Amerika: Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, Irani ti japë fund provokimeve

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i dërguan një mesazh në mbështetje të Izraelit, në të cilin thuhet se Uashingtoni zyrtar përkrah të drejtën e Izraelit për mbrojtje dhe dënon aktivitetet provokuese të Iranit në rajon.

Zyra e Marrëdhënieve të Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se Izraeli është një aleat besnik i SHBA-së.

“SHBA mbështet të drejtën e Izraelit për mbrojtje. I bëjmë thirrje Iranit dhe aleatëve të saj t’i japin fund provokimeve dhe të marrin rrugën e ndërtimit të paqes në rajon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Dje, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert shprehu shqetësimin e thellë rreth rritjes së tensioneve në kufirin izraelito-sirian dhe tha se SHBA-të qëndrojnë fuqishëm pranë Izraelit.

Ushtria izraelite më parë njoftoi për rrëzimin e një avioni iranian pa pilot, i cili nga Siria ka kërcënuar hapësirën ajrore të Izraelit, dhe pastaj me sulme ajrore ka gjuajtur pozicionet e elementeve pro-iraniane në Siri.

Në deklaratë po ashtu thuhet se edhe një avion izraelit F-16 u rrëzua gjatë një sulmi kundër elementëve iranianë në Siri. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne