Abbas në OKB: Zgjidhja me “dy shtete” është sot në rrezik

Fjalimi i Presidentit të Shtetit të Palestinës Mamoud Abbas në Asamblenë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara :

– Zgjidhja me “dy shtete” është sot në rrezik. Ne si palestinezë nuk mund të qëndrojmë përballë këtij kërcënimi që synon ekzistencën tonë kombëtare, politike dhe shoqërore të vendit tonë, si dhe rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Ne do të duhet të ndërmarrim hapa ose të kërkojmë alternativa të tjera për të ruajtur ekzistencën tonë kombëtare dhe për të mbajtur hapur horizonte për paqen dhe sigurinë.
Në një situatë të tillë, është e drejta jonë të kërkojmë alternativa të cilat sigurojnë të drejtat tona dhe të mbrojnë tokën dhe popullin tonë nga një sistemi aparteid. Ne i kemi bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të nisur një hetim dhe për të ndjekur penalisht zyrtarët izraelitë për përfshirjen e tyre në aktivitetet e vendosjes së agresionit kundër popullit tonë dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim anëtarësimin tonë në konventat, protokollet dhe organizatat ndërkombëtare, pasi Palestina ka fituar statusin e shtetit “vëzhgues” në përputhje me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së 67/19 të vitit 2012. Unë do të kërkoj mbledhjen e Këshillit Kombëtar Palestinez në të ardhmen e afërt për të funksionalizuar këtë rishikim strategjik.

-Nëse opsioni i zgjidhjes së konfliktit me “dy shtete” do të shkatërrohej për shkak të krijimit të një realiteti me një shtet me dy sisteme – apartheid – nga imponimi i pakontrolluar i këtij pushtimi që është refuzuar nga populli ynë dhe bota, ky do të ishte një dështim, dhe as ju, as ne, nuk do të kemi ndonjë zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojmë betejën dhe të kërkojmë të drejta të plota e të barabarta për të gjithë shtetasit e Palestinës historike. Ky nuk është një kërcënim, por një paralajmërim për realitetet para nesh si rezultat i politikave izraelite të cilat po dëmtojnë rëndë zgjidhjen e konflikit me “dy shtete”.

-Nga kjo foltore, i drejtohem popullit izraelit, nëpermjet gjithë spektrit të shoqërisë së tij, duke u thënë atyre: “Ne duam të jetojmë në paqe. Mos dëgjoni ata që përpiqen t’ju bindin se paqja mes nesh nuk është e mundur”.
Problemi ynë është me “pushtimin kolonial izraelit” dhe jo me hebraizmin si fe. Hebraizmi për ne palestinezët – të krishterët dhe muslimanët – kurrë nuk do të konsiderohet si një kërcënim. Ajo është një fe monoteiste si Islami dhe Krishterimi. Krijuesi i Madhërishëm thotë në Kur’an: Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshibëresit:”ne nuk bëjmë dallimin mes profetëve”.

-Në fjalën time para kësaj Asambleje, vitin e kaluar, unë i bëra apel qeverisë britanike që të korrigjojë padrejtësinë e rëndë që i ka bërë popullit palestinez nëpermjet ​Deklaratës së Belforit në vitin 1917, duke iu premtuar hebrejve një atdhe në tokat e Palestinë, pavarësisht faktit se Palestina ishte e banuar nga populli palestinez dhe ishte ndër vendet më progresive dhe më të begata dhe nuk duhet të ishte kolonizuar apo vendosur nën mandatin e një fuqie të madhe.
Deri në këto momente, qeveria britanike nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të korrigjuar këtë padrejtësi historike dhe nuk i ka kërkuar falje popullit palestinez, as i ka kompensuar ato, as nuk e ka njohur Shtetin e Palestinës.
Pandëshkueshmëria që vazhdon të ndiqet nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me politikat agresive të Izraelit, tregon qartazi vetëm nxitjen e ndjekjes së këtyre politikave. Më lejoni t’ju kujtoj se Izraeli ka shkelur rezolutat ndërkombëtare që nga themelimi i saj. Ajo ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe vazhdon ta bëjë këtë, si dhe rezolutat 181 (II), 194 (III), 242 (1967), 338 (1973), deri në Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit të vitit 2016.
A mos vallë bashkësia ndërkombëtare është dorëzuar para faktit se Izraeli është një vend mbi ligjin?! Pse i trajton shtetet me standarde të dyfishta?

Për të shpëtuar procesin e paqes dhe zgjidhjen e konfliktit me “dy shtete”, i bëj thirrje kësaj Organizate dhe shteteve anëtarë të saj që të veprojnë si më poshtë:

Së pari: Të ndiqen në mënyrë aktive përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit të shtetit të Palestinës nga ana e Izraelit brenda një afati kohor të caktuar. Nuk është më e mjaftueshme që të lëshohen deklarata të përgjithshme dhe pafund të cilat bëjnë thirrje për t’i dhënë fund pushtimit dhe arritjes së paqes, pa caktuar një afat kohor. Duhet të bëhen përpjekje për të zbatuar Iniciativën Arabe të Paqes, duke përfshirë një zgjidhje të drejtë për çështjen e refugjatëve palestinezë në përputhje me rezolutën 194 (III).
Së dyti: Të ndërhyet sa më parë për të ndaluar të gjitha veprimet që lidhen me ndërtimin vendbanimeve në Territorin e Pushtuar Palestinez, duke përfshirë Jerusalemin Lindor, siç kërkohet në shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë rezolutën më të fundit 2334 (2016), dhe në përputhje me Konventën e 4-të të Gjenevës.
Së treti: Garantimi i mbrojtjes ndërkombëtare për tokën dhe popullin e shtetit të Palestinës, deri në mbarimin e pushtimit, pasi që ne nuk jemi në gjendje të sigurojmë mbrojtjen e popullit, tokës dhe vendeve të shenjta nga ky pushtim i neveritshëm.
Veprimet e këtij pushtimi nuk mund të kalohen në heshtje; sigurimi i mbrojtjes së popullit palestinez është një detyrim moral para se të jetë një çështje politike apo ligjore, dhe kjo duhet të bëhet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit 605 (1987), 672 (1990), 673 (1990) dhe 904 (1994), të cilat janë bazuar në Konventat e Gjenevës duke vendosur theksin në zbatueshmërinë e tyre në territorin e pushtuar palestinez që nga viti 1967.
Së katërti: Të kërkohet nga Izraeli që t’i përmbahet dhe të njohë kufijtë e vitit 1967, kjo si pikënisje për zgjidhjen e konfliktit me “dy shtete” dhe duke vendosur kufijtë në përputhje me rezolutat ndërkombëtare. Sapo të përcaktojmë kufijtë, secila palë mund të veprojë në territorin e saj ashtu siç dëshiron pa ndikuar në të drejtat e palës tjetër.
Së pesti: Më duhet t’ju pyes, cilat janë kufijtë e shtetit të Izraelit që shumë shtete në këtë Asamble e kanë njohur? Unë i bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Izraelin të deklarojnë se njohja e tyre bazohet në kufijtë e vitit 1967, duke u afruar kështu me rezolutat ndërkombëtare dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre ndaj këtyre rezolutave dhe kërkesave të saj për një zgjidhje paqësore .
Së gjashti: I bëj thirrje të gjitha shteteve që t’i japin fund të gjitha formave të përfshirjes së drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për të mbështetur regjimin e paligjshëm kolonial Izraelit në territoret e pushtuara të Shtetit të Palestinës. Kjo të bëhet përputhje me rezolutat e OKB-së dhe me qëndrimet e afirmuara të shteteve në këtë drejtim, si dhe të ngjashme me ato të qasjes së Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut.
Së shtati: I bëj thirrje atyre shteteve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë, në përmbushjen e parimit të barazisë, të cilat mund të rrisin mundësitë e paqes. Unë nuk e kuptoj se si njohja e shtetit të Palestinës dëmton shanset e paqes, aq më tepër pasi ne palestinezët e kemi njohur Izraelin sipas kufijëve të vitit 1967.
Së teti: Ne i drejtohemi Këshillit të Sigurimit që ta miratojë kërkesën tonë për anëtarësimin e plotë të Shtetit të Palestinës në Kombet e Bashkuara. Të gjithë ata që e mbështesin zgjidhjen me “dy shtete” duhet ta njohin shtetin tjetër, shtetin e Palestinës.
Së nënti: Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vazhdojë të ofrojë mbështetje ekonomike dhe financiare për popullin palestinez për të arritur vetëbesim. Ne gjithashtu ju bëjmë thirrje që të vazhdoni të siguroni mbështetje për UNRWA-në (Agjencia e Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët e Palestinës në Lindjen e Afërme) për t’i mundësuar asaj që të vazhdojë ndihmën dhe shërbimet e saj jetike humanitare për refugjatët palestinezë në të gjitha fushat e operimit. Ne paralajmërojmë në këtë drejtim përpjekjet për të ndryshuar mandatin e UNRWA dhe statutet e saj. Ne gjithashtu paralajmërojmë përpjekjeve për eleminimin e pikës 7 në axhendën e Këshillit për të Drejtat e Njeriut ose pengimin e lëshimit të listës së kompanive që operojnë në vendbanimet izraelite në territorin e pushtuar të Shtetit të Palestinës..
Së dhjeti: Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare dhe për të zbatuar Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2030, Marrëveshjen e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike dhe të gjitha traktatet dhe konventat tjera me të cilat ne kemi aderuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne