A është Katari fushëbeteja e rradhës?

Gjatë dy viteve të fundit, Katari ka kryer mbi 86 miliardë dollarë transaksione në juanë (yuan) dhe ka nënshkruar disa marrëveshje ekonomike me Kinën.

A është goditja e udhëhequr nga Sauditët në Katar një manovër e Uashingtonit për t’i dhënë fund përpjekjeve të Emiratit për të shitur naftë dhe gaz në juanin kinez, nëpërmjet Iranit, duke minuar hegjemoninë e dollarit amerikan që ka qenë standard ndërkombëtar që nga Presidenca e Nixonit?

Armiqësia e Amerikës ndaj Irakut dhe Libisë është rrënjosur në përpjekjet e tyre për të shitur naftë në valuta të ndryshme nga dollari amerikan, dhe kjo çoi në ndryshimin e regjimit në të dyja vendet, së bashku me vdekjet brutale të Saddam Husseinit dhe Muamar Gadafit.

Vëzhguesit kanë thënë se arsyeja “e vërtetë” për luftën në Irak ishte vendimi i Saddam Husseinit, i shpallur në tetor 2000, për të çmuar naftën e Irakut në monedhën e re të Bashkimit Evropian, në vend të dollarit amerikan, “monedhës së armikut”. Është e njohur se nëse çmimi i naftës nuk shprehet në dollarë, Uashingtoni nuk mund të udhëheqë balancën e madhe të defiçitit të pagesave, pasi vendet e tjera i mbajnë llogaritë dhe rezervat në dollarë vetëm për të paguar për naftën.

Sipas një raporti të The Guardian të vitit 2003, Iraku pati fitime të mira në shitjen e naftës në euro, derisa pushtimi amerikan (mars 2003) detyroi që shitjet e naftës të ktheheshin në dollarë. Para kësaj, që nga viti 2001, nën programin naftë-për-ushqim të OKB-së, pothuajse të gjitha eksportet e naftës irakiene u paguan në euro dhe rreth 26 miliardë euro u paguan për 3.3 miliardë fuçi naftë në një llogari ruajtjeje në Nju York. Kjo fitoi një normë më të lartë interesi në euro se sa do të kishte fituar në dollarë.

Wikileaks ka zbuluar se e-mailet e Hillary Clinton-it tregojnë se presidenti i SHBA-së dhe francezi Nikolas Sarkozi ishin të etur për të sulmuar Gaddafin e Libisë për të zhdukur planin e tij për të bashkuar Afrikën nën një monedhë të vetme ari që do të përdoretj për të blerë dhe shitur naftë në tregjet globale.

Franca çoi përpara rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një zonë jo-fluturimi mbi Libinë, gjoja për të mbrojtur civilët. Por një email nga Hillary Clinton, i titulluar “klienti i Francës dhe ari i Gadafit”, ekspozon Nikolas Sarkozinë teksa synon gjakun e Gedafit për të marrë naftën libiane (kompania franceze Total), për të siguruar ndikimin rajonal të Francës, për të rritur reputacionin e brendshëm të Sarkozisë (për ri-zgjedhjet që i humbi), për të pohuar fuqinë ushtarake franceze dhe për të frenuar pushtetin e Gadafit mbi “Afrikën frankofone” (Afrikën koloniale franceze).

Emaili merret gjerësisht me kërcënimin e madh që rezervat e arit dhe të argjendit të Gadafit, të vlerësuara në “143 tonë ar dhe një sasi të ngjashme në argjend”, përbënin për frangat franceze që ishte një monedhë kryesore afrikane.

Arsyeja “konfidenciale” pas luftës ishte se “ky ar u grumbullua para rebelimit aktual dhe kishte për qëllim të përdorej për të krijuar një monedhë pan-afrikane bazuar në dinarin e artë libian. Ky plan u krijua për t’i siguruar vendeve afrikano-frankofone një alternativë ndaj frangave franceze (AQF).”

E-maili i nisur më 2 prill 2011 për Hillary Clinton (I PAKLASIFIKUAR, Departamentit amerikan të Shtetit Nr. F-2014-20439 Doc Nr. C05779612 Date: 12/31/2015) raporton një zyrtar të lartë në Këshillin Kombëtar Libian që deklaron se brenda Këshillit janë zhvilluar fraksione, pjesërisht për shkak të kultivimit francez të klientëve në mesin e rebelëve.

Gjenerali Abdelfateh Younis thuhet se është figura drejtuese më e afërt me francezët dhe i ka thënë grupit të tij në QKL se francezët kanë premtuar të ofrojnë trajnerë dhe armë ushtarake.

Ka pak padurim mbi ritmin e dorëzimit dhe burrat e kuptojnë se Franca ka interesa të qarta ekonomike në rrezik. Emisari i rastit Sarkozi, intelektuali Bernard Henri-Levy, nuk respektohet nga veprimi pro-Francë i QKL-së.

E-maili thekson se Kadafi ka burime të mëdha financiare. Më 2 prill 2011, burime që kishin lidhje me këshilltarët e Saif al-Islam Kadafit zbuluan se ndërsa ngrirja e llogarive bankare të jashtme të Libisë prekte Muamar Gadafin, aftësia e tij për të pajisur dhe ruajtur forcat e tij të armatosura dhe shërbimet e inteligjencës ishte e paprekur. Këto burime thanë se qeveria e Gadafit mban 143 tonë ar dhe një sasi të ngjashme me argjend.

Në fund të marsit 2011, këto rezerva u zhvendosën në SABHA (në jugperëndim në drejtim të kufirit libian me Nigerinë dhe Çadin), nga kubeja e Bankës Qëndrore Libiane në Tripoli.

Ky ar kishte për qëllim të përdorej për të krijuar një monedhë pan-afrikane bazuar në dinarin e artë libian, dhe t’u ofronte vendeve frankofone afrikane një alternativë ndaj frangës franceze.

E parë në këtë kontekst, Katari mund të jetë vendi i ardhshëm që do të përballet me një përpjekje të stilit sirian apo jemenas për ndryshimin e regjimit. Është e rëndësishme që më 5 qershor, menjëherë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Arabinë Saudite, Rijadi udhëhoqi anëtarët e tjerë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në një përpjekje për të shmangur Katarin përmes një liste prej 13 kërkesash që Doha duhet t’i përmbahet, ose në të kundërt të përballet me një veprim të paspecifikuar. Shumica e kryeqyteteve perëndimore pajtohen se kërkesat janë të vështira për t’u pranuar.

Shkurtimisht, këto përfshijnë mbylljen e Al-Jazeeras dhe stacioneve të saj të shoqërimit, si dhe degët e tjera të lajmeve të financuara nga Katari si Middle East Eye; frenimin e lidhjeve diplomatike me Iranin dhe përjashtimin e anëtarëve të Gardës Revolucionare të Iranit (të cilët nuk janë të pranishëm në Katar); dhënien fund të bazës ushtarake turke në Katar; miratimin e shpërblimeve mujore për një vit pas pranimit të kërkesave, dhe bashkimin me vendet e tjera të Gjirit ushtarakisht, politikisht, socialisht dhe ekonomikisht. Që tani, Katari i ka hedhur poshtë kërkesat si të paarsyeshme.

Princi i kurorëzuar saudit, Mohammad bin Salman, që është promovuar kohët e fundit, është menduar të jetë strumbullari kryesor pas përpjekjes për të izoluar Katarin. Qëllimi është të kufizojë lidhjet e Katarit me Iranin, rivalin kryesor të Rijadit. Por kjo nuk është praktike për Katarin, sepse pasuria e tij lidhet shumë me fushat e gazit natyror në jug të Parsit, i cili ndan me Iranin. Kjo marrëdhënie është arsyeja pse Irani, ashtu si Turqia, i dërgoi menjëherë furnizime ushqimore Dohës pasi sauditët bllokuan rrugën e vetme për në Emirat.

Është e rëndësishme që Katari, si Turqia dhe Arabia Saudite, fillimisht donte të ndërtonte një tubacion të gazit natyror në Evropë, nëpërmjet Sirisë, kundër dëshirave të Presidentit Assad. Kjo gjë bëri që qeveria siriane Alavite/Shia të nxiste Iranin dhe Irakun me shumicë Shia për të ndërtuar një tubacion në lindje, duke përjashtuar Katarin, Turqinë dhe Arabinë Saudite me shumicë sunite, që mbështetën luftëtarët anti-Assad. Katari që nga ajo kohë është pajtuar me kolapsin e afërt të frontit anti-Assad.

Është e dukshme që Irani gjithashtu i kryen në juan marrëveshjet e tij të biznesit lidhur me naftën me Kinën. Menjëherë pas marrëveshjes bërthamore me Uashingtonin në vitin 2015, Teherani u përpoq të përmirësonte ekonominë e tij duke rritur prodhimin në pjesën e tij të rezervave të gazit Iran-Katar, dhe nënshkroi një marrëveshje me Total të Francës në nëntor 2016.

Katari u detyrua të bashkohej dhe të hiqte një ndalim të vetëvendosur për zhvillimin e fushës së gazit në prill 2017.

Marrëveshja Iran-Katar ka potencialin për të prishur hegjemoninë amerikane mbi tregjet financiare botërore. Kjo shpjegon masën e Presidentit Trump për ta bërë Rijadin vizitën e tij të parë të huaj. Trumpi ka si qëllim të sigurojë ndryshimin e regjimit në Teheran. Se si ka ndërmend të përballet me Katarin, që strehon bazën ushtarake më të madhe amerikane në rajon, me rreth 11,000 trupa, është më pak e qartë. Zhvendosja e bazës potencialisht mund të destabilizojë vendet e tjera pritëse. Tani për tani, ai mund t’ja linte problemin Rijadit. Por siç tregojnë ngjarjet në Siri dhe Jemen, është më e lehtë të përfshihesh në një shpërthim në Lindjen e Mesme sesa të dalësh nga ai.

Sandhya Jain

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne