Autoritetet e Irakut kanë dënuar shkatërrimin mbrëmë me eksploziv të Xhamisë së Madhe, Al-Nur në Mosul, ndërkohë që kryeministri i vendit, Haidar al-Abadi, deklaroi se kjo vepër barbare dëshmon se organizata terroriste DEASH është e mposhtur, raporton Anadolu Agency (AA).
Terroristët e DEASH-it mbrëmë kanë minuar xhaminë duke shkatërruar edhe minaren e saj Hadba, për çka zyrtarë të shumtë reaguan në mënyrë të ashpër duke dënuar sulmin mbi objektin me një vlerë të madhe të trashëgimisë kulturore–historike.
Presidenti i Irakut, Fuad Masoumi, tha se pas çlirimit të qytetit të vjetër që është bastioni i fundit i DEASH-it në Mosul, xhamia dhe minarja do të restaurohen.
“Prishja e xhamisë së Madhe dhe minares Hadba shënon rënien definitive të DEASH-it në Irak”, tha kryeministri Abadi.
Kryetari i Parlamentit të Irakut, Selim el-Juburi, nga ana e tij tha se sulmet mbi këto objekte historike janë akte barbare dhe u bëri thirrje forcave irakiane të intensifikojnë operacionet për çlirimin e pjesës perëndimore të Mosulit.