Alain Delon: Sot nuk ka më respekt, nuk mbahet fjala, ka vetëm numërim parash

Një prej aktorëve më të njohur francezë, Alain Delon deklaroi se do të largohej nga kjo botë pa asnjë keqardhje, në një intervistë të publikuar sot në një numër special të “Paris Match” kushtuar 60-vjetorit të karrierës.

“Jeta nuk më ka dhënë gjëra të mëdha. Kam njohur gjithçka, kam parë gjithçka. Por, mbi gjithçka, e urrej këtë epokë, më bën për të vjellë”, theksoi aktori 82-vjeçar në fund të kësaj interviste të titulluar “Unë, Delon, intervista e jetës së tij”.

“Janë këto qënie që urrej. Gjithçka është false, gjithçka është e rreme. Nuk ka më respekt, nuk ka më fjalë të dhënë. Ka vetëm numërim parash. Dëgjojmë që flitet për krime gjatë gjithë ditës. Di që do largohem nga kjo botë pa asnjë keqardhje”, theksoi Alain Delon pasi përmblodhi karrierën e tij, raportin e vështirë me familjen, gratë që ka dashur dhe miqtë që ka humbur.

“Pothuajse të gjithë kanë vdekur”, nënvizoi aktori mitik i “Guepard” (1963), i prekur veçanërisht disa muaj më parë nga vdekja e Mireille Darc, që kishte ndarë jetën në vitet 70.

I pyetur për vendin e një gruaje në jetën e tij sot, aktori përgjigjet që nuk e ka gjetur.

“Nuk them se nuk ka pasur kandidate. Ka pasur 10, por asnjë për momentin nuk më bind për të përfunduar jetën. (…) Mund të martohem nëse ajo është e gatshme të më shoqërojë deri në fund të jetës”, theksoi aktori.

Alain Delon theksoi gjithashtu se xhirimi i filmit të fundit, parashikuar me Patrice Leconte dhe ku ai duhet të ndajë posterin me Juliette Binoche, është vonuar.

Filmi i fundit me metrazh të gjatë me Alain Delon daton në vitin 2008 me “Asteriks në lojërat olimpike” nga Frederic Forestier dhe Thomas Langmann, në rolin e vetironikut, Jules Cesar.

Në teatër, aktori ka qenë me pjesën “Një ditë e zakonshme” nga Eric Assous (2011 dhe 2013).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne