Shqiptarët janë pa fat. Kanë gabuar rëndë. Është e pafalshme. E pa pranueshme. Në udhëheqje të shoqërisë për demokraci kanë votuar politikanë mashtrues. Jo pak, por 28 vjet. Kanë drejtuar shoqërinë më të pashpirtët, më të deformuarit mendërisht, drejtues që e kërrusën këtë popull, derisa zvarritet ditë e natë për një kafshatë bukë. E dini se kush janë në kufijtë e rriskut? Janë ata që trokasin në zyrat e shtetit për një lëmoshë, për një thes me miell, për ti larguar nga taksa e dritave, taksa e ujit, taksa e banesës sepse nuk kanë ku sigurojnë të ardhurat për të blerë ilaçe e shërbime të tjera njerëzore. Janë njerëz të vobektë, njerëz që ushqehen me një ndihmë ekonomike, me një të ardhur financiare që nuk u mjafton për të blerë një kurë mjekimi. Janë katandisur në këtë derexhe nga mashtruesit, nga politikanët, të cilët votën ua duan zgjedhësve, ndërsa një ndihmë simbolike e kanë të pamundur t`ua sigurojnë.

Në këto vite tranzicioni të demokracisë jemi ndeshur me ushtri mashtruesish, njerëz të pafytyrë, karaktere karagjozësh, njerëz me moral të zi blozë, që e kanë trazuar jetën e shqiptarëve deri në kufijtë e padurimit. Ky popull ka provuar ritmikisht mashtrues të prerjeve të ndryshme, që kanë drejtuar vendin në periudha të ndryshme kohore dhe me mjeshtëri kanë mundur të hipnotizojnë në mënyrën më spektakolare njerëzit e urtë tek zoti, për t’u pasuruar e majmur duke u kthyer në dinozaur përbindësh. Dhe të gjithë këta mashtrues e kanë një emër, quhen politikanë. Në kohën e firmave piramidale shteti u gjunjëzua, shoqëria ishte në prag të falimentit, ndërsa mashtruesit dilnin në kamera televizive dhe “qetësonin” turmat se paratë ishin të pastra. Ishte një gënjeshtër e madhe. Shqiptarët nuk qenë në gjendje të kuptonin, për shkak të varfërisë, se kriza financiare, shoqërore e politike ishte ngritur në këmbë dhe nga momenti në moment pritej shkoqja përfundimtare e një shoqërie të sapo dalë nga regjimi komunist. Këta mashtrues me damkë ishin politikanë, të cilët luanin lojën e kungulleshkës, ndërsa njerëzit rënkonin nga dhimbja e parave të lëna peng në firmat piramidale. Edhe në këtë rast politika dhe aktorët e saj u maskuan, luajtën rolin e strucit dhe nuk u hyri gjemb në këmbë.

Historia e jetës 28 vjeçare së shqiptarëve është e mbushur me episode tragjike, që kanë ardhur si rrjedhojë e faktorëve objektivë, të cilët janë identifikuar si politikanë të kapur keq nga korrupsioni me veprat penale të rënda. E duam Shqipërinë si gjithë Europa thanë ata që morën rolin drejtues të shtetit. Shoqëria shqiptare vazhdon të vuajë dhe ne nuk u bëmë si Europa, por shkuam edhe më keq, siç ishim në komunizëm. Në këtë vend u hoq dorë për krijimin e vendeve të punës. Njerëzit braktisën shtëpi e katandi dhe morën rrugët e botës. Shqiptarëve u premtua parajsa, fronte të reja pune për rininë, pensione të larta, shërbime falas në shëndetësi, u premtua përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën rrugore.

U premtua se nuk do mungonin shërbimet publike dhe njerëzit nuk do lodheshin radhëve nëpër zyrat e shtetit. Këto premtime erdhën në fushata zgjedhore nga kandidatë për deputet, për drejtues të pushteti vendor. Më vonë u provuan që ata ishin mashtrues, por me një emër të moderuar, politikan.

Është kërkuar me forcë të respektohen ligjet e shtetit, pa të cilët nuk mund të shkohet në një shoqëri demokratike të përparuar. Në parim ky slogan është i drejtë dhe duhet të respektohet nga të gjithë njëlloj. Duhet barazi në një shoqëri të civilizuar. Koha tregoi se sa të pafytyrë janë treguar disa shtetarë në këto 28 vjet, të cilët kanë vjedhur e tjetërsuar pasuri sa janë dendur. Kanë vepruar kësisoj dhe kanë fshehur gjurmët, njëlloj siç bëjnë mashtruesit profesionistë. Ata nuk janë goditur as nga ligji, as nga shteti, sepse i ka mbrojtur Maliqi. Kanë vjedhur sa nuk kanë mundësi ku ta fshehin mallin e vjedhur. Dhe këta që kanë bërë zullume i kemi parë të dalin në foltore, të bëjnë moral se si duhet të mbrojmë e respektojmë të drejtat e shtetasve tanë nga padrejtësitë. Këta mashtrues janë politikanë. Kështu i ka pagëzuar populli këta syresh të sillen sikur u digjet barku për lirinë dhe të drejtat themelore që mbrohen me kushtetutë.

Nuk janë një e dy raste, por me qindra e mijëra ku njerëzit ankohen se nuk gjejnë dot drejtësi për padrejtësitë që bëhen me vetëdije të plot nga të paudhët. Duhet të ketë ndonjë rregull, ndonjë normë apo kod të fshehtë, që këta mashtrues takohen e komunikojnë përzemërsisht në lidhje si ta bëjnë edhe më efektivë misionin e tyre. Kanë bashkëpunim të çuditshëm. Trafiku i drogës në Shqipëri ka shqetësuar Brukselin dhe vendet e Bashkimit Europian. Bëjnë mirë që shqetësohen, derisa trafiku i drogës dënohet penalisht. Në këto vite janë kapur trafikantë droge, janë sekuestruar mijëra ton drogë në det, në tokë, në ajër, jashtë kufijve shtetërorë. Janë kapur nga policia me dhjetëra të dyshuar për trafik. Ligji duhet të veprojë në çdo rast dhe nuk ka pse hetimet kalojnë me muaj e vite, derisa humbet aktualiteti i ngjarjes, fshihen e manipulohen hetime. Shumë të dyshuar kanë çarë rrethimin për arsye që nuk dihen. Veprat e tyre kriminale, penale janë mbuluar nga sekserë, mashtrues, nga ata që e kthejnë policinë në drejtimin e kundërt të fshehjes së trafikantëve të lëndëve narkotike. Dhe këta mashtrues nuk janë njerëz që robiten gjithë ditën për ti shërbyer të mbjellave, që erren ngastrave duke u shërbyer bimëve që zhuriten nga mungesa e ujit, nga lëndëve dezinfektuese të skaduara sepse nuk kanë lekë t’i blejnë. Ata që mashtrojnë me profesionalizëm, pa asnjë merak se do të denoncohen, populli i quan politikanë. Ka shkuar ndonjë politikan prapa hekurave për trafik lëndësh narkotike? Asnjë!

Çdo kohë ka të përkëdhelurit dhe vrasësit e saj. Populli thotë se plumbi edhe në gropë e ha fukaranë! Kjo është filozofi shekullore dhe populli nuk gabon kurrë.

Sokrat NDREÇKA

24