800 ditë luftë: Nis fushata 10-ditore “Stop Luftës Në Jemen”

“Kanë kaluar 800 ditë luftë në Jemen. Kanë kaluar 800 ditë agresion nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite kundër popullit në Jemen. Kanë kaluar 800 ditë masakër pas masakre që rezulton në një gjenocid në Jemen. Kanë kaluar 800 ditë rrethim i porteve detare dhe aeroporteve kundër çdo lloj ndihme, qoftë mjekësore apo ushqimore, që duhet të hyjë dhe të ndihmojë popullin e Jemenit. Kanë kaluar 800 ditë panik në mesin e fëmijëve, (800 ditë) nënash që humbasin fëmijët e tyre, baballarësh që humbasin gjithë familjen e tyre, dhe familjesh që humbin gjyshërit apo vetë prindërit. Kanë kaluar 800 ditë luftë, dhe heshtja e botës është thjeshtë shurdhuese,” thotë analistja dhe aktivistja Marwa Osman në videon e saj startuese të fushatës. Ajo bën thirrje për të gjithë të solidarizuarit përrteth globit që të bashkohen me fushatën.

“Ne kemi vendosur ta thyejmë atë heshtje. Ne, aktivistët e (kundra) luftës përrteth globit, kemi vendosur të nisim fushatën e hashtagut #StopTheWarInJemen. Ju mund të na bashkoheni, qoftë jashtë në qytetet tuaja apo në media sociale. Na ndihmoni të shpërndajmë fjalën tonë dhe të ndalim luftën në Jemen.”

Fushata zgjat 10 ditë, por sipas Osman, “ne nuk do të ndalojmë me kaq. Ne do të qëndrojmë me Jemenin. Larg duart nga Jemeni!”

Fushata #StopTheWarInJemen ka nisur sot më 5 qershor dhe do të vazhdojë deri më 15 qershor.

Jemeni është shkatërruar nga një konflikt i përgjakshëm që nga viti 2014, mes qeverisë së vendit të kryesuar nga Abd Rabbuh Mansur Hadi, dhe lëvizjes Houthi të mbështetur nga njësitë besnike të ushtrisë së ish-presidentit Ali Abdullah Saleh. Arabia Saudite ka qenë e angazhuar në një fushatë vdekjeprurëse kundër Jemenit që nga marsi i vitit 2015, në një përpjekje për të sjellë përsëri ish-qeverinë e Jemenit në pushtet dhe për të minuar lëvizjen Houthi Ansarullah. Vendi i varfër arab është përballur me mungesën e ushqimit dhe shpërthimin e sëmundjeve mes sulmeve ajrore të tmerrshme dhe bllokadës së Arabisë Saudite. Më shumë se 10,000 njerëz vlerësohet të jenë vrarë që nga fillimi i ndërhyrjes së Arabisë Saudite në Jemen, sipas OKB-së. / Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne