I zënë ngushtë në shtëpi në një luftë “bëje ose vdis” (ose “gjueti shtrigash”) kundër fraksioneve të fuqishme të Shtetit të Thellë, Presidenti Tramp, në ndalimin e parë të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit, zbret me madhështi dhe ceremoni në teokracinë përfundimtare totalitare.

Trampi do të argëtohet bujarisht nga një monarki parazitare që për disa dekada eksporton matricën ideologjike të të gjitha formave të terrorizmit Selefi-xhihadist; Një regjim që mohon të drejtat e popullsisë së tij dhe i mëson të urrejnë të huajt, jomuslimanët, gratë, artin dhe një të kaluar të pasur kulturore (si në aktin e bombardimit të vendeve historike të paçmueshme në Jemen).

I njëjti regjim ende mohon, si një shtet, ndonjë implikim në financimin e grupeve më ekstreme të terrorit – pa i parandaluar shtetasit e devotshëm që të influencojnë për ta bërë këtë në baza individuale; ndërhyn në kulturën fetare të vendeve muslimane sunite në të gjithë botën dhe sterilizon çdo debat të mundshëm rreth Islamit; nxit një luftë etnike-konfesionale midis sunive dhe shiitëve që e mbyt të gjithë Lindjen e Mesme në gjak dhe zjarr, me objektivin e vetëm të rrënimit të rivalit gjeopolitik, Iranit, duke kërkuar ndërkohë mbrojtjen amerikane.

Po flas për një teokraci të ndyrë pa asnjë cilësi shpenguese. Dhe ky është vetëm versioni i shkurtër.

Rijadi bujar i Trampit është duke u faturuar si pjesë e përpjekjes së këtij të fundit për të mbështetur rilindjen e prodhimit amerikan. Kjo përkthehet në fakt si një tjetër burim fitimi për kompleksin industrial, ushtarak, të sigurisë dhe të mbikëqyrjes, në formën e një serie mega-marrëveshjesh që përfshijnë blerjen nga teokracia totalitare të mbi 100 miliard dollarë – dhe ndoshta më shumë se kaq – armë amerikane.

Nga ana tjetër, Trampi do të propozojë skemën e tij arabe të NATO-s – që në thelb është formalizimi i një simbioze ekzistuese NATO-GCC. Ky NATO arab teorikisht do të luftojë disa pjesë të fondamentalizmit islamik (si Daesh, por jo për shembull, Jabhat al-Nusran), por mbi të gjitha ato pjesë që GCC (Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit) i konsideron si “kërcënim ekzistencial”, pra, shiizmi.

Kjo do të mishërohet në një banket të përbashkët të bandës së petrodollarit të GCC-së dhe të mbi 50 udhëheqësish të kombit musliman, të gjithë këta mysafirë të kreut të Shtëpisë së Saudit që vuan nga Alzheimeri, Mbreti Salman. Si Siria dhe Irani nuk janë ftuar. Trampi është i detyruar të mbajë një fjalim në botën muslimane – një përkulje e jashtëzakonshme në vetvete.

NATO arab do të udhëhiqet nga vetë Trampi, dhe shefi i dytë në komandë do të jetë princi luftarak saudit, Mohammad bin Salman.

Një furnizim i ri dhe masiv me armë amerikane do të vendoset për “mbrojtje” kundër Iranit, dhe mbi të gjitha për “mbrojtje” kundër Sirisë dhe Jemenit, që, siç tregojnë të dhënat, janë fajtorë që nuk udhëhiqen nga fanatikët vehabi.

Çdo kokërr rëre në shkretëtirën arabe e di se brigada kryesore e xhihadit në Siri, e ashtuquajtura Ushtri e Pushtimit që udhëhiqet nga al-Nusra a.k.a. al-Kaeda, financohet nga fanatikët vehabi të lidhur me Shtëpinë e Saudit. Nusra do të përfitojë jashtëzakonisht nga stuhia e re e armëve.

Sa për Iranin, Dhoma e Saudit mund të llogarisë edhe përkrahjen e plotë të gjeneralëve të Trampit, “Qenin e Tërbuar” Mattis në Pentagon dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare HR McMaster, të cilët kanë qenë të dy në Irak dhe e shohin Teheranin si mishërim të së keqes.

Kur shtojmë edhe akomodimin komod mes Izraelit dhe Daeshit, panorama e tërë shpërthen çdo termometër dadaist/surrealist. Xhihadistët e plagosur të Nusras janë trajtuar në mënyrë rutinore në spitalet ushtarake izraelite. Kur Daesh aksidentalisht bombardoi izraelitët në lartësitë e okupuara të Golanit, Moshe Yaalon, ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, theksoi fuqishëm se xhihadistët “menjëherë i kërkuan falje Izraelit”.

Natyrisht që e bënë. Daesh punon për të avancuar objektivin kyç strategjik izraelit në të gjithë “Sirakun”; për t’i mbajtur shtetet laike arabe të dobëta, të fragmentuara, teksa derdhin gjak nga luftërat e vazhdueshme. Ky gjithashtu ndodh të jetë i njëjti objektiv strategjik i shtetit të thellë amerikan, me apo pa Trampin. Marrëveshja e re masive e armëve i përshtatet krejtësisht objektivit.

Pra, nuk mund të kishte ndonjë ilustrim më grafik për mënyrën se si janë hequr tashmë vijat e betejës; në njërën anë kemi Uashingtonin, Shtëpinë e Saudit, GCC dhe Izraelin (GCC po vdes për të arritur një marrëveshje me Tel Avivin, duke i shitur palestinezët drejt zhdukjes për mirë); në anën tjetër kemi Iranin, Sirinë dhe Rusinë.

Po vërshojnë para për armë!

Vetë vizita e thjeshtë – me gjithë Shtëpinë e Saudit dhe perandorinë e tij të mediave që gjunëzohej përpara Zërit të Mjeshtrit të Tij – tregon sa pak ka ndryshuar që nga koha e mirë e Ruseveltit. Edhe një herë, Shtëpia e Saudit po blen mbrojtjen e SHBA-së – dhe Mafia e Partisë së Luftës me siguri di një “ofertë që nuk mund ta refuzosh” kur ta shohësh.

Aleanca mes Abu Trump al-Amrikit dhe zëvendës princit të kurorës (Mohammad bin Salman Al Saud) është historike. Një luftëtar i egër dhe agresiv që paraqitet si një ekspert ekonomik, MBS po mbledh armiq të fuqishëm në Rijad.

Arabia Saudite është një shtet i përulur, versioni beduin, i infektuar nga paternalizmi. Popullsia saudite u vlerësua me 26 milionë vitin e kaluar; me popullsi aktive në rreth 18 milionë. Ka të paktën 9.4 milionë punëtorë emigrantë, dhe të paktën 2 milionë ilegalë. Praktikisht, nuk kemi më shumë se 8 milionë sauditë në fuqinë punëtore, me vetëm 41% që aktualisht punojnë me kohë të plotë.

MBS ka qenë në të gjithë kryeqytetet e Perëndimit duke promovuar programin “Vizioni 2030”, i cili – në teori – do të reduktojë varësinë saudite nga nafta. Kjo përfshin, ndër të tjera, paga më të ulëta për funksionarët e shtetit; më pak subvencione të energjisë; shitjen e parcelave të tokës rreth Mekës; dhe më së shumti shitjen e 5% të gjigantit të naftës Aramco për investitorët e huaj përmes një IPO-je masive që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, ndoshta duke gjeneruar mbi 100 miliardë dollarë për t’u investuar në projektet e energjisë bërthamore dhe të energjisë diellore.

Kjo është e gjitha e kushtëzuar. Ajo që është e sigurt është se ndërsa predikonte masat shtrënguese, MBS iu deshën vetëm disa orë në verën e vitit të kaluar për të blerë jahtin e miliarderit rus Yuri Sheffler për 550 milionë euro, pasi e pa atë gjatë pushimeve të tij në Cote d’Azur.

Pastaj vjen Jemeni – për të gjitha qëllimet praktike të Dhomës së Saudit dhe veçanërisht të Vietnamit të MBS. Si pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së MBS, OKB vlerëson se 17 milionë jemenas janë “pa ushqim”, pra që vdesin nga uria, duke përfshirë 3.3 milionë shtatzëna, nëna që ushqejnë me gji dhe fëmijë. Trampi e mbështet plotësisht luftën kundër Jemenit.

Mbi Daeshin, shkrimtari algjerian i klasit të parë Kamel Daoud e ka qarë: “Daesh ka një nënë, pushtimin e Irakut, por gjithashtu ka një baba, industrinë ideologjike të Arabisë Saudite”. Që nga viti 2009, WikiLeaks e ka bërë të qartë se donatorët privatë në Arabinë Saudite janë burimi kryesor i financimit të Selefi-xhihadstëve.

Mos prisni që këshilltarët e Trampit ta informojnë atë rreth kësaj. Çfarëdo që të quhet, selefizmi apo vehabizmi, doktrina zyrtare mbetet një islamizëm ultra-puritan që bën thirrje për një xhihad ekspansionist. Dhoma e Saudit dhe një kalifat xhihadist janë dy anët e së njëjtës monedhë teokratike totalitare. Trampi i mirëpritur nga Shtëpia e Saudit për të luftuar Daeshin kualifikohet si skica e fundit e Monty Python.

Megjithatë, Shtëpia e Saudit gjithmonë mund t’i llogarisë perëndimorët lakmitarë. Gjithçka që duhet është një taktikë diversioniste. Shihni, për shembull, intervistën e MBS-së, transmetuar disa javë më parë në televizionin al-Arabiya dhe Saudi TV, ku ai deklaron: “Ne nuk do të presim derisa beteja të jetë në Arabinë Saudite, por ne do të punojmë që beteja të kryhet në Iran”, duke pretenduar, qartësisht, se shiitët iranianë duan të kapin Mekën. Në të vërtetë, për vite me radhë ka pasur lojëra sekrete të CIA-s – kryer nga komandot amerikanë – që kanë luajtur pikërisht këtë.

Kur MBS premtoi përpara vizitës së Trampit, si një Drama Queen, për ta kryer “luftën” kundër Iranit në territorin iranian, ai mund të ketë kafshuar më shumë se sa mund të përtypë. Mund të ndodhë që Trampi të mos e antagonizojë frontin e Teheranit që tani, pasi ai ka nevojë për Iranin dhe Rusinë për një lloj marrëveshjeje paqeje në Siri (që Tramp, Tillerson dhe Lavrov diskutuan në Shtëpinë e Bardhë).

Pra, për momentin, pse të mos zhytesh në lajkat saudite plot shkëlqim? Po vërshojnë para për armë dhe askush nuk e di më mirë se Abu Trump al-Amriki se nuk ka asnjë biznes si ai i luftës (prokurë).

Nga Pepe Escobar

/ © Gazeta Impakt

70