Babai u largua nga kjo jetë në shkurt të vitit të kaluar ndërsa shikimi i nënës së tyre po venitet ngadalë, një kujtesë se dhimbja në fakt nuk ka fund.

Janë vetëm 4 fëmijë. Vajza më e madhe është 16 vjeç dhe thotë se babai i tyre vdiq për shkak të një tumori në tru. Mbase ajo e kupton më mirë nga të gjithë vuajtjen e prindërve të saj për shkak të moshës dhe sensit të detyrës për të qenë pranë babait që ka lënguar në spitalet e vendit.

Shpëtimi për kryefamiljarin e familjes Taulant Caniku në një fshat të Pogradecit dukej i pamundur. 3 operacione i duheshin për t’i shpëtuar tumorit si dhe një pastrim për një masë uji që mbante në kokë. Vajza e madhe e ndjen si një thikë në palcë kur kujton se ata mundën të gjenin paratë vetëm për të hequr ujin nga barra e madhe e dhimbjes që duronte i ati.

Vajza e madhe: Jemi 4 fëmijë, unë jam më e madhja, 16 vjeçe, motra 15, vëllai 10 vjeç kurse motra e vogël 12 vjeçe. Ka qenë jetë shumë e vështirë pasi nuk kemi patur shumë mundësi, Babi e mami mundoheshin të na  krijonin mundësitë, mundoheshin me mish dhe me shpirt.

Baba na ka vdekur para një viti, kishte një tumor në trurin e vogël. U përpoqëm ta ndihmonin por nuk mundëm dot nga pamundësia. Erdhi një kohë që nuk fliste më, u mbyll në vete. Ankoheshe që i dhemb koka e më pas po paralizohej, nuk ecte dot më si më parë.

I bëmë një skaner në Korçë dhe atje e zbuluan që kishte një masë tumorale. Të nesërmen e çuam tek Nënë Tereza dhe i thanë se duhet të kryente tre operacione, por më parë duhet të hiqte ujin, kishte një masë uji. Ne nuk kishim mundësi t’ja kryenim ato operacione, kushtonin shumë…

Vajza e vogël, vetëm 12 vjeçare nuk i mban dot lotët kur kujton ditën kur i vdiq i ati.

Vajza e vogël: Ka qenë mëngjes, edhe filloi t’i dhimbtë koka. Pastaj unë me vëllain ikëm tek shtëpia e hallës. Erdhi nëna e më pas, e morëm vesh. Më mungon shumë. Bëri një vit pa e parë.

Por ajo që ka ndodhur në shkurt të vitit 2018 është vetëm një pjesë e errët e një tragjedie e cila vijon të shkallmojë dyert e kësaj familje shqiptare.

Nëna e 4 fëmijëve ka lindur shurdh- memece. E veshur me të zeza për vdekjen e të shoqit 42 vjeçar, ajo nuk na thotë asnjë fjalë, por janë sytë e saj ato që flasin qartësisht.

Kjo grua, nënë e 4 fëmijëve… sot po humb dhe shikimin. Ajo nuk flet dot për dhimbjen që e ka pushtuar, por janë fëmijët ata që tregojnë një frikë dhe pështjellim që qëndron prapa kokës së tyre prej mëse një viti tashmë… ku do të gjenden paratë për t’i shpëtuar sytë nënës së tyre? Vetëm ajo u ka mbetur!

Djali: Mami është shumë sëmurë, nuk shikon, nuk flet, nuk dëgjon… (qan me dënesë)

Vajza: Ajo qëkur ka lindur nuk flet e nuk dëgjon. Tani sytë i kanë zënë perde dhe doktori na ka thënë që shikimi mund t’i ikë fare.

Vajza e madhe: Shpresoj shumë dhe lutem që ajo të ketë të paktë një dnërhyrje që ajo të shpëtojë… ajo është mbështetja ime e vetme. Nuk mund ta imagjinoj dot sesi i ka përballuar të gjitha vështirësit, duke mos folur, duke mos dëgjuar, duke mos shprehur atë dhimbje… nëse do humbte dhe shikimin do të ishte… nuk besoj të shohi një dirtë në fund të atij tuneli të zi edhe pse drita e syve të asaj jemi ne.

Vajza e madhe: Dua të ketë një shpresë për atë, s’mund ta përballojmë dot nëse i ndodh dhe mamit e njëjta gjë.

Nuk mbaron me kaq. Dhimbja e familjes Coniku fillon në kujtimet e këtyre fëmijëve, por në fund të çdo dite mbaron me muret e ftohta të katrahurës ku ata janë të detyruar të jetojnë. Vajza e madhe tregon se mbijetojnë me 150 mijë lekë të vjetra në muaj. E habitshme i duket ndonjëherë sesi ja dalin me paratë që nuk teprojnë as për të paguar një llambë që gjen në shtëpinë e tyre.

Vajza e madhe: Ne gjithsej marrim në muaj 150 mijë lekë të vjetra. 50 ilaçet e mamit, 50 drita e ujë edhe pse ne një dritë kemi dhe se di pse na vijnë aq. 50 na mbeten për t’u prishur në shkollë e për tu veshur e për t’u ushqyer. Nuk e dimë as vetë sesi ja arrijmë. Mundohemi dhe në shkollë që të mos prishim lekë apo të marrim bukë me vete.

Vogëlushi na tregon se ai nuk merr ndonjëherë ushqim në shkollë për shkak të pamundësisë. Shtë i detyruar të shohë të tjerët dhe të përtypë diçka kur po tjetri i zgjat një copë të “zemrës”. Pa baba, me nënën që po tretet, pa ushqim dhe pa strehë… kjo është tragjedia që përtërihet çdo ditë kur dielli lind.

Djali: Shokët të tërë kurse neve jo. Ndonjëherë më ndihmojë ata.

Vajza e vogël: Jemi 4 fëmijë dhe nuk ja dalim dot

Vajza e madhe: Është shumë e vështirë të jetosh sepse të dyja dhomat dhe korridori mbajnë shumë lagështirë. Mundohemi të ngrohemi me drru por sërish, edhe drurin nuk kemi mundësi ta blejmë. Është shumë e rrezikshme kur prishet koha, ose do të fiken dritat, ose do të krijojë ndonjë shkëndijë.

Vajza e vogël: Kishim shumë frikë se mos vdisnim brenda

Vajza e madhe: Kjo përpara ka qenë lavanderi dhe kjo pronë nuk e jona. Mund të rrezikojmë të dalim jashtë e të mbetemi në rrugë. Familja është shtëpia ime, dashuria, mbështetja…

Në mes të gjithë këtij lëmshi të rëndë që vërtitet rreth shpirtrave të këtyre fëmijëve, gjen dhe pak dritë dhe një shpresë që kjo familje nuk do të lihet e vetme.

Vajza e madhe: Ëndrra ime më e madhe është të çoj amanetin e babit deri në fund. Shumë herë jam detyruar të lë shkollën… por ëndrra ime e vetme është të vijoj shkollën për infermieri. Duke parë dhe gjendjen e babit pas asaj që ndodhi duke parë mundin e atyre infermiereve… edhe unë dua të jem një prej tyre, të ndihmoj njerëz.

Ka një thirrje që buron prej nevojës për të ndihmuar këtë familje. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” i ka bërë apel shqiptarisë, kudo që ndodhet, që të ndihmojnë këtë familje dhe të ripërtërijnë me sado munden shpresën e 4 fëmijëve të pafajshëm.

Vajza e madhe: Dëshira ime është të kemi një shtëpi që të mund të jetojmë të qetë, të flemë të qetë. Ju lutem të gjithë shqiptarëve që të na ndihmojnë, të vënë dorën në zemër dhe të na e realizojnë këtë mrekulli.

Me publikimin e këtij rasti, Elvis Naçi deklaroi se në shtëpizën ku jetojnë fëmijët ka një kabinë elektrike e cila në një rast të dytë mund të rezultojë fatale për të vegjlit.

Naçi: Ne do të shikojmë dhe aspektin shëndetësor. Kulmi ka qenë se ajo nuk është as shtëpia e tyre. Ajo banesë ndodhet madje dhe pranë kabinës elektrike dhe nëse aty ndodh diçka, le të mos e flasim… Të kesh një shtëpi që nuk është e jotja, kjo është kulmi. I drejtohem vëllezërve dhe motrave shqiptare dhe të mundohemi të bëjmë një mrekulli për këto fëmijë.

26