ALBtelecom dhe Turkcell partneritet për shërbim më të mirë

Kompania ALBtelecom në bashkëpunim me operatorin celular Turkcell nga Turqia prezantuan sot shërbimet e reja revolucionare “Lifecell”, që synojnë aplikimin e një teknologjie të avancuar në përmbushje të kërkesave të abonentëve për komunikim dhe argëtim.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit organizuar në Tiranë ishin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i bordit drejtues të Çalık Holding, Ahmet Çalık, drejtori ekzekutiv i Turkcell, Kaan Terzioğlu dhe përfaqësues të bizneseve turke në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Çalık tha se është i lumtur që ndodhet në Shqipëri, “në një nga qytetërimet më të vjetra në Ballkan.” “Çalık Holding është një grup i madhë i kompanive prej 31.000 persona që vepron në 22 vende të botës në fushat e energjisë, ndërtimtarisë, financave, telekomunikacionit, tekstil dhe fushën minerare. Si një grup inovativ dhe sipërmarrës i ndjekim me shumë vëmendje mundësitë në fushat e ndryshme. Duke u bazuar tek kjo jemi fokusuar të digjitalizohemi në kompaninë tonë”, tha Çalık.

Sipas tij qëllimi i investimeve është t’i japin mbështetje nevojave të vendit ku investojnë. “Kur bëjmë një investim jashtë vendit tonë, e dimë që është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe besimi reciprok. Ne synojmë të kemi një respekt për shoqërinë dhe të zbatojmë rregullat e punës. Ne punojmë me zemër për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit ku investojmë”, theksoi ai

“Për ne Shqipëria është një vend mik dhe vëlla. Miqtë tanë shqiptarë na kanë bërë që gjithmonë ta ndiejmë veten si në shtëpinë tonë”, u shpreh Çalık.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i operatorit celular Turkcell nga Turqia, Kaan Terzioğlu, tha se sot ekonomia botërore bazohet tek të dhënat. Sipas tij, Turkcell ka qenë kompania me rritjen më të lartë në fushën e telekomunikimit në të gjithë botën. “Ne kemi zhvilluar një sistem dixhital që është ekonomia e Shqipërisë në vetvete”, tha ai.

Duke folur për bashkëpunimin me ALBtelecom, Terzioğlu tha: “Produktet që do të shikoni së shpejt janë Bip dhe Life Box. Bip dhe Life Box mund t’i shkarkoni që sot në ALBtelecom. Bip është një platformë e shkëmbimit të mesazheve me standard të lartë. Mund të bëni telefonata audio dhe video. Gjithë kjo është për të bërë të mundur që të gjitha të dhënat e Shqipërisë të ngelen po në Shqipëri. Aplikacioni ka përkthim në 65 gjuhë të botës. Ju mund të çoni mesazhe në anglisht, por pala tjetër e shikon në gjuhën japoneze, një kinez e çon mesazhin në gjuhën kineze dhe t’i e shikon në gjuhën angleze apo turke.”

Ai shtoi se “Së shpejti do të kemi dhe gjuhën e 66 të aplikacionit, që është gjuha shqipe. Ndërsa Life Box është një aplikacion ku mund të ruani dokumentacione, foto dhe video. Nëse kërkoni imazhet e një personi aty bëhet kërkimi nëpërmjet imazhit”.

Ndërsa ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i Shqipërisë, Eduard Shalsi tha gjatë viteve të fundit janë munduar që të bëjnë Shqipërinë më të mirë, më të drejtë dhe ta transformojnë, duke modernizuar shërbimet që i ofrojnë qytetarëve.

Sipas tij, Shqipëria është e vendosur të krijojë klimën e përshtatshme për investime të tilla. “Ne sot jemi këtu për t’ju siguruar që domosdoshmëria e modernizimit të Shqipërisë është e kuptueshme që nuk mund të bëhet pa një partneritet me ju. Ne jemi këtu edhe si shprehje e mirënjohjes dhe për t’ju garantuar që do të krijojmë të gjitha kushtet që ju të zgjeroni aktivitetin tuaj”, përfundoi Shalsi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori ekzekutiv i ALBtelecom, Tahsin Yılmaz, i cili në fjalën e tij tha se Albtelecom është e vetmja kompani që ofron 4 shërbime në një, komunikim mobil, internet me shpejtësi të lartë, platformë televizive dhe komunikim telefonik në një paketë të vetme.

“Ne lidhim më shumë se 650 mijë shtëpi me internet dhe jemi të vetmit që ofrojmë shërbime të fibrës optike në të gjithë Shqipërinë. Jemi kompania mobile me rritjen më të lartë në vend”, tha Yılmaz.

Nga partneriteti me Turkcell, ALBtelecom do të sjellë risinë më të fundit të telekomunikacionit, si dhe do të mundësojë internet me qasje për çdo qytetar. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne