A po përgatitet Izraeli për një luftë të re kundër Gazës?

Ministri izraelit tha se në të ardhmen e afërt mund të organizohet një operacion i plotë ushtarak ndaj Rripit të Gazës.

Në një intervistë të bërë dje, ministri i Sigurisë i Izraelit, Gilad Erdan ka thënë se ka gjasa që në javët e ardhshme, ushtria izraelite të nis një operacion masiv dhe të gjerë ushtarak në Rripin e Gazës, për të parandaluar grupet palestineze që të hedhin raketa në jug të vendit. Ministri Erdal ka bërë thirrje se ‘menjëherë duhet të kthehet politika vrasëse ndaj Hamasit dhe udhëheqësve të xhihadit dhe se duhet të vriten të gjithë ata që ndezin balona fluturuese me lënd djegëse’.

Ndërsa, ministresha e drejtësisë e Izraelit, theksoi se nuk ka asnjë dallim në mes të një balone fluturuese dhe një ‘rakete Qassam’.

Kërcënimet e qarta të zyrtarëve izraelitë ndaj Palestinës po rriten nga dita në ditë, ndërsa po vërehen përgatitjet për një operacion të mundshëm ushtarak në Rripin e Gazës. Tanket izraelite që nisen nga rajonet qendrore dhe jugore, po arrijnë drejt Rripit të Gazës së bashku me kamionët që bartin dhjetra bateri të cilat ndezin raketat për sistemin e mbrojtjes ajrore ‘Iron Dome’.

Burimet ushtarake në Tel Aviv raportuan se operacioni në fjalë ka për qëllim ‘që të tregoj seriozitetin e kërcënimeve ndaj liderëve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik dhe të paralajmëroj ata për herë të fundit që të mos përdorin balona fluturuese shpërthyese’.

Burimet e njejta kanë thënë se në mesin e grupeve palestineze ka një pikëpamje të tillë se Izraeli nuk ka për qëllim ndonjë luftë dhe theksuan se Forcat Ajrore izraelite ‘nuk do të tolerojnë më balonat me lëndë djegëse dhe se ata janë të vendosur për të hequr qafe këto balona, edhe nëse çmimi i kësaj do të ishte luftë’.

Pavarësisht se qarqet politike i referohen përpjekjeve dhe thirrjes për paqe të Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe për të parandaluar luftën, udhëheqësit izraelitë po vazhdojnë kërcënimet.

Është bombarduar rajoni ku kishte balona fluturuese

Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit nisi një fushatë globale mediale për Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura për të informuar publikun ndërkombëtar në rast të një lufte të mundshme, ushtria izraelite filloi të marrë masa kundër balonave me lëndë djegëse. Në një deklaratë të bërë dje nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite, u raportua se është bombarduar rajoni ku gjendeshin një grup i të rinjëve të përgatitur për të hedhur këto balona fluturuese.

Analisti i çështjeve ushtarake të gazetës Haaretz, Amos Harel u shpreh kështu: “Politikanët izraelit dhe ata që u takuan me ushtarët, e kuptuan se rruga drejtë një lufte të re në Gaza, është shumë e shkurtër.”

Kështu, edhe zjarri i hapur në kufirin e Gazës në fillim të javës, vuri në dukje se gjendja e sigurisë në rajon ka ndryshuar. Izraeli dhe Hamasi janë në një situatë krejtësisht të ndryshme në fund të periudhës katërvjeçare që nga përfundimi i konfliktit Izrael-Gaza në vitin 2014.

“Hamasi ka ndryshuar politikën e vet”

Analisti i çështjeve ushtarake të gazetës Hayom, Yoav Limor ka thënë se Hamasi ka ndryshuar politikën e vet dhe se edhe Izraeli duhet të bëjë një ndryshim shtesë në qëndrimin e tij.

Hamasi e ndryshoi politikën e vet për dy arsye kryesore. Arsyeja e parë është se Izraeli ndryshon politikën e vet duke parë balonat fluturuese si një mjet terrorist. Izraeli i cili ka pritur një kohë të gjatë për t’u përgjigjur ndaj këtyre balonave, më në fund ka filluar të merr masa për këtë çështje.

Arsyeja e dytë për ndryshimin e politikës së Hamasit janë problemet e brendshme që po zhvillohen në Gaza. Më shumë se 150 palestinezë kanë vdekur në ngjarjet e ‘Marshit të Madh të Kthimit’ të filluar në kufirin e Gazës. Ndërsa ushtria izraelite kreu rreth 100 sulme kundër objektivave të Hamasit, Izraeli nuk pësoi ndonjë humbje apo viktimë. Ndërsa Hamasi vendosi disa ‘vija të kuqe’, duke njoftuar se bombardimeve të Izraelit do t’i përgjigjet me bombardime dhe se do të mbrojë Gazën kundër Izraelit. Fakti se ushtria izraelite po fillon një sulm të ri po tregon tejkalimin e vijës së kuqe të Hamasit.

Burimi : Şarkul Avsat/ ml

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne