Alarmohet FMN-banka e Linda Ramës kërkon të blejë dy banka të tjera në Shqipëri

Banka Amerikane e investimeve ka në plan të blejë dy banka të tjera në Shqipëri, përkatësisht Bankën Kombëtare Greke dhe atë të Tiranës. Nëse këto dy blerje do të mbyllen me sukses, atëherë ABI bëhet automatikisht banka e tretë më e madhe në Shqipëri. Por planet për zgjerimin agresiv të saj kanë alarmuar Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në deklaratën përmbyllëse të misionit në Shqipëri, FMN, për herë të parë paralajmëroi për konflikt interesi në sistemin bankar.

“Për të ulur rreziqet, Banka e Shqipërisë duhet të sigurohet se bankat e reja që kërkojnë licencë  përmbushin kriteret ligjore, zotërojnë eksperiencën e nevojshme bankare dhe përjashtojnë konfliktin e interesit”,- deklaroi FMN.

Burime konfidenciale nga Banka e Shqipërisë thanë për SYRI.net se FMN ka qenë shumë këmbëngulëse për të bërë publik këtë paralajmërim.

Arsyet

ABI Bank përbën një precedent në sistemin bankar të Shqipërisë. Ajo është e vetmja banka, pronësia e së cilës është e pagjurmushme, pasi vjen nga parajsat fiskale. Përtej pronësisë së pagjurmueshme, ABI përbën dhe një tjetër preçedent, pasi në bordin e saj drejtues ulet bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, zonja Lindita Rama.

A po shfrytëzon ABI lidhjet e saj të ngushta me qeverinë, për të zgjeruar pozitat e saj në treg? Ky është një dyshim, të cilin duket se nuk e ka vetëm opozita dhe ekspertët, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ekspertët e FMN druhen se zgjerimi agresiv i ABI Bank dhe shndërrimi i saj në një nga lojtarët kryesor në treg mund të përkeqësojë treguesit e mbikëqyrjes. Lidhjet e ngushta me qeverinë do t’i mundësonin asaj të anashkalonte kërkesat rregullatore për kapitalin dhe treguesit e tjerë të detyrueshëm.

Kjo nuk do të ishte hera e parë, që ABI arrin t’u shmanget kërkesave ligjore. Dy vjet më parë, Banka e Shqipërisë e liçencoi atë në kundërshtim flagrant me rregulloren, e cila e detyron BSH që “në shqyrtimin e kërkesave për licencë të vlerësojë kapacitetet financiare, integritetin dhe reputacionin etik dhe profesional të aksionerëve, për arsye se këto elemente janë të rëndësishme dhe ndikojnë direkt në besueshmërinë e publikut ndaj bankës dhe ndaj sistemit bankar, në përgjithësi.”

Rrjedhimisht rregullorja nuk e lejon BSH-në që të liçencojë banka me aksionerë të panjohur, që vijnë nga parajsat fiskale.

Për këtë arsye, FMN është detyruar të ngrejë tonet publikisht duke paralajmëruar Bankën e Shqipërisë të mos licencojë banka me konflikt interesi.

SYRI.net

Image

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne