Grave të dhunuara dhe  torturuara gjatë  luftës në Kosovë, pas vite të tëra vuajtje në heshtje, po u ofrohet një skemë dëmshpërblimi – por stigma e të qenit e dhunuar mund t’i shtyjë shumë nga to të mos aplikojnë fare.

Fata ndrydh gishtat pa pushim sikur para një sikleti të madh. Në korridor dëgjohen hapa dhe ndalet, në pritje që jashtë të bie qetësia.

Janë bërë 18 vjet që kur në një ditë maji me shi në vitin 1999 ajo u nda nga një kolonë refugjatësh, u dhunua dhe u torturua nga pjesëtarë të njësive ushtarake serbe në një shtëpi private në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë. Aty humbi syrin e djathtë. Ishte vetëm 16 vjeç.

“Mbaj mend që na kanë mbajtur tri ditë. Ishim 15 veta në një dhomë. Kur jam këndellur e kam parë që syrin e djathtë e kam të lidhur dhe nuk mundesha me lëvizë”, kujton ajo.

Që nga ajo ditë, Fata, që është emri i shkurtër i saj pasi kështu ka preferuar të citohet për BIRN, vazhdimisht ka qenë e përfolur, nënçmuar dhe e stigmatizuar nga komuniteti përreth.

“Halla më tha që nuk duhet të tregoj çka ka ndodhur se më mirë është të mbytesh”, thotë ajo.

Si ajo, mijëra të tjera ishin viktima të dhunës seksuale të përdorur nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, e cila me ndihmën e NATO-s i dha fund regjimit të Serbisë.

Fata tregon se vendi ku u mbajt ishte bërë qendër e dhunimit dhe vrasjeve nga forcat serbe.

”Ditën e parë mbaj mend që dhunimi vazhdoi pa ndërprerë. Ata ndërroheshin ndërsa ne na e fshinin gjakun”, tregon ajo.

Përkundër përjetimeve të llahtarshme, ajo druan të aplikojë për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, në një skemë reparacionesh për të dhunuarat në luftë që qeveria e Kosovës pret ta aplikojë prej këtij viti.

“Familja ime nuk dëshiron të më figurojë emri askund. Tash janë familje e madhe. Kanë martuar djemtë e vajzat dhe kanë bërë shumë lidhje familjare. Nuk duan që dikush ta përmend këtë”, thotë ajo.

Një tubë flokësh të zezë i mban mbi syrin e djathtë, shprehi e të mbajturit gjatë duke mbuluar gropëzën e syrit të humbur. Ajo vetëm tri vite më parë, me ndihmën e një shoqate, mundi ta bëjë një protezë syri.

Vuajtja në heshtje

11