A MUND TË SHTYHET PROCESI PËR VIZAT?

Shtyrja e afateve për liberalizimin e vizave për kosovarët nga ana e BE-së, ka ngjallur dyshime se ky proces i shumëpritur mund të shtyhet edhe për një kohë të gjatë.

Derisa liderët institucionalë mbetën optimistë, analistët shprehen skeptikë se ky proces mund të kalojë edhe vitin 2019.

Tash e sa vjet qytetarët e Kosovës presin që të jenë të barabartë me ata të shteteve të tjera sa i përket lëvizjes së lirë.

Ata që qeverisin vendin në vazhdimësi shprehën optimist se ky proces i stërzgjatur do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër dhe se do të rezultojë me lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Deklarimi i fundit erdhi nga shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj i cili ditë më parë tha në fund të vitit do të marrim një lajm të mirë për vizat.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, thotë për Televizionin Publik se është bërë lojë me çështjen e liberalizimit të vizave, edhe nga pozita edhe nga opozita.

“Këta që kanë premtuar se do të ketë liberalizim të vizave, e kanë bërë shkaku që është dashtë me vazhdua pushtetin, këta të cilët i kanë kundërshtuar politikanët në pushtet, e kam fjalën për opozitën që kanë thënë se nuk do të ketë viza e kanë bërë me qëllim që ta rrëzojnë pozitën dhe të bëhen vet pozitë. Ka qenë një lojë jo e mirë, një lojë të themi e ndyrë, e cila në fund të fundit po u kushton qytetarëve të Kosovës”, tha Shala.

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) ka dalë me një hulumtim ku sqaron hapat e mbetur deri në përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Data kritike është 6 dhe 7 dhjetor, sepse Këshilli i Bashkimit Evropian në konfiguracionin e ministrave të brendshëm të cilët e kanë për mandat plotësim ndryshimin e rregullores në fjalë bëhet me 6 dhe 7 dhjetor, nuk ka datë tjetër deri në fundvit, pra është kritike që ne të synojmë të jemi në agjendë me 6 dhe 7 dhjetor. Natyrisht që mund të votohet plotësim ndryshimi i rregullores edhe në këshilla të tjerë, por gjasat janë të vogla që do të ndodh. Prandaj ne kemi avoku që të bëhet lobimi që Kosova të futet në agjendë me 6 dhe 7 dhjetor. Ne konsiderojmë qe jemi në ditët kritike të fundit, për të siguruar që vendimmarrja të përfundojë brenda këtij viti. Me kalimin e çdo dite jemi duke hyrë në një stad ku dyshimet po rriten se do të ndodh kjo deri në fund të vitit”, tha Demush Shasha .

Sipas analistit politik, Behlul Beqaj, dhënia e afateve kohore nga politikanët kosovarë është edhe një tjetër dëshmi se sa janë jo serioz.

“Unë nuk i gëzohem liberalizimit të vizave, pavarësisht se është një e drejtë e pakontestueshme dhe e nevojshme për të gjithë, nuk i gëzohem nga fakti se të vetmit që munden eventualisht për ta ndryshuar gjendjen e keqe në Kosovë është armata e të rinjve në Kosovë, të cilët pas liberalizmit do të braktisin Kosovën”, tha Beqaj.

Ditë më parë, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova këshilloi politikanët kosovarë që mos të zotohen lidhur me afatet kohore për liberalizimin e vizave, meqë, siç tha ajo, tani ky proces është në duart e shteteve anëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne