Aleksandër Grushko: Qëndrimi rus për Kosovën dhe e vërteta e bazës në Nish

Zëvendësministri i Jashtëm i Federatës Ruse për Çështjet Evropiane, Aleksandër Grushko, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, analizon situatën në Ballkanin Perëndimor, procesin e dialogut Serbi-Kosovë dhe marrëdhëniet e Rusisë me NATO-n dhe BE-në

Erjon Dervishi

Rusia nuk e fsheh pakënaqësinë që Brukseli dhe Uashingtoni po nxitojnë që Ballkani Perëndimor të bashkohet me NATO-n dhe BE-në. Sipas tyre, vendet po vihen para sfidës: ose me Brukselin, ose me Rusinë. Në qendër të vëmendjes, tashmë, është dialogu Kosovë-Serbi dhe afrimi i NATO-s në hapësirën jetike të Federatës Ruse. Kthimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit si një aktor gjeopolitik, ka bërë që fuqitë perëndimore të rrisin angazhimin e tyre për këtë rajon. Por nga ana e saj Rusia ka potencialin dhe influencën për të ndikuar në zgjidhjen e disa çështjeve delikate në rajon. Një nga këto është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Për pozicionin e Rusisë në raport me Ballkanin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, flet për gazetën “Shekulli”, Zv.Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Aleksandër Grushko. Me një karrierë të gjatë diplomatike, Z. Grushko, shpjegon rolin e Rusisë me BE-në, bazën humanitare Ruso-Serbe në Nish, për të cilën Bashkimi Evropian ka rezervat e veta, si dhe rolin e partive populiste në BE.

Zoti Zëvendësministër, ju faleminderit shumë që pranuat të bënit këtë intervistë për gazetën tonë. Pyetja e parë është se cilat janë prioritetet e Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor?

Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të komunikuar me publikun shqiptar. Para së gjithash, Rusia është e interesuar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor. Është një rajon i ndërlikuar, i cili mbart në vetvete një numër jo të vogël mosmarrëveshjesh. Ky është një realitet historik. Edhe në ditët e sotme këtu mbetet një potencial i konsiderueshëm konfliktual. Madje, edhe ndonjë tensionim lokal situate mund të shkaktojë, si një ortek, pasoja në shkallë rajonale, po edhe atë evropiane. Prandaj ne mbështesim zhvillimin e një dialogu shumëpalësh për të gjitha çështjet e mprehta që lidhen me sigurinë e rajonit, në mënyrë që hap pas hapi, duke marrë parasysh interesat e të gjitha palëve, të forcohet stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Rusia synon të zhvillojë marrëdhënie partneriteti me të gjitha vendet e rajonit.

Ne jemi të interesuar për forcimin e një bashkëpunimi reciprokisht të dobishëm në të gjitha fushat, të cilat paraqesin interes të përbashkët. E respektojmë aspiratën e vendeve të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian, por nuk pranojmë në mënyrë kategorike zgjedhjen artificiale pa alternativë: ose me Rusinë, ose me Brukselin dhe Uashingtonin. Sidomos nëse kjo zgjedhje është e imponuar nga jashtë. Kemi disa shembuj të projekteve ekonomike me përfitim të ndërsjellë, të cilët tregojnë se interesat objektive kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor shpeshherë zëvendësohen me direktivat euroatlantike. Në vend të një bashkëpunimi të mirëfilltë ne përballemi me politikën e sanksioneve. Në fund të fundit, kjo bie ndesh me interesat e vetë shteteve të rajonit. Kuptohet se një situatë si kjo nuk mund të na duket e përshtatshme. Ne do të donim ta shihnim Ballkanin Perëndimor si një hapësirë me siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësi të barabarta për partneritet me dobi reciproke për të gjitha vendet.

Për sa i përket Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, Greqia e ka akuzuar Federatën Ruse për ndërhyrje që kjo marrëveshje të mos realizohej. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

Rusia gjithmonë ka mbështetur procesin e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe praktike të çështjes së emrit të Maqedonisë, në baza të pranueshme për Shkupin dhe Athinën, pa ndërhyrje nga jashtë dhe pa imponim të afateve dhe kushteve artificiale. Megjithatë, ne nuk mund të mos vërenim se si gjatë procesit të nënshkrimit dhe miratimit të Marrëveshjes së Prespës u lejuan shkelje të rënda të legjislacionit të brendshëm të Republikës së Maqedonisë dhe të normave juridiko-ndërkombëtare në kushtet e një presioni tepër të fortë nga jashtë dhe injorimit të mendimit të shumicës së popullsisë. Jemi të bindur se ngutja, me të cilën u nënshkrua ky dokument, është kushtëzuar në radhë të parë nga synimi për ta tërhequr sa më shpejt Shkupin në NATO dhe aspak nga dëshira për të kontribuar në zgjidhjen e kontestit dypalësh. Ne i përmbahemi linjës për avancimin e bashkëpunimit konstruktiv me vendet e rajonit. Mbetemi i mendimit se një faktor i rëndësishëm që ndihmon në forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan është stabiliteti politik dhe ekonomik i Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë. Ne kurrë nuk kemi luajtur ndonjë “lojë në prapaskenë” kundër Athinës dhe Shkupit dhe as nuk kemi ndërmend të bëjmë një gjë të tillë.

Federata Ruse ka një qëndrim të sajin zyrtar për çështjen e Kosovës. Por në dialogun Kosovë-Serbi, cili është qëndrimi zyrtar i vendit tuaj? Nëse Serbia arrin një marrëveshje përfundimtare me Kosovën dhe e njeh pavarësinë e saj, a do të bëjë të njëjtën gjë edhe Rusia?

Siç dihet, në përputhje me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 9 shtator 2010, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së. Qëndrimi i Federatës Ruse konsiston në faktin se ky proces bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në dokumentin themelor për zgjidhjen e situatës në Kosovë, që është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës Krahina Autonome e Kosovës është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është një çështje krejtësisht e brendshme e Serbisë. Nuk shohim arsye për t’u paraprirë dakordësive të mundshme mes palëve të interesuara. Sidoqoftë, këto dakordësi duhet të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të marrin miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

A besoni se zgjerimi i NATO-s në rajonin e Ballkanit përbën një kërcënim për interesat e Federatës Ruse?

Qëndrimi ynë ndaj politikës së “dyerve të hapura” të NATO-s njihet mirë. Jemi të bindur se tërheqja e vazhdueshme në këtë bllok e shteteve të reja është në kundërshtim me interesat reale mbarë evropiane dhe nuk kontribuon në forcimin e sigurisë as të vendeve që anëtarësohen në NATO, as të vetë organizatës, dhe, sigurisht, as të Rusisë. Pavarësisht vektorit gjeografik, zgjerimi sjell, në mënyrë të pashmangshme, shfaqjen në Evropë të linjave të reja ndarëse dhe thellimin e atyre ekzistuese. Tërheqja e përshpejtuar e Maqedonisë në NATO me anë të instrumenteve të ndërhyrjes në punët e brendshme vetëm konfirmon se politika e “dyerve të hapura” është kthyer për bllokun në qëllim në vetvete. Udhëheqësve të NATO-s u pëlqen të flasin për vlerat e demokracisë dhe aspiratat e popujve, por realisht mendimi i qytetarëve nuk merret parasysh. Kursi i NATO-s për të zgjeruar me çdo kosto hapësirën e kontrolluar prej saj çon vetëm në rritjen e tensioneve. Pastaj specifika e Ballkanit është e atillë që një hap i vetëm i ashpër dhe i pamenduar është potencialisht i aftë për të shkatërruar të gjithë situatën në rajon, njësoj si një shtëpi letrash. Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se përfshirja prej Brukselit e vendeve të Ballkanit në përpjekjet për të eliminuar kërcënimin e sajuar rus, jo vetëm që nuk do të përmirësojë stabilitetin, por do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe.

Gjatë intervistës së tij, Z. Aleksandër Grushko, shpjegon edhe çështjen e bazës humanitare në Nish të Serbisë, për të cilën, Perëndimi është shprehur i shqetësuar, për frikën e një kamuflimi ushtarak. Por në të vërtetë kjo bazë humanitare e ka treguar rolin e saj në disa katastrofa natyrore, përfshi këtu edhe në Shqipëri, në vitin 2015.

Vijmë tek Bashkimi Evropian. Rusia është akuzuar se sponsorizon partitë populiste dhe ato të ekstremit të djathë. Kujtojmë këtu partinë franceze “Fronti Nacional” të Marine Le Pen. A ekziston realisht një bashkëpunim i tillë midis Rusisë dhe këtyre partive?

Nëntekstin e pyetjes tuaj e kam të qartë. Duhet të them se kohët e fundit Rusia është akuzuar për shumë gjëra, por në të vërtetë rezulton se të gjitha këto akuza janë të pabaza. Shfaqja e spekulimeve të tilla është e thjeshtë për t’u shpjeguar. Sot për sot vendet e BE-së po përjetojnë një krizë të rëndë të sistemeve politike, kur partitë tradicionale nuk u përgjigjen më kërkesave të zgjedhësve. Lëvizjet euro skeptike dhe populiste po forcojnë pozitat e tyre. Në kushtet e një ndryshimi kaq drastik në skenën e politikës së brendshme, në punën me opinionin publik është i fortë tundimi për të kërkuar fajtorët e këtyre proceseve “diku jashtë”. Propagandistëve perëndimorë, sipas gjasës, Rusia u duket si objektiv më i përshtatshëm për këtë. Në të njëjtën kohë është për t’u vënë re se partnerët tanë të BE-së, duke na kritikuar për gjoja ndërhyrje, vetë nuk i kufizojnë aspak kontaktet e tyre me forcat politike të Rusisë, përfshirë këtu edhe të ashtuquajturën opozitë jashtë sistemit. Në tërësi, ne nuk shohim asgjë të keqe në bashkëpunimin me përfaqësues të të gjithë spektrit të forcave politike të Evropës. Aq më tepër, nëse ato janë zgjedhur në rrugë demokratike dhe shprehin vullnetin e zgjedhësve të tyre si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë të BE-së. Në Federatën Ruse, ashtu si në shumë vende evropiane, ekziston një sistem shumë partiak i përbërë nga partitë e majta, të djathta dhe centriste. Sipas interesave të tyre dhe praktikës së gjithë pranuar, partitë ruse mbajnë marrëdhënie me organizata politike në shumë shtete të Evropës, Azisë dhe Amerikës Latine, me të cilat ndajnë pikëpamje dhe bindje të përafërta. Lidhje të tilla ekzistojnë edhe me partitë politike të Francës që ju përmendët. Ne jemi të gatshëm të flasim me të gjithë, kuptohet, edhe me ata që mbajnë qëndrime racionale dhe kanë dëshirë për të punuar për rivendosjen e një bashkëpunimi të plotë Rusi-BE në të gjitha drejtimet.

Në Nish të Serbisë ndodhet Qendra Humanitare Ruso-Serbe. Perëndimi pretendon se Rusia po kërkon një status diplomatik për personelin atje. Cili është komenti juaj për këtë çështje? A përbën një kërcënim për sigurinë rajonale kjo qendër?

Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish është themeluar në bazë të marrëveshjes dypalëshe ndërqeveritare të datës 25 prill 2012. Do të doja të theksoja se që nga fillimi Rusia ka nënvizuar transparencën e plotë të projektit për krijimin e kësaj Qendre, e cila është konceptuar dhe është realizuar si një mision humanitar i përbashkët me Serbinë, i orientuar për të vepruar në Ballkan në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara. Qendra është regjistruar pikërisht si një organizatë ndërkombëtare. Ka kontribuar në kapërcimin e pasojave të situatave emergjente në Serbi, Greqi, Maqedoni, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë. Nga kjo Qendër në vitin 2015, edhe në Shqipëri është sjellë ndihmë humanitare për qytetarët e prekur nga përmbytja. Aty janë trajnuar specialistë të linjës nga vende të ndryshme, ndërsa objektet e Qendrës janë vizituar nga përfaqësues të disa vendeve, si edhe të OKB-së, OSBE-së dhe strukturave të tjera shumëpalëshe. Rezultatet e kësaj pune i kanë parë me sytë e tyre mijëra njerëz në Evropën Juglindore. Jemi përballur në mënyrë të përsëritur me spekulime të papërgjegjshme lidhur me njëfarë komponenti ushtarak që gjoja ekziston tek Qendra, por asnjë konfirmim për një veprimtari të tillë nuk ka dhe nuk mund të ketë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne