“A jeni dakord t’ju hetohen familjarët”, Kryemadhi: Ata janë hetuar, Vetting-u jo nga ndërkombëtarët

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka folur për propozimin e fundit të opozitës për një Vetting në politikë, dhe kundërpropozimin e kryeministrit Edi Rama, për një filtër pasuror për politikanët dhe familjet e tyre.

Në një prononcim për Vizion+, Kryemadhi ka thënë se familjarët e politikanëve janë hetuar dhe nuk është problem që të hetohen sërish, pasi sipas saj, nuk është me rëndësi hetimi i tyre, por i politikanëve.

Patjetër që do të përfshihen familjarët. Pse ju z. Sandri mendoni që ne nuk na janë hetuar familjarët? Na janë hetuar edhe fëmijët e vëllezërve. Të gjithë familjarët tanë që kemi rreth e qark, edhe të gjithë komshinjtë, madje edhe ata që janë matanë rrugës së lagjeve tona. Përveç kësaj, jo vetëm që janë hetuar familjarë, por janë hetuar edhe ata që na kanë vdekur, duke i hetuar se ç’kanë bërë para 10 apo 20 viteve. Ajo që sipas meje është më e rëndësishme është që dhe vetë media dhe gazetarët duhet të fokusohen në dëshirën e qeverisë për ta bërë apo jo Vettingun. Sepse unë mendoj që gjëja më e rëndësishme e jona është që njerëzit të kuptojnë që, ai që bërtet më shumë: ‘Kapeni ujkun. Kapeni Ujkun!”, është çakalli që e shqeu tufën e deleve. Në këtë rast ne flasim për Edi Ramën. Ne flasim për rrobat e gjyqtarëve, për çantat apo për këpucët e gjyqtarëve apo prokurorëve, por nuk flet njeri për charterat e Edi Ramës, që fluturon çdo javë dhe kush ja paguan charterat Me çfarë parash paguhen dhe ku shkon ky njeri. Ne flasim për taksat e shqiptarëve, flasim për biznesin, shikojmë se si shqiptarët vendosën në radhë për dekodera dhe nuk pyet njeri se sa i kushton kollarja Edi Ramës. Dhe asnjeri nuk e ka hetuar Edi Ramën, as për pasurinë e tij, as për lëvizjet dhe as për familjarët e tij. Vetëm Edi Rama ka baltosur kush i ka dalë përpara rrugës dhe mos u çudisni kur të shihni shumë shpejt që do të baltosë edhe vetë socialistët e tij.

E pyetur nëse është dakord që Vetting-un në politikë ta bëjnë ndërkombëtarët, Kryemadhi ka dalë kundër, pasi sipas saj, shteti shqiptar është shtet sovran dhe jo një protektorat i shteteve të mëdha.

Për çfarë jemi? Për protektorat apo vend i pavarur sovran? Sepse na kanë ardhur këta ndërkombëtarët , na janë bërë si me i pas nënë dhe babë, sikur ne të gjithë kemi lindur nëpër shtëpitë e fëmijëve. Ajo çka është më qesharake, ky komunitet ndërkombëtar, i cili ka vënë po themi propozime të tjera, grupet e Vettingut që janë të krijuara me votën e PS, sot i ke ata që nuk po pranojnë. Ne po kalojmë gjyqtarë, të cilët nuk arrijnë të sqarojnë apo të deklarojnë që janë me qindra milionë lekë të padeklaruara, me apartamente etj etj, dhe po heqin gjyqtarë apo prokurorë, të cilët mund të kenë pasur nën hetim po themi familjarë të z. Rama apo njerëz që janë të lidhur me grupin e z. Rama, të cilët po u heqin të drejtën e ushtrimit të profesionit, për shkak sepse nuk kanë deklaruar një fjalë të viteve ’85, të cilën e ka shitur në varrezë për pjesë këmbimi.

Opozita dhe qeveria janë përfshirë prej 1 jave në një debat të hapur lidhur me Vettingun e politikanëve. Propozimi i kryedemokratit Lulzim Basha, përfshin një kontroll të lidhjeve të politikanëve të lartë me krimin, por kryeministri Edi Rama e ka kundërshtuar pasi sipas Ramës, një procss Vettingu në politikë, që nuk përfshin skanerin e plotë të pasurisë së familjarëve të politikanëve, është i panevojshëm. Ditën e sotme, PD depozitoi në Kuvend amendamentin, që u kundërshtua hapur nga PS. Balla, Felaj e Spiropali kanë thënë se propozimi i PD dhe opozitës nuk qëndron pasi në të nuk përfshihet filtri i kontrollit për pasurinë.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne