500 mijë qytetarë hanë një herë në ditë!

Afër gjysmë milionë qytetarë në Maqedoni hanë bukë vetëm një herë në ditë, ndërsa çdo i pesti qytetarë me shumë vështirësi e siguron ushqimin. Për t’iu dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë, Lëvizja qytetare “Hajde Maqedoni” ka ngritur iniciativë për krijimin e një sistemi të ri për dhurimin e ushqimit të tepërt. Bllazhe Josifovski, nga kjo lëvizje tha se çdo ndihmë e vogël mund të parandalojë urinë, në vend se mijëra ton ushqim i sigurt të përfundojë në deponi dhe mbeturina. “Sistemi është mjaft kompleks dhe përbëhet nga më shumë komponentë. E para është zhvillimi i rrjetit transportues dhe distribuues, zhvillimi i zgjidhjes teknologjike në formë të ueb platformës, ndërsa më tutje jemi duke përgatitur edhe kampanjë për ngritjen e vetëdijes. Pritet edhe sjellja e ligjit për dhurimin e ushqimit të tepërt, dhe sigurisht ndërtimi i kapaciteteve të organizatave qytetare që të mund të ballafaqohen me këtë sfidë”, tha Bllazhe Josifovski, Hajde Maqedoni. Ambasadorja zvicerane, Sibil Suter Tejada tha se Maqedonia ballafaqohet me shumë sfida, por sfida më e vështirë për të është, çdo i pesti qytetarë nuk mund t’i sigurojë vetes ushqim, prandaj ajo vlerëson punën e lëvizjes “Hajde Maqedoni” për ngritjen e vetëdijes në këtë sferë, shkruan Tv21.tv. “Shpërdorimi i ushqimit konsiderohet si humbje e vërtetë dhe si problem ekologjik. Për këtë shkak e vlerësojmë punën që ‘Hajde Maqedoni’ e ka bërë gjatë viteve të fundit duke e nxjerrë këtë temë kudo në shtet dhe duke e rritur vetëdijen e njerëzve”, u shpreh Sibil Suter Tejada, ambasadore e Zvicrës në Maqedoni. Ambasadori amerikan, Xhes Bejlli theksoi se problemi i mungesës së ushqimit nuk është vetëm problem i Maqedonisë. Ai tha çdo i teti amerikan nuk është i sigurt se a ka për të ngrënë çdo ditë, prandaj edhe për Maqedoninë nuk do të jetë e lehtë të menaxhohet situata e tillë. “Me vite kanë kaluar deri sa kemi krijuar legjislacionin e duhur për të luftuar urinë dhe për të reduktuar shpërdorimin e ushqimit, dhe sigurisht ende ka shumë punë që duhet bërë. Ne jemi të ngazëllyer nga potenciali që ky sistem duke implementuar më shumë transparencë, sjell përgjegjësi dhe gjurmueshmëri në donimin e ushqimit të tepërt” , tha Xhes Bejli, ambasadori i Amerikës. Drejtori i Institutit Kombëtar Demokratik, Kris Henshou tha se krijimi i një ligji të ri për tepricën e ushqimit për herë të pari i bëri në një vend nëpunësit shtetërorë nga ministri të ndryshme, nga kuvendi dhe qeveria me qëllim që ky ligj të bëhet realitet për të mirën e të gjithëve. Josifovski shtoi se qëllimi i ligjit të ri do të jetë heqja e tatimit për donatorët e ushqimit dhe procedurat më të thjeshtësuara. Ndryshe, ushqimi përmes 14 organizatave qytetare do të sigurohet për së paku 1000 qytetarë me nga dy vakte në ditë. Ndërkaq, vetëm në periudhën përgatitore është siguruar më shumë se 1 ton ushqim për 3300 qytetarë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne