Dërgimi i një teksti tek personi i gabuar mund të jetë i turpshëm në çdo rrethanë, por imagjinoni se si u ndje një agjent francez kur e kuptoi se gabimisht i dërgoi një mesazh një të dyshuari si radikal islamik për të cilin po grumbullonte të dhëna.
Incidenti, i përshkruar në mediat franceze si një “dështim epik”, ndodhi të dielën e kaluar dhe u zbulua nga transmetuesi M6 prej një burimi brenda ministrisë së brendshme.
Agjenti për shërbimin qendror të mbikëqyrjes territoriale (SCRT) ishte ngarkuar me monitorimin e një kleriku në Paris, i dyshuar për predikimin e një interpretimi ekstremist të Islamit.
Agjenti kishte për qëllim të pajiste një nga kolegët e tij me të dhënat e fundit mbi “objektivin” e tij, sipas mediave franceze. Megjithatë, spiuni i ngathët i mori numrat e telefonit të përzier dhe njoftohet se e dërgoi mesazhin tek ekstremisti i dyshuar që ai po spiunonte.
I dyshuari thuhet se u tregua i shpejtë për t’iu përgjigjur tekstit, duke tallur punonjësin e SCRT-së për paaftësinë e tij. Ai gjithashtu paralajmëroi bashkëpunëtorët e tij se edhe ata mund të ishin nën mbikëqyrjen e qeverisë.
Gabimi shkaktoi ndërlikime në mes të SCRT dhe drejtorisë së përgjithshme të sigurisë së brendshme (DGSI), e cila po monitoronte gjithashtu të dyshuarin, por që u detyrua të anulonte hetimin.
Incidenti është edhe më shqetësues për shkak se Franca zyrtarisht është në gjendje të jashtëzakonshme që nga sulmet terroriste vdekjeprurëse të Parist në 2015./ Gazeta Impakt
burimi:rt