nga Alireza Hodaei.

BE vendosi këtë javë sanksione ndaj Iranit duke e akuzuar atë se qëndron pas disa komploteve për vrasje të kundërshtarëve të tij politikë në Evropë. Megjithatë, ai ofroi shumë pak dëshmi për të mbështetur pretendimet e tij dhe sanksionet mund të kërcënojnë marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Pikërisht në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po priste që anëtarët e BE-së të vinin në punë mekanizmin e Kanalit të Pagesave për Iranin për të shmangur sanksionet e SHBA-së, BE vendosi të martën sanksionet e veta ndaj Ministrisë iraniane të inteligjencës.

Sipas dokumentit në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, dy qytetarë iranianë, si dhe ministria iraniane e inteligjencës dhe sigurisë, janë objekt i këtyre sanksioneve “në bazë të ndërhyrjeve të padëshirueshme”.

Dokumenti i ministrisë holandeze i akuzon individët e sanksionuar për organizimin e “dy vrasjeve në Almere në vitin 2015 dhe në Hagë në vitin 2017, për një sulm të parealizuar me bombë në Paris dhe për një atentat me armë në Danimarkë në vitin 2018.”

Një ditë pas sanksioneve të BE-së, më 9 janar 2019, Bahram Qassemi, zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme i dënoi këto sanksione si një vendim “i palogjikshëm dhe i habitshëm” dhe i hodhi poshtë akuzat si “të pabazuara”. Bashkimi Evropian dhe zyrtarët iranianë i vazhduan tensionet në Twitter.

Ministri i Jashtëm danez dhe Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif, gjithashtu i janë përgjigjur këtyre sanksioneve. Zarif i akuzoi fuqitë europiane për strehimin e një grupi terrorist të dhunshëm, Muxhahadin e Khalq (MEK), të cilët kanë vrarë mijëra iranianë.

Zhvillimet e fundit

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, zyrtarët e BE-së kanë theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e marrëveshjes për Evropën dhe sigurinë ndërkombëtare dhe u përpoqën të mbanin një qëndrim të pavarur si Bashkim Evropian.

Zyrtarët iranianë gjithashtu shpresonin se puna me BE-në do të ishte një tregues i perkushtimit të tyre ndaj marrëveshjes bërthamore. Megjithatë, sanksionet e vendosura rishtazi janë një mesazh kuptimplotë.

Pritjet e muajve të fundit që BE të prezantonte mjetin e saj financiar për të ruajtur lidhjet e saj financiare me Iranin me ndërkombëtarët dhe me bizneset mund të ketë qenë thjesht një hiç.

Përkundër këtyre përpjekjeve, zhvillimet e fundit duket se rrezikojnë një besim tashmë të brishtë midis dy palëve. Nëse sanksionet e imponuara ndërpresin nisjen e Kanalit të Pagesave, atëherë nuk mund të presësh që qeveria iraniane të mbetet akoma e angazhuar në marrëveshjen bërthamore.

Zhvillime të tilla mund të konfirmojnë gjithashtu paralajmërimet e Ajatollah Ali Khameneit, Udhëheqësit Suprem të Iranit në maj 2018 kur ai shprehu shqetësimet e tij mbi premtimet e fuqive evropiane dhe u kujtoi zyrtarëve qeveritarë që “të mos i besonin tre fuqive evropiane”.

Për më tepër, sanksionet e reja të BE-së mund të interpretohen gjithashtu si sinjal për Shtetet e Bashkuara dhe administratën Trump. Mesazhi, “të bëhemi përsëri bashkë”, i cili sigurisht që ngre dyshime serioze për mendjemprehtësinë politike të BE-së, mund të interpretohet gjithashtu edhe si dështim i një shanzi historik për pavarësinë e Bashkimit Evropian.

Standarde të dyfishta

Pavarësisht nga rezultati i këtyre sanksioneve dhe ndikimi i tyre në të ardhmen e marrëveshjes bërthamore iraniane, këto sanksione janë një tregues i qartë i standardeve të dyfishta që Bashkimi Evropian ka për çështje të tilla të ndjeshme dhe kontradiktore.

Incidenti i parë që zbulon këto standarde të dyfishta, është polemika e fundit për vrasjen e Jamal Khashoggit. Gjithkush do të kishte pritur që vendim-marrësit e Bashkimit Evropian të vendosnin sanksione të ngjashme ndaj qeverisë së Arabisë Saudite pasi që kishte mjaft prova për përfshirjen e zyrtarëve të lartë qeveritarë në komplotin e vrasjes, te cilat edhe qeveria saudite i ka pranuar.

Në vend të kësaj, BE hezitoi të vendoste sanksione ndaj qeverisë së Arabisë Saudite apo ndonjë shtetasi saudit që u përfshi në vrasjen brenda tokës së një aleati të madh, Turqisë. Shtetet anëtare të BE-së si Gjermania, Finlanda dhe Danimarka e dënuan Arabinë Saudite në mënyrë të njëanshme, por blloku si një i tërë nuk tregoi të njëjtin qëndrim.

Megjithatë, edhe përkundër faktit se zyrtarët danezë nuk kanë dhënë dëshmira të qarta për përfshirjen iraniane në incidentet, BE nuk ngurroi të vendosë sanksione kundër Iranit në këtë kohë kritike.

Një tjetër tregues i standardit të dyfishtë të BE-së është qëndrimi i tyre mikpritës ndaj anëtarëve të një grupi të dhunshëm të armatosur, pavarësisht nga përfshirja e tyre në akte dhune ndaj qeverisë iraniane, zyrtarëve dhe gjithashtu një numri të madh civilësh.

MEK është një grup i listuar më parë në listën e zezë amerikane të terrorizmit. Ai hoq nga lista si organizatë terroriste prej qeverisë amerikane në vitin 2012, pa asnjë ndryshim të bërë nga vetë organizata. Anëtarët e saj janë kryesisht të vendosur në Shqipëri, një anëtare e NATO-s, dhe mbahen aty me ndihmën e qeverisë amerikane.

Zyrtarët e rangjeve të larta të MEK-ut mbajnë takime të lira në territoret evropiane. Megjithatë, aktivitetet e tyre dhe e kaluara e dhunshme, siç edhe përmendet në Twitter nga Javad Zarif, nuk duket si shqetësojnë politikëbërësit evropianë.

Po tani?

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit ishte një mundësi historike për fuqitë europiane që të qëndronin në këmbët e tyre për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore dhe të shfaqnin një pozitë të pavarur në politikën botërore dhe veçanërisht ndaj Iranit.

Megjithatë, sanksionet e diskutueshme të vendosura në bazë të provave të paqarta, ndërkohë që ata vendosin të mbeten pasivë mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, duket se sinjalizojnë përsëri rikthimin “së bashku” të Europës me Shtetet e Bashkuara, ndërsa marrëdhëniet Iran-BE i komplikon akoma më tej.

Megjithëse për zyrtarët iranianë kjo nuk duket e papritur pasi që ata kanë qenë nën sanksione të ndryshme përgjatë 40 viteve të fundit./trt/Gazeta Impakt

32