nga Darius Shahtahmasebi.

Një senator republikan ka akuzuar Kinën për përgatitje të Luftës së Tretë Botërore. Ashtu sikurse shumica e deklaratave të Uashingtonit për Kinën edhe ky ligjvënës ka injoruar krejtësisht rolin e SHBA-së në krijimin e një skenari të tillë.

Vetëm javën e kaluar, senatori republikan James Inhofe i Oklahomës hodhi akuza se ushtria e Kinës po përgatitej për Luftën e Tretë Botërore. “Është sikur të përgatitesh për Luftën e Tretë Botërore”, tha ai gjatë një seance të Senatit të fokusuar në të ashtuquajturat sfida të paraqitura nga Rusia dhe Kina.

Sipas James Inhofes, SHBA-ja është tërhequr mbrapa dhe po shikon se si Kina ka ndërtuar praninë e saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore, duke kthyer ishuj artificialë në baza potenciale për ushtrinë e saj.

Ideja se SHBA-ja është tërhequr prapa dhe që vëzhgon gjithçka, është disi e qesharake për historinë e botës. Madje edhe nën administratën e Obamës, presidenti kishte një strategji eksplicite të kontrollit që supozohej se synonte rrethimin e Kinës nga të gjitha anët. Marrëveshja e Partneritetit Trans-Pacific (TPP) u hartua gjithashtu për këtë qëllim, megjithëse Trump i cili është anti-kinez i hapur ka menduar për disa arsye të tij se marrëveshja ka qënë një ide e keqe.

Inhofe tha gjithashtu se ishte i shqetësuar se mbase “mesazhi” nuk do të arrinte atje ku duhej.

Kina e ka marrë “mesazhin” të qartë

Nuk është fjala për një bazë, ndoshta problemi në marrëdhëniet Kinë-SHBA është se mesazhi nuk po shkon i qarte atje ku duhet. SHBA-ja e ka nxitur zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. Ajo ka pushtuar dhe bombarduar Irakun, Sirinë (ka zaptuar një të tretën e territorit sirian, duke përfshirë rajonin e saj më të pasur me naftë), Libinë, Jemenin, Afganistanin, Pakistanin, Somalinë dhe madje edhe Filipinet.

Përveç kësaj, kjo superfuqi ka kërcënuar me luftë gjithashtu edhe Iranin, Korenë e Veriut dhe Venezuelën, të cilët kanë një marrëdhënie komode me Kinën. Uashingtoni furnizon me armë vdekjeprurëse dhe mbështet elementë të njohur neo-naziste në Ukrainë. Madje një bisedë telefonike e zbuluar e Victoria Nuland, ish zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, tregonte mbi diskutimet se kush do propozohej që të vendosej brenda qeverisë së Ukrainës pasi Viktor Janukoviçi të rrëzohej me sukses nga pushteti.

Nën Trumpin, SHBA-ja ka filluar një luftë tregtare potencialisht katastrofike me Kinën dhe ka flirtuar haptazi me idenë e lënies së mbështetjes së saj për politikën “Një-Kinë”. Le të mos harrojmë këtu edhe mbështetjen amerikane për Tajvanin.

Në fak mesazhi ka shkuar. Nëse jeni një vend i vogël dhe nuk keni arsenal armësh ose burime energjitike bërthamore apo mbështetje të një fuqie të madhe bërthamore, në pragun tuaj do të gjeni ushtrinë amerikane. Nëse jeni vend pak më i madh dhe keni nevojë për pak mbështetje, ushtrinë amerikane do ta gjeni fare afër, duke ju vëzhguar nga dritarja, ndërsa sanksionet e saj kanë për të bërë kërdinë në ekonominë tuaj.

Sipas këtij konteksti, nëse vërtet Kina është vendi që po pregatitet për Luftën e Tretë Botërore, neve nuk duhet të na vijë çudi. Duhet të ketë pasur një arsye që në fillim të vitit, urdhri i parë i Presidentit kinez Xi Jinping për ushtrinë e vendit ishte që të përgatitej për betejë (luftë gjithëpërfshirëse ushtarake nga një pikë nisje e re). Ai theksoi më tej se “të gjitha njësitë ushtarake duhet të kuptojnë saktë trendet kryesore të sigurisë kombëtare dhe ato të zhvillimit si dhe të forcojnë ndjesitë para vështirësive, krizave dhe një betejeje të papritur”.

Për më tepër, fjalës së Inhofes në seancën e Senatit ju bashkua edhe Ely Ratner, drejtor i institutit për studime strategjike “Një Siguri e re për Amerikën (CNAS). Përafërsisht një vit më parë, mikja jonë e mirë Victoria Nuland (e përmendur më lart në lidhje me ndryshimin e regjimit dhe mbështetjen e neo-nazistëve) u emërua si shefe ekzekutive e re në CNAS. Instituti ka gjithashtu mbështetjen e vetë mbretit të droneve, gjeneral David Petraeusit. Ekspertët e tij kanë ndihmuar me dhënien e mendimeve të tyre ndaj politikës së jashtme për media si New York Times, Washington Post, Fox News, CNN, Wall Street Journal (WSJ) dhe NPR. Instituti ka paralajmëruar hapur kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Siria pasi një veprim i tillë do ti jepte forcë Iranit.

Mendoj se është e drejtë të them se kur bëhet fjalë për një diskutim mbi Kinën, CNAS-i duhet të jetë burimi kryesor i mendimeve dhe me sa duket njerzit e Inhofes janë më të besuarit.

Kina si kurban për dështimet e SHBA-së

SHBA-ja ka kohë që po jep alarmin për Kinën. Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i dha Kinës një paralajmërim të drejtpërdrejtë dhe të qartë se duhet të sillej si një “komb normal” (në tregti) dhe “në respekt të rregullave të së drejtës ndërkombëtare”.

Nëse akuzat kundër Kinës janë se vendi nuk po sillet si një komb normal dhe po vepron në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, atëherë duket sikur SHBA-ja dhe Kina kanë shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin. Kjo do të ishte e vërtetë po ta kishin thënë administratat Bush, Clinton dhe Obama, por jo administrata Trump që haptazi shpërfill të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare si OKB.

Vetëm disa ditë më parë, agjencitë e inteligjencës amerikane paralajmëruan se Kina po përdorte studentë spiunë për të vjedhur sekrete nga SHBA-ja. Në fund të vitit të kaluar, një grup bipartizan i përbërë nga 12 senatorë i shkroi një letër anëtarëve të lartë të administratës Trump, duke u bërë thirrje që të kundërvepronin kundër ndërhyrjeve të fshehta kineze nëpër “demokracitë” e botës.

Në tetor të vitit të kaluar, gjenerali në pension Ben Hodges, paralajmëroi se një luftë e gjithanshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kishte shumë të ngjarë që të ndodhte brenda 15 viteve të ardhshme. Ndërkohë që është ky paralajmërimi që duhet ndjekur, sipas ekspertëve dhe analisteve mediatikë, faji përsëri i hidhet plotësisht Kinës, në një kohë që gjenerali në pension ka deklaruar se SHBA “nuk ka kapacitet për të bërë gjithçka të mundur në Evropë dhe në Paqësor në mënyrë që të përballet me “kërcënimin kinez”.

Edhe nëse frika e Uashingtonit dhe e aleatëve të saj lidhur me Kinën del e justifikuar, duhet kujtuar se Pekini ka një bazë ushtarake jashtë vendit e cila ndodhet në Xhibuti të Afrikës. Kur është fjala për Afrikën, mediat e korporatave e kanë të qartë faktin se SHBA-ja i ka trupat e saj të shpërndarë në gjithë kontinentin. Në total, SHBA-ja ka rreth 800 baza në të gjithë botën dhe nuk tregon ndonjë shenja të uljes së numrit të trupave dhe arsenalit të saj bërthamor.

Duke parë se SHBA ka 800 baza ushtarake nëpër botë, atëherë pasiguria më e madhe për paqen vjen nga SHBA-ja dhe jo nga Kina e cila mburret vetëm me një të tillë. Për më tepër, muajin e kaluar Donald Trump zbuloi një strategji të rishikuar për mbrojtjen raketore amerikane, e cila ishte shumë më shqetësuese sesa Kina. Trumpi në realitet po pregatitet për një luftë hapësinore kundër Kinës dhe Rusisë. Vendi i tij po zhvillon sisteme hapësinore me sensorë për zbulimin e raketave armike dhe po teston armë të bazuara në hapësirë ​​për të rrëzuar raketat armike (ruse dhe kineze) të lëshuara drejt tokës amerikane.

Ndoshta Kina ka të ngjarë që në Detin e Kinës Jugore vërtet të përgatitet për Luftën e Tretë Botërore, por në fund të fundit, kjo sipërfaqe ujore, Deti i Kinës Jugore është i saj. Nëse SHBA-ja refuzon të pranojë pretendimin e Pekinit për projektin e ndërtimit të ishullit në det dhe i frikësohet potencialit ushtarak dhe aftësive të Kinës në oqean, atëherë në mënyrë të ngjashme duhet të refuzojë kapjen nga ana e vet të rrugëve detare që i ka me shumicë përqark planetit dhe të mbyllë bazat e saj ushtarake duke i kthyer në vendin nga kanë erdhur.

Gjithçka tjetër është thjesht një hipokrizi e qartë, diçka me të cilën ne tashmë kemi filluar të mësohemi./rt/Gazeta Impakt

48