/Gresa Hasa/

“There’s so many different worlds
So many different suns
And we have just one world
But we live in different ones”

Tingujt rrok të bandës britanike të fundviteve ’70 i përngjanin kolonës zanore të një filmi bardhë e zi, teksa prisja grupin e shokëve në njërën nga lagjet më të mëdha dhe industriale të Tiranës, ose më saktë në atë se ç’ka mbetur tashmë prej një lagjeje të tillë. Përveç një qeni të përhimët që nxitonte të gjente strehë për t’u mbrojtur nga shiu dhe një grumbulli burrash që pinin të pashqetësuar kafenë e pasdrekës në lokal, s’të zinte syri kërkënd tjetër, veçanërisht gra. Më ngacmoi kjo gjë. Shokët e mi po vonoheshin dhe me ç’duket do të vazhdoja ende të prisja. Sa here që bie shi, Tirana kaplohet nga një kaos mbytës; rrugët bllokohen dhe ritmi i vrullshëm i kryeqytetit sikur ndalon papritur. Duke qenë se koha ishte në avantazhin tim, i vura vetes qëllim të numëroja se sa gra ndodheshin në lokalet rreth e përqark sheshit Garibaldi në Kombinat. Me hap të shkujdesur, por të vendosur, kapërceva në anën tjetër të trotuarit ku lokalet, byrektoret e qendrat e varfra të “fast food”-it radhiten pa ndonjë pretendim. Asnjë vajzë. Asnjë grua. As në lokale, as në dyqane. Ku të ishin gratë? Nëse dikush do të zbarkonte në Kombinat për herë të parë në ato çaste, me të drejtë do të mendonte se kjo është periferia e burrave, e burrave që dredhin zinxhirin përpara qendrave të fatit, e burrave që përshëndesin sho-shoqin duke përfshirë në thirrjen e hareshme organin fallik të cilit i falet një shoqëri e tërë, e djemve që kalojnë cigaren e hashashit dorë më dorë dhe ëndërrojnë për para dhe famë, të korruptuar nga imazhi hollivudian i bosëve të drogës; e pleqve që shfryjnë me sytë drejtuar qiellit sepse pensioni që marrin s’iu del për të pastruar hundët, lëre më për ilaçe, nevoja apo detyrime të tjera. Pra, një “tokë e xanun” e çdo individi që natyra e ka pajisur me një penis mes këmbëve, por jo (edhe) e vajzave dhe grave. Si është e mundur që të mos ketë asnjë vajzë dhe grua?

Dire Straits-at kishin pushuar së luajturi dhe telefoni im u drodh nga një mesazh që më njoftonte se grupi im po i afrohej stacionit. Madje mund ta shquaja autobusin e portokajtë e të ngadaltë prej së largu. Edhe njëherë kalova nga njëri trotuar në tjetrin dhe meqenëse ende s’kam mësuar si të mos mërzitem shpejt, nisa të mat hapësirën ndërmjet stolave të shkatërruar duke kërcyer mbi këto të fundit kur nga porta kryesore e godinës qendrore të sheshit u shfaqën gratë. Ishte një lum vajzash dhe grash që sapo kishin përfunduar punën në fasoneritë rreth e përqark zonës. Me hap të shpejtë e kokën ulur, u shpërndanë në drejtim të paditur po aq shpejt sa e thyen atmosferën e nderë dhe burrërore të sheshit. Vura re se si disa syresh mbanin për dore të vegjlit e tyre të cilët me siguri s’kanë pasur ku t’i lënë pas shkolle, ndaj janë detyruar t’u bëjnë vend në mjediset e ftohta dhe pa jetë të kampeve (aspak) moderne të punës. Përpos kësaj, një detaj që vështirë se mund t’i shpëtonte syrit të shumëkujt, ishin rrobat e errëta. Të gjitha pa përjashtim qenë mbërthyer me xhupa, pallto ose xhaketa në ngjyrë të zezë. Por rrobat e zeza s’janë uniformë e tyre, paçka se duket kësisoj. Kjo ngjyrë është ndoshta përzgjedhja e pandërgjegjshme më e afërt me përditshmërinë e varfër dhe pa kurrfarë perspektive të këtij vendi. Politikanët tanë që shkelin një herë në katër vjet në këto rrugë ku s’është vënë dorë prej nuk e di se sa kohësh e ku rrezikon të thyesh qafën në ndonjë gropë, vallë ç’mendojnë për këtë gjendje krejt distopike? Asgjë. Asgjë veç thellimit të mëtejshëm të skamjes dhe vullnetit për të mos i ndryshuar raportet e pushtetit sepse nuk mund të mbahet një pushtet i tillë pa një masë të madhe njerëzish të shtypur, të paedukuar dhe të nënshtruar.

Sa vajza dhe gra në të gjithë hapësirën e shtetit tonë ndodhen në të njëjtat kushte ku punojnë me orë të zgjatura për t’u paguar tmerrësisht pak, aq sa shuma që marrin s’iu del për të blerë linesin mujor e jo më të ushqyer e rritur fëmijët! Pa llogaritur faktin që një pjesë e tyre janë të privuara nga bankat e universitetit për shkak të mundësisë ekonomike dhe, midis burgut të martesës dhe lirisë së paqenë të një grushti lekësh në dorë çdo fundmuaji, detyrohen të copëtojnë duart, sytë dhe nervat kërrusur mbi makineritë e rënda, madje vazhdimisht gjatë ditës të dëgjojnë britmat dhe ofezat e pronarëve mbi kokë.

Në Shqipërinë e vitit 2018 gruaja është e ndarë midis dhunës sistematike në punë dhe dhunës sistematike në shtëpi. E gjithë kjo gjendje i përngjan një rrethi vicioz aq sa kur flet me këto gra, me një buzëqeshje nervoze gati sikur kërkojnë të shfajësohen duke u shprehur: “Ç’të bëjmë? Burri kërkon hyzmet dhe duhen çuar lekë në shtëpi se përndryshe merr fund!”

Por në fakt ekziston një rrugëdalje, një mundësi tjetër në të cilën realiteti na përket të gjithëve në mënyrë të barabartë e të drejtë, prandaj ne, vajzat dhe djemtë universitarë të shoqërisë sonë kemi bashkuar mendjet dhe vullnetin për t’iu kundërvënë këtij realiteti dashakeq ku 1% kriminal i shoqërisë mban nën thundrën e tij pjesën tjetër të vendit duke ricikluar pabarazinë, injorancën, dhunën dhe shtypjen. Ditën e nesërme, më 8 mars 2018, në orën 16.00 do të rikthehemi në sheshin Garibaldi në Kombinat për t’u bashkuar me të gjitha gratë “e padukshme” të kësaj shoqërie, për të artikuluar probleme që na prekin bashkërisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Dhuna gjinore, dhuna ekonomike dhe pabarazitë sociale janë problemi urgjent i të gjithëve ne. Ndaj i bëj thirrje kujtdo që po lexon këto rreshta të bashkohet me aktivistët nesër sikurse të gjitha ditët e tjera të vitit.

E ardhmja është e të gjithëve!

23