6000 shqiptarë janë dëbuar nga Greqia dhe ‘fshesa’ po vazhdon

Nga fillimi i vitit deri në fund të korrikut të 2017 policia greke i ka kthyer autoriteteve shqiptarë 5.958 shqiptarë, nga 9.438 që ishte numri i përgjithshëm i të kthyerve për në vendet e tjera. Numri më i madh i shqiptarëve të kthyer nga policia greke ka qenë në muajin prill dhe qershor me mbi 1.000 shqiptarë, ndërsa numri më i vogël i të kthyerve ka qenë në muajin shkurt me 500 shqiptarë, shkruan dritare.net. Për kthimin e tyre janë përdorur rreth 120 autobusë të policisë greke, që do të thotë se fshesa kundra emigrantëve të paligjshëm që nga 1991 e deri më sot po vazhdon normalisht, njëlloj si në vendet e tjera të BE.

Dëbimet sipas muajve: Janar 717; Shkurt 503; Mars 867; Prill 1005; Maj 791; Qershor 1019; Korrik 875. Për vitin 2016 policia greke dëboi 10.386 shqiptar, nga 17.663 që ishte numri i përgjithshëm i të dëbuarve nga ky vend.

Në shtetet e BE-së kërkesa për azil të shqiptarëve janë kthyer në një problem më vete. Mbi 40 mijë kthime ka pasur gjatë vitit të kaluar, ku shqiptarët kanë thyer rregullat e qëndrimit, duke kërkuar azil. Në Francë mendohet se numri i personave që kërkojnë azil është mbi 15 mijë. Kjo ka bërë që Franca të reagojë ashpër, duke i kërkuar shtetit shqiptar që të marrë masa në parandalimin e këtij fenomeni. Numri i lartë i kërkesave për Azil në Francë, Gjermani e në shtete të tjera të BE po rrezikon rikthimin e vizave me shtetet e BE-së.

Raporti i Eurostat
Shqiptarët shënojnë numrin më të lartë të shtetasve që u është refuzuar kërkesa për azil në vende ku ata kanë aplikuar për të përfituar azil. Statistikat e publikuara nga EUROSTAT për vitin 2015 dhe 2015 e rendisin Shqipërinë në vendin e parë, për të dyja vitet sa i përket aplikuesve që u është refuzuar kërkesa për azil. Numri më i madh i azilantëve shqiptarë është në Francë. Ky shtet i ka cilësuar si kampionë, sa i përket kërkesave për azil. Situata u bë alarmante dhe e papërballueshme nga qeveritë e vendeve të BE. Për këtë arsye gjatë vitit 2016 u ndoq një politikë e prerë kthimesh të shtetasve që kërkonin azil.

Rekordin e kthimeve e ka vendosur Shqipëria. Gjatë vitit 2016 shqiptarët shënuan numrin më të lartë të kthimeve me 42.642 shtetas, duke mbajtur pothuajse të njëjtat pozita si në vitin 2015. Gjatë vitit 2015 Shqipëria ka qenë kampionia e kthimeve me 34.780 shtetas shqiptarë të kthyer nga territoret e shteteve të Bashkimit Europian. Shqipëria ndiqet nga Ukraina, me 22. 635 kthime, nga Iraku me 17.065 kthime, Kosova me 13.040 kthime dhe Serbia me 12. 245.

Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti janë 7,150 shqiptarë të cilëve u është refuzuar në mënyrë kategorike kërkesa për azil, çka do të thotë se ata kthehen në atdhe. Ndërkaq, disa shqiptarë kanë arritur të fitojnë statusin e azilantit. Përgjigje pozitive kanë marrë vetëm 390 gjatë muajve janar, shkurt dhe mars.

Nga numri i të pranuarve, statusin mbrojtës kanë marrë 235 shtetas. Sipas shifrave të Eurostat gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë kthyer 7,150 azilkërkues në shtetet e Bashkimit Europian, ndërsa ata që kanë fituar azil, e kanë marrë të drejtën bazuat në disa argumente që gjenden tek Konventa e Gjenevës, disa për shkak të statusit humanitar dhe një grupim i tretë për shkak se kanë kërkuar mbrojtje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne