Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi edhe një tjetër herë se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria. Le të shpresojmë që z. Trump të mos dorëzohet sërish para stablishmentit amerikan. Urojmë që – siç tha edhe ai vetë – trupat amerikane në Siri të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre.

Përse SHBA-ja mori një vendim të tillë? A do të tërhiqet me të vërtetë? Në rast se tërhiqet, vallë do të ketë ndonjë formë tjetër pranie të saj në rajon? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë një debat i hapur. Pa dyshim që disa nga aspektet që duhet të vlerësohen me doemos në këtë çështje janë: Çfarë politikash ekspansioniste do të zhvillojë Izraeli në rast tërheqjeje të SHBA-së? A është Franca, vend që nuk e ka ngopur ende oreksin e saj imperialist, aq e fuqishme sa të zëvendësojë SHBA-në nëse ajo tërhiqet? Cili do të jetë efekti i tërheqjes amerikane nga Siria mbi politikat e Iranit, Rusisë, regjimit sirian, Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera arabe? Megjithatë, në këtë artikull, unë dua t’i mëshoj më tepër stilit gazetaresk të mediave ndërkombëtare për të mbuluar këtë çështje në raport me kurdët.

Në disa organe mediatike perëndimore, tërheqja e trupave amerikane pasqyrohet nën shoqërinë e debateve nëse SHBA-ja është xhandari i botës dhe nëse kurdët sirianë u braktisën në vetmi. Një qëndrimi të ngjashëm me këtë i bën jehonë edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, që deklaroi se aleatët duhet t’u japin besim grupeve me të cilat bashkëpunojnë.

A është SHBA-ja xhandari i botës?

Vallë a duhet të jetë SHBA-ja xhandari i botës? Xhandari ndoshta nuk është një shprehje fort e përshtatshme. Por, në thelb, të gjitha vendet duke përfshirë edhe SHBA-në duhet të mbështesin përpjekjet për drejtësi globale. Shkeljet e të drejtave të njeriut, vrasjet masive ndaj shoqërive të tyre dhe spastrimi etnik nuk mund të konsiderohen si çështje të brendshme të vendeve. Jam plotësisht i vetëdijshëm që këto shprehje apo justifikime shpeshherë janë instrumentalizuar nga aktorët globalë për ndërhyrje ndërkombëtare. Megjithatë kjo nuk duhet të ndryshojë faktin se shkeljet e të drejtave të njeriut deri në spastrim etnik nuk mund të shihen si punë të brendshme të vendeve.

A u tradhtuan kurdët përsëri?

Disa organe mediatike perëndimore ndoshta mund të kenë bindur shoqëritë e tyre se PKK-ja dhe PYD-ja përfaqësojnë kurdët. Por nëse ka një grup të cilin s’do të arrijnë ta bindin dot kurrë, ata janë pa dyshim vetë kurdët. Sepse kurdët dëshmojnë dhe konstatojnë çdo ditë prej dekadash të tëra se ata janë më të prekurit, më të shtypurit dhe më të lënduarit nga organizatat terroriste PKK dhe PYD. Sigurisht, janë martirizuar qindra fëmijë, gra, mësues të rinj e të vjetër, civilë, policë, ushtarë e ushtarakë turq. Mirëpo shumica dërrmuese e mbi 40.000 njerëzve të masakruar nga PKK-ja është kurde. Po, PKK-ja nuk u ofron asnjë alternativë tjetër përveç vdekjes kurdëve, të cilët kundërshtojnë ideologjinë totalitare marksist-leniniste dhe nuk përvetësojnë terrorizmin si një metodë (për të shprehur kërkesat).

Të ndryshme nga këto nuk janë as praktikat e PYD-së, e cila s’është kurrgjë më shumë se një zgjatim dhe fraksion i PKK-së në Siri. Kurdët janë përsëri dëshmitarët më të afërt të spastrimit etnik që ajo ushtron mbi kurdët dhe arabët, të cilët s’kanë të njëjtin mendim me të. Megjithatë, pavarësisht fushatave të keqinformimit e të përbaltjes, Turqia është vendi ku strehohen kurdët e arratisur nga terrori i PKK-së dhe PYD-së. Fatkeqësisht, lajmet për gratë, fëmijët dhe opozitarët kurdë të strehuar në Turqi janë kaq të pakta në mediat perëndimore, saqë është jashtëzakonisht e vështirë t’i gjesh. Edhe pse disa organe transmetuese perëndimore i paraqesin këta autorë të spastrimit etnik si forca guerile, luftëtarë apo heronj të lirisë, populli i shtypur kurd është më se i vetëdijshëm për këtë realitet.

Kush janë 4 milionë refugjatët në Turqi?

Dihet që demokracitë perëndimore janë nën kërcënimin serioz të neonazizmit e neofashizmit dhe se ky kërcënim po shënon një rritje progresive me mbërritjen e disa qindra-mijëra refugjatëve sirianë në shtetet perëndimore. Aktualisht, Turqia ka marrë përgjegjësinë për të qenë gati një zonë tampon për demokracitë perëndimore duke strehuar në territoret e saj 4 milionë refugjatë. Dakord, por teksa disa qendra perëndimore identifikojnë me këmbëngulje PYD-në me kurdët, cilët janë vallë këta 4 milion njerëz? Edhe pse mes tyre ka të krishterë dhe turkmenë, shumica dërrmuese e tyre formohet pa dyshim nga arabët dhe kurdët sirianë. Ndërkohë që kjo e vërtetë lakuriqe duket sheshit, qendrat perëndimore në fjalë konsiderojnë si përfaqësues të kurdëve PYD-në dhe jo të arratisurit nga terrori i PYD-së.

A nuk ka më gjykim të shëndoshë në Perëndim?

Më duket se dëgjoj disa prej jush të thonë: “Zotëri, pavarësisht se cila është e vërteta, popujt perëndimorë janë bindur nga inteligjenca dhe kanalet informative perëndimore se PYD-ja përfaqëson kurdët. Po shkruani kot.” Ju mund të keni pjesërisht të drejtë. Megjithatë ka njerëz në të gjitha vendet, përfshi këtu edhe Perëndimin, të cilët kërkojnë një botë të bazuar në vlera dhe nuk ua dorëzojnë arsyen, gjykimin e shëndoshë të tyre lajmeve interesaxhesha të shërbimeve të inteligjencës. Edhe pse jo në terma afatshkurtër, ato që trajtësojnë botën në planin afatgjatë janë përpjekjet e këtyre njerëzve të matur dhe me gjykim të shëndoshë. Prandaj është e drejtë e tyre që ata të dinë të vërtetën. Ashtu si DAESH-i nuk mund të përfaqësojë arabët dhe Hitleri gjermanët, as PYD-ja nuk mund të përfaqësojë kurdët. Asnjë popull s’mund të identifikohet me një organizatë terroriste. Një identifikim i tillë në radhë të parë është një fyerje e rëndë për atë popull.

Si përfundim, nëse ka një tradhti apo braktisje në mes të rrugës, kjo nuk është ndaj kurdëve. Përse populli kurd, i mbërthyer dhe shtypur në darën e regjimit sirian dhe grupeve terroriste PKK, PYD e DAESH, u dashka të shqetësohet nga tërheqja e SHBA-së? Kurdët do të gjejnë paqe nga çdo zhvillim që do të dobësojë organizatat terroriste në rajon. Prandaj të tradhtuar dhe të braktisur në mes të rrugës nuk janë kurdët, por organizatat terroriste që përdorin të gjitha mjetet e mundshme për t’u imponuar kurdëve ideologjitë e tyre anakronike dhe për të eliminuar të pabindurit./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

36