Amerikanët ndalojnë arabët që të hapin albanian airways

Autoriteti i Aviacionit Civil i kthen përgjigje negative kompanisë së fluturimeve “Albanian Airways” duke mos i dhënë licencën e fluturimeve.

Sipas burimeve konfidenciale, pas verifikimeve, SHISH dhe Antiterrori në Policinë e Shtetit nuk e gjetën “të pastër” kompaninë.

Një investigim i TemA TV nxjerr në pah të gjitha hapat, denoncimet dhe dokumentet në lidhje me këtë çështje.

Mjaftoi një denoncim në TemA TV për të vënë në lëvizje strukturat shtetërore. Në përgjigjen për redaksinë e lajmeve, drejtori Krislen Keri, thotë se kompania në fjalë nuk zotëron kapacitetet ligjore, teknike dhe financiare për tu liçensuar dhe i është komunikuar kjo gjë.

Por si nisi të denoncohej mbërritja e këtij avioni, stafi i së cilës është problematik?. Gjithçka ka nisur pas 15 shtatorit të këtij viti, kur ky avion mbërriti në Rinas. Fillimisht, ish-punonjësi i Autoritetit Civil, Dritan Goxhaj shprehu shqetësimin e tij në televizionin tonë. Në fillim Goxhaj përmendi disa shkelje në lidhje me procedurat e çdoganimit apo edhe të regjistrimit. Por më e rënda është terrorizmi.

Sipas kallëzimit penal të marrë në dorëzim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Kompania “Albanian Airways” është ngritur nga Konsulli i Nderit të Sirisë në Shqipëri, një refugjat sirian me emrin Jahja Farëati. Për ta filluar nga akuza e mashtrimit dhe falsifikimit. Goxhaj thotë se kompania ka sjellë një avion nga Greqia dhe e ka paraqitur në Tiranë, sikur e ka marrë në Qipro.

Autoriteti Civil për këtë pjesë thotë se “Dokumenti i lëshuar nga autoritetet greke, është sipas parametrave të duhura bazuar dhe në rregulloret e Agjensisë Europiane e Sigurisë në Aviacion.

Përsa i përket akuzës së pagesave për doganën, drejtori i Autoriteti Civil shprehet se nuk ka nevojë për zhgoganim, pasi ky avion ështe marrë me qera për përdorim nga subjekti.

Në bazë të Kodit Doganor, Avioni është përfshirë në rregjimin e përkohshëm doganor. Për t’u paraprirë pengesave, kompania “Albanian Airlines” i dërgon këtë dokument Autritetit Civil, ku e informon për të dhënat e avionit. (dokumenti butros).  Më e keqja vjen tani dhe bëhet fjalë pikërisht për drejtuesin ekzekutiv të kësaj kompanie, pilotin sirian Mousa Boutros (fotot e tij).

Për 4 vitet e kaluara ka punuar si pilot për kompaninë shtetërore siriane, Sirian Air (Sirian Arab Air). Edhe kjo kompani, ashtu si ajo ukrainase, është shpallur në vitin 2013 nga Amerika si kompani që mbështet terrorizmin dhe, ashtu si edhe asaj ukrainase, i është bllokuar çdo fond dhe aset që ka në botën perëndimore dhe veçanërisht në shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas Goxhajt, ky person ka shkelur këtë embargo duke ndihmuar në transportimin e armëve, municioneve dhe organizatave terroriste. Nga ana tjetër, kjo kompani ka prezantuar si drejtor të operacioneve të fluturimit shtetasin bullgar Anton Zashev, por ky i fundit thotë se nuk është në dijeni të këtij fakti dhe se nuk është kontaktuar nga Tirana. Të paktën ky është pretendimi i kallëzuesit Goxhaj.

Në lidhje me stafin e parashikuar për të drejtuar këtë linjë fluturimesh, Autoriteti Civil, në përgjigjen zyrtare, thotë se ruan konfidencialitetin, por nga burime pranë këtij autoriteti mësohet se janë kryer verifikime nga Shërbimi Informativ Shtetëror, Antiterrori në Policinë e Shtetit dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, nga ky rezulton se ky staf është i papërshtatshëm për të transportuar pasagjerë, referuar edhe të dhënave që kanë përcjellë shërbimet partnere.

TemA TV pyeti disa nga personat e kallëzuar nga Goxhaj, si Altin Vrapi, i cili u shpreh shkurt se nuk kishte dijeni për këtë çeshtje dhe se nuk kishte asgjë për të thënë.

Edhe znj Lilika Radovicka nuk pranoi të jepte ndonjë shpjegim të detajuar, duke na lënë të kuptohet se ishte në dijeni të kallëzimit penal. Pra, në përfundim, ky avion nuk do të ngrihet asnjëherë në fluturim nga Rinasi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne