5-vjetori i grushtit të shtetit në Ukrainë. Cilat janë “arritjet e majdanit”?

ALEKSANDËR KARPUSHIN, Ambasador i Rusisë në Tiranë

Në shkurt 2014, në Kiev, përfundoi manifestimi i gjatë, i njohur më shumë si “majdan”, i cili çoi në… rrëzimin e dhunshëm të udhëheqjes legjitime ukrainase. Ngjarjet e asaj kohe, pavarësisht karakterit të tyre kriminal, Kievi zyrtar edhe sot e kësaj dite i paraqet si triumf i demokracisë dhe vullnetit popullor. Tani që kanë kaluar pesë vite, kemi mundësi të shohim në mënyrë të qetë dhe objektive se cilat janë “arritjet e majdanit” dhe si është gjendja aktuale e Ukrainës.

Ukraina, pas grushtit të shtetit në 2014, të mbështetur hapur nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore, po zhytet gjithnjë e më thellë në humnerën e kaosit politik, korrupsionit, paligjshmërisë dhe nacionalizmit agresiv.

Gjatë pesë viteve të fundit, vendi u përfshi nga një valë dhune dhe krimesh që kryhen për motive politike dhe ideologjike. Në shumicën e rasteve, këto krime nuk marrin vlerësimin e duhur ligjor. Pavarësisht raportimeve të shumta të dëshmitarëve okularë dhe pjesëmarrësve në ngjarjet e zhvilluara në “majdan” në shkurt 2014, ende nuk është kryer një hetim objektiv i së ashtuquajturës “çështje e snajperëve”. Në maj 2014, e gjithë bota e qytetëruar u trondit nga masakra e përgjakshme e organizuar në qytetin e Odesës nga nacionalistët ukrainas me prirje fashiste, si rezultat i së cilës dhjetëra njerëz krejtësisht të pafajshëm u dogjën të gjallë. Ky krim vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërkohë që porositësit e vrasjeve brutale të ish-deputetit të “Partisë së Rajoneve”, Oleg Kallashnikov, shkrimtarit Oles Buzina, gazetarit Pavel Sheremet etj. janë ende të lirë.

Në kundërshtim me deklaratat e tyre për përkushtimin ndaj idealeve të demokracisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, udhëheqja ukrainase, në fakt, ka nisur gjuetinë kundër atyre që kanë pikëpamje të ndryshme nga ato zyrtare. Po ndiqen penalisht ata që nuk pajtohen me politikën e regjimit aktual. Një nga viktimat e luftës kundër mendimit ndryshe është kryeredaktori i agjencisë “RIA Novosti-Ukraina”, Kirill Vishinski, i cili, nën akuzat e rreme për “tradhti ndaj shtetit”, është hedhur pas hekurave. Shumë media dhe gazetarë të pavarur në Ukrainë po u nënshtrohen persekutimeve dhe trysnisë. Sipas të dhënave të Unionit të Gazetarëve të Ukrainës, në vitin 2018 janë regjistruar 235 raste të shkeljes së lirisë së fjalës, janë kryer 86 sulme ndaj përfaqësuesve të medias. Gjatë pesë viteve të fundit, 18 gazetarë janë vrarë në Ukrainë, 6 prej tyre ishin shtetas të Rusisë.

Në mokrën e makinës represive filluan të binin edhe shtetas rusë që mbahen me forcë në Ukrainë dhe të cilët Kievi duhej t’i lironte në kuadër të shkëmbimit në bazë të parimit “të gjithë me të gjithë” në përputhje me Marrëveshjet e Minskut. Në veçanti, në dhjetor 2018, në rrethana shumë misterioze në një burg afër qytetit të Lvov-it humbi jetën shtetasi rus V.Ivanov, i cili që në vitin 2017 ishte përfshirë në listat e shkëmbimit, por në momentin e fundit pala ukrainase nuk pranoi t’ua dorëzonte përfaqësuesve të Donjeckut.

Vazhdon të funksionojë uebsajti skandaloz ukrainas “Mirotvorec” (“Paqebërësi”), i cili ka mbledhur të dhënat personale të më shumë se 120 mijë njerëzve që nuk janë dakord me politikën e Kievit.

Sulmet ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile janë bërë të rregullta. Sipas “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”, në vitin 2018 janë regjistruar mbi 50 krime kundër aktivistëve civilë. Nën kërcënimin e ndjekjes penale dhe eliminimit fizik, shumë politikanë të opozitës, biznesmenë, gazetarë, shkencëtarë politikë dhe figura publike janë larguar nga vendi.

Kievi vazhdon të imponojë qëllimisht përçarjen e shoqërisë mbi baza etnike dhe ideologjike. Shovinizmi dhe ksenofobia agresive janë ngritur në rangun e një politike zyrtare. Bashkëpunëtorët e nazistëve dhe terroristët Stepan Bandera, Roman Shuheviç, Jevgeni Konovalec, Andrej Melnik etj., po glorifikohen në nivel shtetëror. Në të gjithë vendin po zhvillohen marshimet e grupeve profashiste “S 14”, “Korpusi Kombëtar”, “Çekani i Bardhë”, etj., të nxitura nga autoritetet e Kievit. Në Ukrainën perëndimore funksionojnë hapur kampe verore, ku fëmijët edukohen me një frymë raciste dhe instruktohen të asgjësojnë “armiqtë e shtetit ukrainas”.

Sipas raportit vjetor të Ministrisë për çështjet e Diasporës të Izraelit, Ukraina është bërë një lider i padiskutueshëm në shfaqjet e antisemitizmit dhe intolerancës ndaj njerëzve me origjinë hebraike. Në këtë kontekst, është shumë domethënëse që, krahas Shteteve të Bashkuara, Ukraina mbetet pothuajse i vetmi vend në botë, i cili sistematikisht voton kundër rezolutës A/RES/73/157, “Lufta ndaj glorifikimit të nazizmit, neonazizmit dhe praktikave të tjera, të cilat i shërbejnë shkallëzimit të formave bashkëkohore të racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me to”, që miratohet çdo vit me iniciativën e Rusisë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

E paprecedent është edhe situata me cenimin e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare në Ukrainë. Sipas ligjit të ri “Për arsimin”, pakicave, faktikisht, iu është hequr mundësia për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare.

Vazhdon me ritme maksimale ukrainizimi total i të gjitha sferave të jetës në vendin, ku shumica e popullsisë përdor gjuhën ruse në jetën e përditshme ose e konsideron atë gjuhë amtare. Po bëhet gati për miratim nga parlamenti ligji “Për sigurimin e përdorimit të gjuhës ukrainase si gjuhë shtetërore”, sipas së cilit gjuha ruse do të ndalohet të përdoret. Tashmë, sot, në disa zona të Ukrainës perëndimore, nëse flet rusisht në vende publike, mund të ndëshkohesh. Ne e konsiderojmë këtë si një diskriminim flagrant mbi baza gjuhësore. Megjithatë, edhe këtë herë, Europa injoroi krejtësisht këtë shkelje kaq skandaloze të të drejtave të njeriut.

Partnerët europianë janë po aq indiferentë edhe ndaj shkeljeve të Kievit për sa i përket lirisë fetare, zgjedhjes së lirë të konfesionit dhe misterit të besimit. Pavarësisht nga Kushtetuta, autoritetet ukrainase kanë ndërhyrë në mënyrë të pacipë në jetën kishtare të vendit. Me krijimin e së ashtuquajturës “Kishë Ortodokse e Ukrainës”, ato kanë thelluar akoma më shumë përçarjen ekzistuese në ortodoksinë lokale, ndërsa vetë ukrainasit i kanë ndarë në “tanët” dhe “të tyret”. Një “dritë jeshile” i është dhënë rishpërndarjes së dhunshme të pronës kishtare dhe likuidimit të Kishës Ortodokse kanonike të Ukrainës. Klerikët e saj kërcënohen hapur me dhunë fizike. Kështu, deputeti i Parlamentit, këshilltari i Presidentit të Ukrainës dhe një nacionalist i zjarrtë, Dmitri Jarosh, duke nxitur publikisht “gjuetinë ndaj priftërinjve të Moskës”, deklaron në mënyrë blasfemike se ata do të “shfarosen me dashuri”, pasi që “ukrainasit janë të mëshirshëm” për nga natyra e tyre. Deklarata të tilla provokuese mund të sjellin pasoja tepër të rënda, deri në shpërthimin e një lufte të përgjakshme fetare.

E gjithë kjo po ndodh në sfondin e konfliktit të armatosur në Donbas. Kievi, në çdo kohë, është gati ta ndezë atë me një forcë të re, pavarësisht çdo viktime, në mënyrë që të rimarrë rajonin nën kontrollin e tij. Sipas të dhënave të OKB-së, që nga fillimi i luftimeve në prill 2014, numri i të vrarëve ka tejkaluar 12 mijë vetë, qindra njerëz janë të zhdukur dhe qindra mijëra të tjerë janë kthyer në refugjatë. Në të njëjtën kohë, autoritetet ukrainase vazhdojnë bllokadën ekonomiko-tregtare, energjetike dhe atë të transportit në rajonin juglindor, duke përkeqësuar situatën tashmë të vështirë humanitare.

“Nihilizmi ligjor” dhe paligjshmëria që mbizotërojnë në Ukrainë nuk marrin reagimin e duhur nga partnerët perëndimorë, gjë që i frymëzon autoritetet e Kievit për të ndërmarrë hapa të rinj antidemokratikë dhe të shkelin normat morale dhe sjelljen e civilizuar. Pa pasur ndrojtje nga ndokush, Kievi vazhdon të angazhohet në praktikën vicioze të segregacionit të qytetarëve të vet, duke hequr dorë nga ata që ishin të detyruar të iknin në Rusi për të punuar. Nga tekat e autoriteteve, miliona ukrainas që jetojnë në vendin tonë u privuan papritmas nga e drejta kushtetuese për të votuar në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës në misionet e saj diplomatike në Federatën Ruse.

Po në këtë mënyrë të paturpshme, autoritetet ukrainase interpretojnë edhe detyrimet e tyre ndërkombëtare në OSBE, duke ndaluar vëzhguesit rusë në misionin monitorues të ODIHR-it për të marrë pjesë në vëzhgimin e proceseve elektorale në Ukrainë.

Nga ana e saj, Rusia konfirmon gatishmërinë për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për organizimin e një votimi të sigurt dhe transparent të ukrainasve që ndodhen në vendin tonë, në përputhje me standardet e gjithëpranuara demokratike dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Ne ftojmë strukturat e OSBE-së për të marrë pjesë në monitorimin e procesit të votimit për zgjedhjet e Presidentit të Ukrainës në qendrat e votimit, nëse këto të fundit do të hapen nga pala ukrainase në territorin e Rusisë.

Edhe një herë, ne i bëjmë thirrje OKBsë, OSBE-së dhe Këshillit të Europës që të japin një vlerësim parimor për gjithçka që po ndodh në Ukrainë, për t’i bërë thirrje udhëheqjes së saj që të kthehet në kuadrin ligjor dhe të zbatojë rreptësisht detyrimet e saj ndërkombëtare. Pasojat e refuzimit të këtyre normave nga Kievi mund të jenë të pakthyeshme si për Ukrainën, ashtu edhe për Europën./ panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne