39 persona nuk lejohen të nisen nga Rinasi drejt zonës Shengen

Masat e reja të policisë kufitare kundër azilkërkuesve, nga Shqipëria në zonën “Shengen”, kanë dhënë rezultatet e para. Fluksi i hyrje-daljeve në aeroportin e Rinasit në sezonin turistik, mund të shfrytëzohet nga shtetasit shqiptarë, të cilët kanë si qëllim udhëtimin drejt vendeve të BE për të kërkuar azil, shkruan “Panorama”.

Duket se masat e marra nga ana e Policisë për të parandaluar këtë fenomen, në zbatim edhe të urdhrit me kritere të reja të udhëtimit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, po ua bënë thuajse të pamundur këtë “ëndërr”.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, 39 shtetas shqiptarë nuk janë lejuar që të fluturojnë nga Rinasi drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, pasi Policia Kufitare ka pasur dyshime të arsyeshme se ata do të udhëtonin për qëllim azili.

“Shtetasit janë refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i dalë në fillim të muajit gusht”, tha dje Policia e Shtetit.

Ndërsa sqaroi se për të përballuar fluksin e shtetasve të huaj e shqiptarë që vijnë apo largohen nga Shqipëria, gjithashtu edhe për të parandaluar çdo rast të dyshimtë për azil në BE, janë shtuar sportelet në aeroport.

Mësohet se aktualisht në Rinas po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 8 në dalje. Ndërsa vetëm gjatë dy ditëve të fundit, nga aeroporti “Nënë Tereza” kanë hyrë në territorin tonë 13 mijë shtetas shqiptarë e të huaj.

MASAT NE RINAS

Policia tha dje se, janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e hyrjedaljeve të shtetasve që qarkullojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Nga ana tjetër, struktura të caktuara kanë përqendruar punën edhe në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

“Vëmendje e veçantë edhe në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të atyre shtetasve, që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në vende të tjera të BE-së”, tha Policia e Shtetit. Mësohet se gjatë muajit gusht kanë hyrë në Shqipëri 27.345 shtetas shqiptarë, si dhe 35.918 shtetas të huaj. Ndërsa kanë dalë 20.332 shtetas shqiptarë e 26.886 shtetas të huaj.

“Gjatë dy ditëve të fundit ka një rritje të madhe të fluksit të hyrjes për në vendin tonë, ku numri arrin deri në 13 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Aktualisht, në Rinas po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 8 në dalje. Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar maksimalisht për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor të gjithë shtetasve që hyjnë dhe dalin nëpërmjet aeroportit, si dhe e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë”, tha Policia.

Burimet thanë se do u refuzohet kalimi i kufirit të gjithë shtetasve shqiptarë që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara nën urdhrin e Haki Çakos, për të udhëtuar drejt vendeve të BE. Nuk kanë adresë të saktë akomodimi, apo destinacioni, nuk kanë ftesë pritëse, si dhe mjete të mjaftueshme financiare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne