Nga Kastriot MYFTARAJ

Z. Alfred Peza, me rastin që Gjykata vendosi sekuestrimin e aksioneve të tij bankare ankohet se po hetohet dhe dënohet si gazetar jo si deputet!

Epo, a nuk ishte vetë ky zotëri, i cili faktin që u bë bankier, në kohën që ishte deputet, deshi ta shpjegonte me kapitalin që kishte vënë si gazetar.
Për këtë qëllim Fredi doli në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës me një tufë të madhe letrash, aq sa shënimet që la pas vdekjes Marksi për librin e tij të pambaruar “Kapitali”, që i mbeti si detyrim mikut të tij Fred Engelsit ta shkruante në pjesën më të madhe.

Por tani Fredi ynë thotë se nëse shqyrtohen këto letra që paraqiti ai në televizion, kjo do të thotë se ndaj tij bëhen hetime si gazetar, jo si deputet.
Shkurt, Fredi po na thotë që, ose duhet pranuar si e vërtetë, pa hetim, fabula e tij sesi në kohën që ishte deputet u bë bankier me paratë e fituara në kohën që ishte gazetar, ose shkelen të drejtat e tij si gazetar.
Kur hetohem unë si gazetar për të ardhurat e mia, thotë Fredi ynë, atëherë ky është diskriminim, pasi duhet të hetohen të gjithë gazetarët, jo vetëm njëri prej tyre.

Ky është si arsyetimi i Al Kapones, i cili ankohej se po hetohej dhe përndiqej si biznismen, për shkak se akuzohej si gangster.Problemi me Al Kaponen ishte se ai në të vërtetë ishte një gangster që kamuflohej si biznismen.
Al Kapone do ta mirëkuptonte plotësisht arsyetimin e Fredit tonë dhe do ta duartrokiste atë, por jo prokurorët dhe gjykatësit që hetuan dhe dënuan al Kaponen.

Problemi në mbrojtjen që i bën vetes Fredi ynë është se hetimin e të ardhurave të tij si gazetar e ka inicuar vetë ai me arsyetimin që iu ka bërë të ardhurave me të cilat u bë bankier, sit ë siguruara në kohën kur ishte gazetar.
Prokuroria dhe Gjykata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shqyrtuar, siç e kanë detyrim ligjor, provat që ka sjellë z. Peza në mbrojtje të vetvetes.
Me arsyetimin e tij, Fredi ynë e shpalli veten një rast unik deri më tani në Shqipëri, duke qenë pra një ish-gazetar i shndërruar në politikan që u bë bankier.
I fortë doli Fredi ynë, na tregoi se është i aftë që të vjedhë edhe vetë Al Kaponen!/Citynews.al

54