mijëra njerëzve, shkarkimin nga puna të një numri të padeklaruar ndonjëherë të nëpunësve civilë, vdekje, vetëvrasje dhe, ç’është më e keqja, një brez të djegur që iu grabit rinia dhe ardhmëria…

Një Turqi, e cila u kthye në periudhën e regjimit ushtarak duke shënuar regres në të gjitha përparimet e regjistruara në aspektin e të drejtave dhe lirive themelore…

Siç u pa edhe në vitin 2002, një shtet me ekonomi të shkatërruar…

Një situatë në të cilën pretendimet/akuzat për korrupsion, vjedhje, hajdutëri dhe plaçkitje kishin arritur kulmin.

Dhe pastaj…

28 shkurti ishte grusht shteti i fundit i tutelës së Luftës së Ftohtë, realizuar nga qendrat e brendshme dhe të jashtme të pushtetit për të mbajtur Turqinë nën kontroll. Tashmë u pa në mënyrë të qartë se Turqia nuk mund të kontrollohej me një tutelë neonacionaliste të Luftës së Ftohtë, e cila përbuzte shoqërinë, vlerat e saj dhe ishte në konflikt me të. Si pasojë e globalizmit dhe epokës së komunikimit, pluralizmit, multikulturalizmit dhe përvojës deri diku/pak a shumë demokratike, tashmë ishte e pamundur që Turqia të kontrollohej më nga një tutelë e vjetruar/jashtë mode e Luftës së Ftohtë.

Në një shikim retrospektiv, sot mund të themi se 28 shkurti ka rezultuar i suksesshëm jo në aspektin e restaurimit/konsolidimit të tutelës së Luftës së Ftohtë, por në atë të ndërtimit të një tutele të re, në pamje të parë paqësore me vlerat e kombit. Sepse asokohe u eliminuan gati të tëra grupet civile dhe fetare, përveç atij që sot njihet si FETO. Parë nga e sotmja, shihet më qartë se përmes 28 shkurtit është bërë një pastrim i gjerë në terren për të përgatitur 15 korrikun. Është hapur rruga për organizatën terroriste FETO, tutela e re që është dashur të formohet duke eliminuar faktorët demokratikë dhe civilë.

Megjithëkëtë dy elementë të paparashikueshëm kanë përmbysur të gjitha planet: Udhëheqja e paepur e Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe qëndresa historike e kombit turk duke rrezikuar jetën në krah të liderit të tij. Më 15 korrik, ne patëm 250 martirë dhe mbi 2.000 të plagosur; por shpëtuam vendin, të ardhmen dhe nderin tonë. Kombi ynë i mësoi të gjithë botës se si përmbyset një grusht shteti në mënyrën më demokratike të mundshme.

Mësime nga 28 shkurti

E rëndësishme për aktorët globalë nuk është baza ku mbështetet apo mbi të cilën ngrihet tutela, por tutela në vetvete. Prandaj s’duhet të harrohet kurrë që aktorët globalë mund të mos jenë në kërkim të instalimit të demokracisë ose të drejtave të njeriut në vende të tjera, por të një tutele të përshtatshme në lidhje me interesat e tyre. Për aktorët globalë s’ka fare rëndësi/dallim nëse kjo tutelë bazohet në një legjitimitet ushtarak, fetar, laik apo neonacionalist.

Antidoti (kundërhelmi) i sistemit të tutelës është t’i hapësh popullit me sa të mundesh të gjitha hapësirat e sistemit. Hapja për popullin e të gjitha sferave të rrëmbyera nga populli dhe politika, përkatësi të gjyqësorit, burokracisë së lartë dhe fushës akademike, është një nga faktorët më të rëndësishëm që degradon tutelën.

Një burokraci e sigurisë e mbyllur dhe e pambikëqyrur është një nga elementët kryesorë prodhues të tutelës. Për këtë arsye, mbikëqyrja, inspektimi dhe kontrolli demokratik i burokracisë së sigurisë është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Eksperienca që Turqia ka fituar duke paguar çmime shumë të shtrenjta, është një udhëzues/udhërrëfyes për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë të pavarur, të lirë dhe me dinjitet.

nga Kudret Bülbül.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne