Akar: Ultimatumet amerikane nuk sjellin dobi

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve turq gjatë kontakteve të tij në Uashington.

“Turqia përballet me kërcënimin e raketave dhe sulmeve ajrore. Është shumë normale që ne të duam të zhvillojmë sistemin tonë kundërajror dhe kundërraketor për t’u përballur me këtë kërcënim. Kjo është një çështje që ka të bëjë me sovranitetin, pavarësinë, sigurinë dhe mbrojtjen e vendit”, tha Akar duke u folur gazetarëve për kronologjinë e përpjekjeve të Turqisë për t’i gjetur një zgjidhje këtij kërcënimi.

“Dhe si përfundim ne firmosëm një kontratë me Rusinë. Blerja e raketave S-400 nuk duhet të ndërlidhet me projektin e avionëve F-35. Sistemi S-400 është i vendosur sot në Siri. Edhe Izraeli ka avionë F-35 të vendosur në një distancë shumë të afërt (me këto raketa). Disa situata të ngjashme i shikojmë edhe në vendet e Baltikut. Ajo që ne themi është që të ulemi në tryezë e të bisedojmë për atë që duhet bërë në aspektin teknik të çështjes. Ne nuk do t’i integrojmë ato (S-400) me sistemet e NATO-s, po ashtu nuk do ti integrojmë ato as me sistemet tona kombëtare që punojnë për NATO-n”,- sqaroi ai.

Në lidhje me pikat e mundshme ku do të vendosen raketat S-400 në Turqi, ministri Akar tha se ndoshta ato do të pozicionohen në mënyrë që të mbrojnë Ankaranë dhe Stambollin. Kurse avionët F-35 do të jenë në bazën ushtarake ajrore në Malatya.

Ndërsa për procesin e dorëzimit të sistemeve S-400, Akar tha se Rusia në takimin e fundit kishte theksuar se dorëzimi do të realizohej në qershor.

I pyetur nëse është e gatshme apo jo Turqia kundër retorikave për sanksione të mundshme lidhur me avionët F-35, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, tha se ata (Ankaraja) i vazhdojnë punimet në kuadër të situatës së tanishme. “Mund të them se kemi bërë çdo lloj përgatitjeje ndaj situatave të paparashikuara”, theksoi Akar.

Në përgjigje të pyetjes se përmban apo jo një datë të caktuar oferta e fundit e paraqitur nga ShBA-ja lidhur me raketat “Patriot”, ministri tha “Jo”, duke shtuar se “kriteret e Turqisë janë të qarta dhe bisedimet vazhdojnë.”

“Oferta e Turqisë, e cila thotë se sistemet S-400 dhe F-35 nuk do të jenë në ndërveprim me njëri-tjetrin, ndodhet mbi tryezën e Uashingtonit”,- tha ai.

Akar iu përgjigj edhe pyetjeve rreth zonës së sigurt që është planifikuar të formohet në Siri. “Kërkesa e Ankarasë për një korridor me thellësi 30-40 km në kufi vjen nga sulmet që i bëhen Turqisë me aeroplanë maket”, nënvizoi ai dhe e vlerësoi me këto fjalë formulën e kufizimit të zonës në fjalë, e cila gradualisht do të jetë në kontrollin e Turqisë: “Nëse rrezja e veprimit të armëve që zotëron YPG-ja (krahu sirian i organizatës separatiste terroriste PKK) do të ishte 10 km, atëherë edhe ne do të kishim kërkuar një zonë me gjerësi 10 km./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne