863 mijë euro në makinën e Sotës, prokuroria sekuestron regjistrat e Kurum

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi regjistrat e shit-blerjes së kompanisë së çelikut “Kurum”, në Elbasan, në kuadër të hetimeve për gjurmimin e origjinës së 863 mijë eurove të gjetura në makinën e Orest Sotës disa ditë më parë.

Synimi është të kontrollohet e gjithë praktika e shitjeve të kësaj kompanie, për të mësuar nëse i arrestuar Oresti Sota dhe babai i tij Lefter Sota kanë blerë hekur në këtë kompani dhe nëse kanë detyrime financiare ndaj kësaj kompanie ose jo. Kujtojmë se Orest Sota deklaroi se shuma e parave në makinë kishte për qëllim blerjen e disa mijërave ton hekur në kompaninë “Kurum”.

Pavarësisht se babai i Sotës ka pretenduar se sasia e eurove i përket atij, ai ende nuk është paraqitur në prokurori dhe të verë në dispozicion dosjen me pretendimet e tij, shkruan shqiptarja.com.

Në dobi të këtij hetimi dhe për të hedhur dritë mbi origjinën e parave dhe misterit se si kanë përfunduar në makinën e Orest Sotës tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij, prokuroria pritet të pyesë ish-ministrin e Brendshëm Tahiri dhe shoferin e tij Gentian Cekën. Sipas Orest Sotës, patentat e ish-ministrit dhe bashkëshortes së tij ishin në makinën që po udhëtonte pasi shoferi i Tahirit i kishte harruar aty, pasi ata kishin miqësi.

Shqiptarja.com shkruan se prokuroria do të verifikojë edhe pozicionin e Gentian Cekës më 1 dhe 2 nëntor, kur u arrestua Sota, nëse ka qenë në detyrë pranë Gardës së Republikës apo jo.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne