Abetarja e gjuhës shqipe me alfabet Osman

Nga: Fahri Avdija

Gjuha shqipe nuk kishte një alfabet të njësuar, kështu që me vite të tëra është shkruar me alfabete të ndryshme. Vetë zhvillimet historike, shoqërore e fetare ndikuan që shkrimi shqip të shkruhej me shkronja të veçanta, duke përfshirë përdorimin e alfabetit latin, grek, arab, etj.

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX shënon një rritje të përpjekjeve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Një ndër të parët ishte Teodor Haxhifilipi, alfabeti i të cilit kapërcente 50 shkronja. Pastaj ishte Naum Veqilharxhi, i cili në vitin 1845 shkroi abetaren e parë të gjuhës shqipe. Edhe Hasan Tahsini ndoqi të njejtën rrugë, në vitin 1874 hartoi një alfabet të veçantë, por i ndryshëm nga ai i Veqilharxhit. Pati edhe shume përpjekje, sidomos në fillim të shekullit XX. Një ndër momentet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë ishte Kongresi i Manastirit i mbajtur në nëntor të vitit 1908. Në këtë kongres u paraqiten tri alfabete: “Alfabeti i Stambollit”, “Bashkimi” dhe “Agimi”. Në fillim u pranuan dy alfabete: “Alfabeti i Stambollit” dhe “Alfabeti Latin”. Mirëpo duhët të cekim se në këtë takim mungonin përfaqësuesit nga Kosova dhe nga Veriu, të cilët largimin nga alfabeti arab, – i cili ishte i shenjtë për ta -, e shihnin jo vetëm si diçka që ishte në kundërshtim me bindjet e tyre fetare, por gjithashtu ndërrimi i alfabetit në të njejtën kohë për ta ishte edhe ndarje nga Perandoria, gjë të cilën ata e kundërshtonin me ngulm. U bënë shumë përpjekje nga disa nacionalist shqiptar qe alfabetin osman ta zëvëndësojnë me atë latin, mirëpo perpjekjet e tyre vetëm pjesërisht patën rezultate, pasi që myslimanët nga Kosova dhe nga disa vise tjera shqiptare e kundërshtuan, derisa Hyqymeti (Pushteti Osman) mori vendim që në Kosovë të ndalohet alfabeti latin dhe të përdorej vetëm ai arab. Ky vendim vlente vetëm për Vilajetin e Kosovës, pasi që në vilajetet tjera të banuara me shqiptar filloi të përdorej lirshem alfabeti latin. Pas këtyre zhvillimeve, në Vilajetin e Kosovës u hapën shkolla të reja në të cilat do të vazhdonte të përdorej alfabeti arab.

Një ndër ata që kontribuan në çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe ishte edhe Myftiu i Manastirit Rexhep Xhudi bin Nureddin i cili me origjinë ishte nga Tetova. Duke përdorur alfabetin arabo-osman, hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe, për të cilin deri me sot nuk kemi pasur informacion. Ai, jo vetëm që hartoi alfabetin, por shkroi një libër të tërë. Librin e kam gjatur gjatë hulumtimeve që isha duke bërë në Arkivin “Atatürk Kitaplığı” në Stamboll. Libri titullohet “Edukimi dhe mësimi i Gjuhës Shqipe”. Libri ka gjithsej 22 faqe dhe një madhësi prej 18×12 cm. Në dorë kemi botimin e dytë i cili ka dalur në vitin 1911, kurse sa i përket botimit të parë nuk kemi informacion.

Sa për ilustrim, do të shkëpusim diçka nga ky libër, duke filluar më shkronjat, për të vazhduar deri të paraqitja e disa pjesëve të teksit origjinal. Në fillim të librit, autori jep sqarime rreth katër zanorëve ا, ه, و dhe ی, të cilat për dallim nga gjuha arabo-osmane, në gjuhën shqipe në disa fjali lexohen më ndryshe. Shkronja ا lexohet si ‘a’ e gjatë, ndërsa ه lexohej si ‘e’, respektivisht si ‘a’ e shkurtër. Shkronja و lexohej si ‘u’ kur sipër saj qëndronte një shenjë në formë kapele, ndërsa lexohej si ‘o’ në ato raste kur poshtë saj vendosej shenja e ‘presjes’. Dhe, e katërta është shkronja ی e cila lexohet si ‘i’ e gjatë, ndërsa për shkronjën ‘i’ të shkurtër autori kishte paraparë një shkronjë tjetër.

Pastaj, autori jep sqarime rreth shkronjave të cilat nuk gjenden në alfabetin osman, të cilat gjithsej janë dhjetë shkronja, për të cilat do japim sqarime në vijim.
Më tutje autori jep sqarime gramatikore, flet për disa dallime të gjuhës shqipe nga ajo osmane. Për shembull, në gjuhën shqipe 2-3 bashkëtingëllore mund të vijnë njëra pas tjetres, si: ‘mbrapa’, ‘mbas’, ‘mbanë’, etj., diçka që nuk ka mundësi të ndodhë në gjuhën osmane.

Pjesën e dytë të librit autori e nis me titullin “Elif Baja Shkip(shqip)”. Pas njoftimit me alfabetin arab, i cili përbëhët nga gjithsej 29 shkronja, autori na njofton edhe me alfabetin osman, të cilit përveç 29 shkronjave të alfabetit arab, i janë shtuar edhe 5 shkronja nga alfabeti pers, pasi qe alfabeti arab nuk ishte i mjaftueshem për t’i shprehur të gjithë tingujt e gjuhës turke. Dhe së fundi shohim alfabetin shqip, i cili përbëhej nga 44 shkronja dhe 2 shenja të cilat nuk janë pjesë e alfabetit edhe pse janë të rënditura me shkronjat tjera. Këto dy shenja shërbejnë si zanore ‘a’ dhe ‘e’.

Foto 1. Alfabeti Arab. Në krye të kësaj fotografie duke përdorur alfabetin të cilin e kishte hartuar për gjuhën shqipe, autori shprehet në këtë mënyrë: “shkronjat (harfet) të hexhes arabisht”: “elif, be, te, the, xhe, ha, hi, de, dhe, ra, ze, sin, shin, sad, dad, ta, dha, ajn, gajn, fe, kaf, kef, lam, mim, nun, vav, he, la, je.”

Foto 2. Nën titullin “Për tyrkçe edhe qekëto shkronja jan lip”, autori flet për shkronjat që u morën nga alfabeti persian për ta kompletuar alfabetin osman: ‘p’, ‘ç’, ‘zh’, ‘gef’ dhe ‘nun farisi’.

Foto 3. “Për shkip veq këtine (alfabetit arab dhe atyre shkronjave të alfabetit persian të cilat i cekëm më lart) edhe qekëto shkronja duhen”: ‘ç, rr, nx, ll, nj, i(e gjatë), ë, u(e gjatë), o dhe la(lla).

Foto 4. Alfabeti shqip.

Pas alfabetit, në përgjithësi, autori flet për disa rregulla gramatikore, për shkronjat me pika dhe ato pa pika, pastaj për ta lehtësuar leximin autori sjell shembuj të ndryshëm për sëcilen shkronjë.
Në pjesën e fundit të librit gjendet ‘fjalori’ i cili është i ndarë në disa pjesë. Sa për ilustrim, do sjellim origjinalin dhe transkriptimin e disa shembujve, por pa ndryshuar renditjen dhe artikulimin që ka bërë autori:

Foto 5. Shpez(ë)
“Shipe, lejlek, ‘i palexueshëm’, ‘i palexueshëm’, sorr, pllum, fëllaz, çiçe, ndalldishe, skifter, ‘i palexueshëm’”.

Foto 6.
“vëlla, motër, votër, ‘i palexueshëm’, katër, ketër, letër, do bjeshkë tënalta, do male të shpesha, do fusha të gjana, do ara të rrafsha, do vneshta të mira, do “i palexueshëm’ të bukura”.

Foto 7. “Emnat te mujve”
Emrat e muajve janë dhënë në tri gjuhë; në kolonën e parë nga ana e djathtë janë dhënë muajt në gjuhën “arabisht” siç shprehet autori, në kolonen e mesit muajt në gjuhën “shkip” dhe në kolonën e tretë muajt në gjuhen “rumisht”.

Ne do të sjellim vetëm transkriptimin e muajve të shkruar në gjuhën shqipe. Fillojnë me muajin mars dhe përfundojnë me muajin shkurt.

Mars
Pril
Maj
Kershor
Korik
Gusht
Veshtepar
Veshtedit
Veshtetret
Shënëndëre
Kalnur
Shkurt

Dhe për fund do sjellim një pjesë të shkurtër teksti të titulluar “mëqem” (mënqem, menqur, etj.), me anë të të cilit autori sjell fjalë të reja duke treguar mënyrën se si janë shkruar dhe shqiptuar në gjuhën shqipe.

“Mëqem”

“Ni motmot sa muj asht. Dimëdhet muj asht. Ni muj sa jav asht. Katër jav asht. Ni jav sa dit asht. Shtat dit asht. Ni dit sa saat asht, ni nat e ni dit nizetekatër saat asht. Ni saat sa dakika asht. Gjashtdhet dakika asht. Ni dakik sa thanije(sekonda) asht. Gjashtdhet thanije asht. Ni thanije sa’ asht. Sa toe çel e toe mërrshel (mshel) sut (sytë) ni koh asht.”

_____________

Autori i punimit është PhD cand. pran Universitetit të Stambollit, Departamenti i Historise.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne