92 të vdekur nga rrëshqitja e tokës në Kolumbi

Një seri rrëshqitjesh toke u kanë marrë jetën të paktën 92 personave në jug-perëndim të Kolumbisë, ndërsa kanë lënë shumë të tjerë të plagosur.

Shirat e dendura që kanë zgjatur për orë të tëra kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbysin me baltë shtëpitë në provincën e Putumajos. Ndërkohë, një numër ende i pacaktuar personash të tjerë konsiderohen të humbur. Një oficer i ushtrisë ka deklaruar se spitali kryesor i provincës po përpiqet me të gjitha mënyrat për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Presidenti Juan Manuel Santos, që është nisur drejt vendit të ngjarjes, ka deklaruar se ka angazhuar ushtrinë për shkak se bëhet fjalë për një situatë emergjence kombëtare. Ndërsa guvernatori i rajonit, Sorrel Aroca tha për mediat kolumbiane se të gjitha lagjet e banuara janë rrafshuar nga masivi i baltës që ka vërshuar. Ndërsa Jose Antonio Sanchez, kryetar i bashkisë së kryeqytetit provincial Mocoa, tha se qyteti është izoluar tërësisht, pasi ka mbetur pa energji dhe ujë të pijshëm. Në postimin e tij në Twitter, presidenti Santos bëri me dije se do të menaxhojë personalisht situatën dhe shteti kolumbian është në zi për viktimat./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne