Plani për ndërtimin e kompanisë kombëtare të fluturimit “Air Albania” vishet me dyshime. “CH Aviation”, një portal zviceran i specializuar për zhvillimet në industrinë e Aviacionit, shkruan se projekti “Air Albania” është lënë në harresë, ndërkohë që avionët e siguruar nga “Turkish Airlines” janë rikthyer në Turqi.

Ideja për krijimin e kompanisë kombëtare të fluturimeve u njoftua për herë të parë në korrik të vitit 2017, si një nismë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Erdogan. Nisma u zyrtarizua një vit më vonë.

Në qershor të vitit 2018 u krijua kompania “Air Albania” me 3 aksionerë: “Turkish Airlines”, “MDN Investment” dhe “Albcontrol”. Menjëherë pas krijimit, shefi i qeverisë shqiptare dha edhe afate konkrete se kur shqiptarët do të udhëtonin me kompaninë e tyre ajrore.

Belinda Balluku, ministrja aktuale e Infrastrukturës, në atë kohë drejtoreshë e “Albcontrol”-it, premtoi se më në fund shqiptarët do të shpëtonin nga çmimet e kripura të biletave që paguajnë aktualisht.

Por, plani i qeverisë rezultoi optimist, të paktën sa u përket afateve. Zyrtarisht, autoritetet shqiptare thonë se kompania është ende në proces për të marrë lejet e nevojshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe se projekti po ecën sipas planit. Por, zërat skeptikë mbi fatin e kompanisë janë shtuar ndjeshëm, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë saj.

40