Airbus publikon pamjet e “taksisë fluturuese” elektrike

Kompania e aviacionit Airbus ka publikuar xhirimet e fluturimit testues të modelit të taksisë fluturese Vahana.

Njësia A³ për testimin e projektit Vahana të kompanisë Airbus, shfaqi në faqen e saj të internetit filmimet e fluturimit testues të kryer më 31 janar të vitit 2018 në qytetin Pendleton në Oregon të SHBA-ve.

Mjeti me një kabinë cilindrike në formë të vezës dhe me katër krahë dhe tetë helika, ka qëndruar pezull në ajër për 53 sekonda dhe më pas ka zbritur në tokë.

Sipas një deklarate nga kompania, mjeti i emërtuar si “fluturake elektrike me ngritje dhe zbritje vertikale (eVTOL)” synon të ofrojë shërbime për transferim nga çatia në çati si masë kundër trafikut të ngjeshur rrugor në qytetet e mëdha.

“Testimi i parë flutures ishte një çast i rëndësishëm si për projektin Vahana, njashtu edhe për përpjekjet globale në lidhje me aviacionin brenda qyteteve”, ka thënë Zach Lovering, drejtues i projektit.

Projekti Vahana njihet si një testim shumë i ndryshëm nga prodhimet e mjeteve tradicionale fluturuese të Airbusit. Deri më tani, ende nuk është prodhuar ndonjë mjet ajror komercial elektrik apo gjysmëelektrik, sepse fluturimi kërkon energji në masë më të madhe krahasuar me transportin rrugor, ndërsa teknologjia e baterive aktuale nuk ka kapacitetin e mjaftueshëm.

Edhe pse jo në lartësi të madhe, qëndrimi pezull i Vahanas për një kohë të caktuar cilësohet si një sukses i konsiderueshëm në këtë fushë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne