Bisedoi: Denisa Canameti

Nëse për shumicën prej nesh, të dëgjuarit “është një vajzë” në lindjen e një fëmije është një burim i një gëzimi të madh, lumturie dhe feste,në shoqëri të caktuara cilësohet si lindja e një gjinie të padëshiruar, nga ku përballë zgjedhjes së një fëmije të padëshiruar apo abortit, vendoset të bëhet një zgjedhje e këtij të dytit. Kjo është vetëm një ndër anët e një forme aborti të ashtuquajtur aborti selektiv apo përzgjedhës.

Dr. Griselda Toci tregon për gazetën ‘Shëndet+’ se, sipas ligjit ekzistues, aborti lejohet përpara javës së dymbëdhjetë të shtatzënisë dhe, sipas të dhënave ekzistuese, shumica e aborteve shkaktohen në rastet kur shtatzënia është e paplanifikuar apo kur ardhja ne jetë e një fëmije shkakton një krizë psikologjike për gruan që ndodhet në kushte social-ekonomike jo të përshtatshme.

Çfarë është aborti selektiv?

Aborti selektiv është një kategori e abortit që tejkalon legjislacionin aktual, duke ngritur një mori pikëpyetjesh etike dhe duke u bërë pjesë e diskutimeve të shumta brenda shoqërisë, si asaj perëndimore dhe asaj të vendit tonë.

Abortin selektiv mund ta përkufizojmë si praktikën e ndërprerjes së shtatzënisë pas javës së dymbëdhjetë, për shkak se fetusi perceptohet se mbart karakteristika të padëshirueshme, apo kur ekziston më shumë se një fetus gjatë një shtatzënie.

Cilat janë rastet kur aborti i kryer cilësohet si selektiv?

Abortet selektive përfshijnë rastet kur:

  • Fëmija i palindur i përket gjinisë femërore dhe prindërit, për arsye nga më të ndryshmet, duan një fëmijë të seksit mashkull.
  • Fetusi ka një probabilitet të lartë të jetë bartës i anomalive morfologjike dhe gjenetike.
  • Fetusi nuk është i përshtatshëm për prindërit për arsye nga më të ndryshmet.
  • Rastet kur synohet lindja e një fëmijë me karakteristika gjenetike të veçanta dhe ky fetus nuk i ka ato karakteristika.
  • Një lloj tjetër aborti selektiv ndodh kur shtatzënia përfshin disa fetuse (shtatzëni multiple) dhe, nëse një ose disa nga fetuset nuk ndërpriten, të gjitha fetuset do të rrezikohen – prandaj disa nga të palindurit duhet të hiqen për të mirën e të tjerëve.

A është pjesë e abortit selektiv rasti kur ndërprerja e një shtatzënie vjen si pasojë e rrezikimit të jetës së nënës?

Rastet kur gruaja shtatzënë ka probleme mjekësore në të cilat lejimi i vazhdimësisë së    shtatzënisë rrezikon mirëqenien dhe jetën e nënës bëjnë pjesë tek një kategori abortesh që njihen si abortet terapeutike dhe nuk janë pjesë e aborteve selektive, pasi në këtë rast aborti nuk është zgjedhje por kushtëzohet dhe bazohet në një raport mjekësor. Kjo formë aborti shpesh ndodh të bëhet pjesë e abuzimeve për të mbuluar abortet selektive.

Çfarë është aborti selektiv gjinor, prejardhja dhe frekuenca e hasjes në ditët e sotme?

Aborti selektiv gjinor ndryshe njihet si abort me përzgjedhje të gjinisë, dhe është praktika e ndërprerjes së shtatzënisë me fetus femër pas javës së dymbëdhjetë të shtatzënisë, si pasojë e preferencës për fetus mashkull. Kohët e fundit, në shumë shoqëri, të paturit e një fëmije mashkull vlerësohet si një përcaktues i rëndësishëm në jetën e një familje. Për rrjedhojë, gratë vihen përballë një presioni të vazhdueshëm për të sjellë në jetë një fëmijë të seksit mashkull dhe abortimit nëse është i seksit femër.

Preferenca për fëmijët meshkuj është pjesë e pabarazisë së përgjithshme të grave në disa kultura. Kjo është kryesisht për arsye ekonomike dhe për shkak të arsyeve si:

  • Vazhdimësia e familjes varet nga djemtë;
    • Vajzat nuk mund të mbajnë pronë në disa shoqëri, kështu që një fëmijë mashkull është thelbësor për një familje që të ruajë pasurinë e saj;
    • Vajzat janë anëtare kalimtare të një familjeje – ato martohen dhe ikin nga shtëpia;
    • Edhe kur vajzat mbesin në familje ata përgjithësisht fitojnë më pak se djemtë.
    • Familja mund të duhet të prodhojë një prikë (pajë) kur një vajzë martohet, në kontrast me djemtë që marrin një prikë kur martohen, duke shtuar pasurinë familjare.
    • Statusi i gruas në familje (dhe kështu siguria e saj ekonomike) nuk konsolidohet derisa të sjellë në jetë një djalë.
    • Trendi i familjeve të vogla do të thotë që prindërit nuk duan të kenë disa fëmijë vajza para se të kenë një djalë.

Përzgjedhja e gjinisë para lindjes është një fenomen që vihet re në disa kontinente, veçanërisht në vende të tilla si India, Kina dhe Koreja e Jugut. Në vitet 2000, kjo dukuri ka qenë një shqetësim i veçantë në Indi, ku aborti selektiv gjinor ishte pjesërisht përgjegjës për një raport të ulët dhe në rënie të popullsisë midis grave dhe burrave. Në vitin 2002, në Delhi, një në shtatë fetuse femra thuhet se është abortuar.
Në vendet aziatike, veçanërisht në Kinë, lindin 118 djem për 100 vajza. Gjithashtu dhe në disa vende të Evropës Lindore për disa vite është vërejtur maskilizmi i raportit të lindjeve të femrave përkundrejt meshkujve.

Duhet thënë se koncepti “raporti gjinor në lindje” (RSL) në popullsitë pa preferenca gjinore i referohet afër 104 deri në 106 lindje meshkujsh për çdo 100 lindje femrash dhe, mesatarisht, raporti më i zakonshëm i lindjeve sot në botë është 105 djem për 100 vajza. Por përzgjedhja e gjinisë para lindjes mund ta ndryshojë këtë raport.

Në disa vende të Evropës Lindore, raporti gjinor në lindje është i lartë, veçanërisht në Kaukazin Jugor (Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia), ku ka tejkaluar 115 djem për 100 vajza, dhe në një masë më të vogël në Ballkanin Perëndimor, rreth Shqipërisë, ku është rreth 110 (përkundrejt 105 normalisht).

Ku qëndrojnë problematikat etike dhe humane të abortit selektiv gjinor?

Diskriminimi në bazë të seksit është një praktikë e diskriminimit gjinor e përhapur dhe e praktikuar sot në botë. Kjo formë diskriminimi tejkalon çdo linjë kulturore, etnike dhe kombëtare. Diskriminimi para lindjes mund të praktikohet gjithashtu edhe në preimplantim, duke shkatërruar embrione bazuar në një përcaktim seksual para implantimit, pasi për shumë njerëz ky stad i hershëm nuk është problematik dhe nuk e shohin embrionin të shoqëruar me një status moral në këtë stad të hershëm të zhvillimit. Pa dyshim praktika të tilla përbëjnë diskriminim kundër një individi unik njerëzor bazuar vetëm në seks, prandaj dhe përbën një diskriminim gjinor.

Aborti me zgjedhje seksuale në një kulturë me preferenca për djemtë, e shoqëruar me ndikime politike dhe ekonomike, anon rëndë raportet gjinore në lindje (SRBs). Rastet e diskriminimit gjinor të kryera nëpërmjet abortit janë të dokumentuara mirë dhe kanë rezultuar në miliona vajza të “humbura”nga popullata globale.

Ajo që vërejmë është se të gjitha argumentet kundër abortit selektiv na tregojnë një tjetër dimension me të cilën ballafaqohen vajzat anembanë botës, dhe e bëjnë abortin selektiv një luftë të vërtetë ndaj femrave, një luftë që tenton t’i eliminojë që në gjenezë.

A është më pak debatues aborti selektiv kur fetusi ka probabilitet për anomali morfologjike apo gjenetike?

Me përparimin e teknologjisë, tashmë mjekët bëjnë të mundur detektimin e anomalive gjenetike fetale, dhe nëse një defekt i rëndë gjenetik evidentohet, mund të bëhet ndërprerja e shtatzënisë. Por kjo formë aborti është pjesë e kritikave të shumta në raport me qëndrimin tonë përballë njerëzve me paaftësi fizike, çrregullime të zhvillimit apo me karakteristika gjenetike të caktuara.

Çështja e gjenetikës dhe abortit selektiv është një çështje e vënë në qendër të vëmendjes nga anëtarët e lëvizjeve mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Që nga vënia në përdorim e formave të diagnozës prenatale, të tilla si amniocenteza dhe ultratingujt, është bërë e mundur të zbulohet prania e çrregullimeve të lindura të fetusit para lindjes. Aborti i fetuseve që zbulohen se kanë defekte mendore ose fizike jo-fatale të zbuluara përmes testimit prenatal njihet si aborti selektiv i aftësisë së kufizuar.  Shumë teste prenatale tani konsiderohen rutinë dhe kanë një shtrirje të gjerë përdorimi, një prej tyre është testimi për Sindromën Down. Kongresi Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon që të ofrohen teste të ndryshme të diagnostikimit të Sindromës Down për të gjitha gratë shtatzëna, pavarësisht nga mosha. Megjithatë, vetëm 2% – 3% e grave bien dakord të përfundojnë testimin gjenetik, amniocentezën, testet e tanishme për anomalitë kromozomale dhe në SHBA besohet se rreth 50% e fetuseve të diagnostikuara me Sindromën Down janë abortuar.

Gratë që zbulojnë se bartin fetuse me aftësi të kufizuara, shpesh ballafaqohen me vendimin për të ndërprerë shtatzëninë ose për t’u përgatitur për të lindur një fëmijë me aftësi të kufizuara.

Në shumë vende aborti është i disponueshëm sipas kërkesës deri në një pikë të caktuar të shtatzënisë, duke mos marrë parasysh pse nëna dëshiron abortin, por në një numër të vogël vendesh ndalohen të gjitha abortet, përfshirë dhe ato shtatzëni që rrezikojnë jetën e nënës ku përmendim qytetin e Vatikanit, El Savador, Kili dhe Maltë. Disa vende lejojnë abortin nëse nëna është në rrezik, por nuk lejojnë abortin nëse fëmija ka një defekt gjenetik, ku përmendim Iranin, Irlandën, Meksikën dhe Republikën Domenikane.

Mbështetja për abortet selektive të aftësisë së kufizuar rrjedh nga argumentet që ata të cilët kanë lindur me aftësi të kufizuara, kanë një cilësi të jetës të reduktuar dhe ndërprerja e shtatzënisë është në të vërtetë për hir të fëmijës së ardhshëm. Ndërsa, argumentet kundër aborteve selektive të fetuseve me probabilitet për aftësi të kufizuar citojnë të drejtën për jetë të të gjitha fetuseve dhe se aborti i fetusit me aftësi të kufizuara është një formë diskriminimi që dërgon mesazhin se një jetë me aftësi të kufizuara nuk ia vlen të jetohet apo ndryshe t’u thuash njerëzve që kanë një handikap se nuk duhet të kishin lindur kurrë.

Çfarë ndikimi ka teknologjia e përparuar mjekësore në rritjen e frekuencës së rasteve të abortit selektiv?

Teknologji të përparuara mjekësore të përdorura tradicionalisht për të diagnostikuar sëmundjet – si diagnostikimi gjenetik i preimplantimit (i quajtur gjithashtu Screening gjenetik ) dhe testimi prenatal joinvaziv – po fitojnë popullaritet si mjete që përdoren në zgjedhjen e seksit të pasardhësve.

Metoda të tilla zakonisht përdoren për “balancimin e familjes” nga çiftet që kanë një fëmijë, ose fëmijë të një seksi, dhe dëshirojnë një fëmijë të seksit tjetër, prandaj përdorin teknologjinë për të mësuar gjininë e fëmijës, për të marrë më pas vendimin për mbajtjen ose jo të fetusit. Aktualisht, nuk ka një ligj që ndalon përdorimin e teknologjisë në zbulimin e seksit të fetusit dhe metoda të tilla mund të bëhen pjesë e diskriminimit të secilës prej gjinive.

Përveç aborteve selektive, një situatë tjetër shqetësuese është dhe selektimi prenatal i embrioneve sipas gjinisë. Kështu, në rastin e  fekondimit in vitro, testet gjenetike mund të përdoren për të zbuluar gjininë e embrioneve për t’u implantuar dhe zgjedhjen për implantim të një gjinie të caktuar.  Kjo metodë tani justifikohet me qëllim përdorimin e tyre për  parandalimin e sëmundjeve të trashëguara të lidhura me seksin, por që mund të bëhet pjesë e abuzimit duke i lënë prindërit të zgjedhin seksin e fëmijës. Ky fenomen nuk është shumë i përhapur, sepse është një teknikë e shtrenjtë që arrin në disa mijëra euro dhe aktualisht ka një ndikim të vogël tek lindjet në nivel global. Për shkak të kostos, këto teste janë aktualisht të pazakonshme në Evropë, por lehtë mund të përfytyrojmë pasojat që do të kishin nëse do të ishin një ditë në treg dhe do të bëheshin më të volitshme për popullatën.

Siç shihet, përdorimi dhe shfrytëzimi i teknologjisë në aspektin e abortit selektiv dhe selektimit të embrioneve do të jetë një diskutim i  gjerë i bioetikës që do të lindë në vitet e ardhshme dhe do të na vendosë përballë dilemës nëse duhet të vendosen kufizime mbi praktikat e diskriminimit gjinor prenatal dhe mbi abortin selektiv pavarësisht nëse ndikon në prekjen e një ose një milion jetëve.

Çfarë bilanci ka aktualisht mbi abortin selektiv apo përzgjedhës në Shqipëri?

Në Shqipëri aborti selektiv gjinor është një praktikë e përhapur, por duhet thënë se nuk ekzistojnë statistika të sakta. Sipas Këshillit të Evropës, në Shqipëri për 100 femra lindin 112 meshkuj: një shifër mjaft disproporcionale krahasuar me raportin e rritjes natyrore demografike. Sipas të dhënave të Zyrës së Censusit të Shteteve të Bashkuara , për periudhën 2000-2014, në Shqipëri janë kryer 15621 aborte me përzgjedhje gjinore, me një mesatare vjetore prej 1041 aborte për vit, me mesatare ditore 2.9 aborte në ditë  dhe me një raport gjinor M/F  112/100. Në shoqërinë shqiptare, sidomos në zona ku ekziston një mentalitet tradicional patriarkal, vajzat mendohet se lindin për të shkuar në shtëpinë e burrit dhe konsiderohen pjesë e jashtme e familjes dhe që nuk sigurojnë vijueshmërinë e familjes. Tendenca më e madhe për aborte selektive gjinore është e grave që vijnë nga Veriu i Shqipërisë, si zona me mentalitet patriarkal, ku historia tregon se femra ka qenë e nënshtruar dhe ndoshta vijon të mbetet. Megjithatë nuk përjashtohen gra me prejardhje nga të gjitha zonat, të cilat, për arsye të ndryshme, kryejnë njërën ose tjetrën formë të abortit selektiv.

Ndoshta sepse aksesi ndaj teknologjisë është më i lartë, vihet re që numri më i madh i aborteve realizohen në qytet, saktësisht kryeqyteti, si një metropol me migrim masiv të popullsisë nga zonat rurale, mbart numrin më të madh të aborteve të kryera në vendin tonë./ Shendeti.com.al

43