Alarmi/ Paketa ‘1 miliard’ i çon koncesionet në 5 miliardë euro, Financat i konsiderojnë si rrezik

Aktualisht qeveria shqiptare ka në zbatim 200 kontrata koncesionare për punë dhe shërbime publike me vlerë mbi 504 miliardë lekë. Por vitin që vjen, nëpërmjet paketës “One billion” vlera e koncesioneve do të zgjerohet edhe 156 miliardë lekë (35%) për të arritur në 661 miliardë lekë (rreth 5 miliardë euro) ose sa 41% e PBB së vendit.

Mirëpo Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një pjesë të Deklaratës së Rreziqeve Fiskale që e dorëzoi në Kuvend bashkë me projektbuxhetin 2018, raportoi se financimi i koncesioneve PPP është një nga rreziqet e brendshme që kërcënojnë stabilitetin fiskal.

Ministria e Financave konsideroi si rreziqe të jashtme rrisqet të cilat kanë lidhje me supozimet dhe zhvillimet makroekonomike, të ardhurat e qeverisë, shpenzimet dhe menaxhimi i borxhit, etj., dhe të brendshme, detyrimet e prapambetura, PPP-të, ato të vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet publike me kapital shtetëror, risqe të tjera si vendime gjyqësore, fatkeqësi natyrore dhe sektori financiar apo risqet afatgjata.

Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat janë në proces negocimi.

Por ndërkohë në vitin 2018, qeveria do të negociojë edhe 8 kontrata të tjera me PPP, 6 nga të cilat janë rrugë dhe dy të tjerat shkollat në Tiranë dhe Spitali Rajonal në Fier.

Ministria e Financave konsideron se PPP, si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesioneve apo PPP, kapin vlerën e 9.4 miliardë lekë për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.

Me aktivizimin e paktës “One Billion”, e cila tashmë ka filluar me Rrugën e Arbrit, rregulli fiskal do të konsumohet shumë shpejt duke e ezauruar krejtësisht hapësirën që ligji organik i buxhetit ka dhënë për këtë formë shpenzimesh. Sakaq institucionet financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar qeverinë se koncesionet PPP janë një rrezik i madh fiskal dhe nuk janë mënyra më e mirë dhe efikase për të nxitur investimet./ Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne