Ambasadorja Kılıç viziton shkollën e Fondacionit Maarif në Kosovë

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, vizitoi sot shkollën e Fondacionit Turk Maarif, “International Maarif School of Kosova”, në qytetin e Lipjanit, në qendër të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e vizitës, Kılıç, gjatë fjalës së saj tha se Fondacioni Turk Maarif është një institucion shumë i rëndësishëm për shtetin e Turqisë në fushën e edukimit edhe jashtë Turqisë.

“Ndihemi shumë të lumtur që Fondacioni ‘Maarif’ ka filluar aktivitetet e para në Ballkan nga Kosova. Objektivat e fondacionit janë shumë të larta, sepse synojnë që të arrijmë pikën më të lartë në fushën e edukimit. Pra synojmë që fëmijët të cilët do të jenë krijuesit e të ardhmes sonë të përgatiten për të ardhmen me një edukim të mirë dhe kualitativ. Kjo ka një domethënie shumë të madhe për Kosovën, sepse Kosova është një shtet mik i yni”, tha Kılıç.

Ajo duke bërë të ditur se Turqia ka kaluar ditë të vështira pas tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, theksoi se kjo organizatë ka mbetjet e saj edhe në Kosovë. Kılıç theksoi se shkollat publike në Kosovë janë në nivel të duhur, por me qëllim që të rritet konkurrenca në edukim shkollat e Fondacionit Maarif janë të gatshme ta përmbushin këtë nevojë.

Ajo duke theksuar se të rinjtë në Kosovë kanë nevojë për një edukim kualitativ dhe fëmijët e Kosovës duhet të edukohen në institucione të sigurta, shtoi se prindërit duhet të mendojnë mirë se ku do ti regjistrojnë fëmijët e tyre sepse “diplomat e shkollave të organizatës terroriste FETO nuk njihen në shtetin e Turqisë.”

“Fusha e edukimit është një sektor shumë i rëndësishëm sepse organizata terroriste FETO ka mbetjet edhe jashtë Turqisë dhe Kosova është një nga ato shtete. Kemi pasur kontakte të ngushta me institucionet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi, por në këtë momente Kosova është në fazën paszgjedhore dhe ne do presim që të formohet qeveria e re për të vazhduar bisedimet dhe bashkëpunimet lidhur me këtë çështje”, tha Kılıç.

Ndërsa, drejtori për Kosovën i Fondacionit Maarif, Mesut Özbaysar, theksoi se kjo shkollë synon që nxënësve kosovarë t’iu mundësoj një ambient të mirë, të sigurt të edukimit, duke i mbrojtur edhe vlerat etike të shoqërisë kosovare.

“Ne synojmë që të rinjtë e Kosovës të edukohen me mundësi të mira teknologjike dhe ata të cilët do të jenë formues të ardhmërisë së Kosovës të jenë në gjendje të konkurrojnë brenda bashkësisë ndërkombëtare”, tha Özbaysar.

Kurse, drejtoresha e “International Maarif School of Kosova”, Azemine Kukaj, duke thënë se ndihet shumë e lumtur që ky fondacion ka zgjedhur shkollën të cilën ajo përfaqëson për bashkëpunim, theksoi se kjo shkollë do të jetë shembull jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ndërkohë, vlen të theksohet se kanë filluar aplikimet për provimet pranuese në shkollat e fondacionit Maarif në Kosovë.

Ndryshe, Fondacioni Maarif i Turqisë dhe kolegji International American Academy of Kosovo (IAAK) më 25 prill kishin nënshkruar një protokoll, nëpërmjet të cilit kjo shkollë iu transferua Fondacionit Maarif. Kjo shkollë ka 70 nxënës dhe licencë në nivelet parashkollor, kopsht për fëmijë, atë fillor dhe të mesëm./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne