Ana e errët e Xhek London

nga Johann Hari.

Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë e pabesueshme që t’i marrin elementët e tyre më radikalë e më të patrajtueshëm dhe t’i transformojnë në eunukë të butë. Procesi nis menjëherë pas vdekjes së tij. Mark Twain kujtohet gjithmonë si një tip me batutën e mprehtë në udhëtim të përjetshëm në perëndim në lumin Mississippi, ndërsa askush nuk lexon dhe kujton polemikat e tij të shkruara lidhur me natyrën e dhunshme të perandorisë amerikane. Martin Luther King kujtohet për vizionin e tij poetik të fëmijëve që qëndrojnë dorë për dore në një kodrinë të Alabama, por pak kujtojnë se tha edhe se qeveria amerikane ishte “furnizuesi më i madh i dhunës në botën e sotme”.


Por më e madhja e tredhjeve historike përfaqësohet ndoshta nga Jack London. London është socialisti revolucionar më i lexuar në të gjithë historinë e Amerikës, propagandonte përmbysjen e dhunshme të shtetit dhe vrasjen e liderëve politikë. Dhe sot kujtohet pse ka shkruar një histori të bukur për një qen. Është njëlloj sikur Panterat e Zeza të kujtoheshin pas një shekulli pse ka arritur një tis rozë bishtalecave të tyre.

Nëse qeni i shpikur prej tij e shkelmon përjetësisht në pafundësi Jack London nga kujtesa jonë historike, ajo që humbasim është një prej figurave më intriguese dhe më të çuditshme të historisë amerikane, një figurë njëherazi eksituese dhe përçmuese. Gjatë 40 viteve të jetës së tij që djali “bastard” i një spiritualisti me tendenca vetëvrasëse që jetonte në një bidonvil, një fëmijë punëtor, një pirat, një lypës, një socialist revolucionar, një racist që pëlqente gjenocidin, një kërkues ari, një korrespondent lufte, një milioner, një i depresuar me mani vetëvrasëse dhe, për disa kohë, shkrimtari më popullor i Amerikës. Tek “Wolf: The Lives of Jack London”, biografi i fundit i tij, James L. Haley, e quan London “figurën më të pakuptuar të kanunit letrar amerikan”, ndoshta sepse në fund të fundit është e pamundur ta kuptosh.

London për pak nuk vdiq i vetëvrarë më parë akoma se të lindte. E ëma e tij, Flora Chaney, ishte një banale histerike e mbushur plot me urrejtje, që kur zihej me dikë reagonte duke ulëritur sa që dukej se do t’i binte ndonjë infarkt dhe më pas plandosej përdhe. Ishte lindur dhe ishte rritur në një shtëpi të madhe me 17 dhoma, por kur arriti në adoleshencë u largua nga shtëpia dhe shkoi për t’ju bashkuar një sekti fetar që besonte se kishte aftësinë për të hyrë në komunikim me të vdekurit. Pati një histori me liderin e sektit, William Henry Chaney, që kur ajo mbeti shtatzënë e rrahu dhe e urdhëroi që të abortonte. Ajo mori një dozë të madhe laudanumi dhe e qëlloi në kokë me një pistoletë, e cila – fatmirësisht – ishte me defekt. Kur shtypi përhapi lajmin, një turmë kërcënoi ta varte Chaney, ndërsa ajo u zhduk përgjithmonë nga California.

Kur në vitin 1876 lindi Jack në një bidonvil të San Francisco, Flora e quajti “shenja ime e turpit” dhe nuk deshi të bënte aspak me të. Ia dha një dade (dhe skllave të liruar) të quajtur Virginia Prentiss. Virginia lejoi që Jack London ta kalonte pjesën më të madhe të fëmijërisë së vet duke shkuar e duke ardhur nga shtëpia e saj. E quante “zezaku im i bardhë” dhe “bohçe pambuku”, kurse ai i thërriste “mami”, edhe pse ajo i thoshte gjithmonë se pse nuk e donte.

“Isha poshtë në bodrumet e shoqërisë, poshtë në thellësitë nëntokësore të mjerimit, për të cilin nuk është as e bukur, as e përshtatshme të flasësh”, shkroi ai vite më pas. Menjëherë pasi kreu shkollën fillore u dërgua të punojë në një fabrikë konservash ushqimore, duke mbushur kavanoza me uthull nga mëngjesi në mbrëmje, të gjitha ditët, për një grusht qindarkash. E jetoi pjesën tjetër të jetës së tij me terrorin e një bote krejtësisht të mekanizuar, në të cilën qeniet njerëzore janë shërbëtorë të Makinës. Narrative e tij përshkohet nga uturima e makinës që nxit qeniet njerëzore t’u shërbejnë dëshirave të saj.

Nuk e njohu furçën e dhëmbëve deri në 19 vjeç dhe në këtë pikë dhëmbët tashmë i qenë prishur. London u rrit gjatë depresionit të parë amerikan, duke kaluar nga një punë e padurueshme te tjetra. Punonte me lopatë në qymyr derisa trupi nuk i paralizohej nga ngërçet. Kërkoi që të vritej një herë të parë me mbytje, por u shpëtua nga një peshkatar. Nisi të vërejë legjionet e njerëzve pa dhëmbë e pa shtëpi që sorollateshin nëpër rrugë, të copëtuar nga puna brutale dhe të braktisur te vdekja në moshën 40 apo 50-vjeçare. Fillimisht reagimi i tij qe një individualizëm i ftohtë niçean: do ta gjente një rrugëdalje, këmbëngulte, me forcat dhe me kurajën vetjake të tij.

Por në dëshpërimin e Depresionit, në Amerikë po shfaqeshin ide të reja. London thoshte se këto ide iu futën në kokë “me goditje” kundër vullnetit të tij: “Asnjë shpjegim i ndritshëm i logjikës dhe i pashmangshmërisë së socializmit nuk ka arritur të më influencojë në mënyrë kaq të thellë e bindëse si ditën që kam parë për herë të parë muret e Varrezës Sociale të ngritur rreth meje, kur kam dëgjuar se po rrëshqisja poshtë e më poshtë, deri në shkatërrimin që qëndron në fund”.

Kur në vitin 1894 vagabondët organizuan një marshim në të gjithë Amerikën për të kërkuar punë, London marshoi bashkë me ta dhe u arrestua në Niagara Falls për “vagabondazh”. Kur kërkoi avokat, policia i qeshi në fytyrë. Kur kërkoi të shpallej i pafajshëm, gjykatësi i tha që “të mbyllte gojën”. U vu në pranga dhe u burgos për 1 muaj. London e kishte ditur gjithmonë se sistemi ekonomik ishte i manipuluar kundër tij, por tani e kuptoi se edhe ligji ishte manipuluar.

Kur në 1894, në moshën 18-vjeçare, u lirua, nisi të organizojë mitingje pasionante nëpër cepat e rrugëve dhe shumë shpejt përfundoi në faqet e para e gazetave të San Françiskos si i “riu socialist” që nxiste punëtorët të rebeloheshin dhe ta hiqnin vendin nga duart e baronëve.

Dikush i ofroi mundësinë që të frekuentonte një shkollë private të nivelit të lartë dhe për një çast u duk e mundshme një rrugëdalje. Por shpejt iu desh që të largohej, pas protestave të prindërve të disa nxënësve, që ankoheshin për influencën dukshëm shkatërruese që kishte ndaj fëmijëve të tyre. U regjistrua në një shkollë tjetër, por u përjashtua pse kish kompletuar kurrikulumin prej 2 vitesh në 4 muaj, duke lënë prapa, në mënyrë flagrante, fëmijë të tjerë të bardhë. London ndihej i poshtëruar dhe i zemëruar. Menjëherë më pas u nis drejt Arktikut kanadez, në të cilin thuhej se kishte flori. Pa kërkuesit e floririt të grupit të tij të vdisnin nga mbytja, i ftohti dhe skorbuti. Në moshën 22-vjeçare u betua se, po të mbijetonte, do të bëhej shkrimtar, me çdo kusht.

Veprat e para të tij – si “Ujku i detërave” (1904), një roman që flet për një të mbijetuar të shpëtuar nga kapiteni i një anijeje, që më pas të skllavërohej dhe të torturohej në mënyrë gjithnjë e më maniakale dhe homoerotike prej tij – injektuan në letërsinë amerikanë një stil zhargoni të vrazhdë e të ashpër që dukej se donte të bënte copa-copa Edith Wharton e më pas t’ua hidhte ujqërve. Ishte një stil joharmonik dhe brutal, si makinat me të cilat London kishte pasur të bënte, i ashpër si trojet e betejave të tij. Lexuesit qenë befasuar nga mizoria, nga rreptësia dhe nga energjia e ndodhur në shkrimet e tij. I griste manierizmat dhe i zëvendësonte me manitë e tij: personazhet e tij qenë të dhunshëm, arrogantë dhe realë.

Duke lexuar sot veprat e tij shikohet sesi fara letrare e tij është përhapur në të gjithë shekullin amerikan, është e dukshme në veprat e shkrimtarëve më të rëndësishëm amerikane dhe të vendeve të tjera. Ernest Hemingway dhe John Steinbeck iu bashkëngjitën vrazhdësisë së tij, duke e imituar. Beat Generation e ndoqi në rrugën e një stili xhazi dhe të improvizuar. George Orwell e ndoqi midis vagabondëve dhe qe distopia londoniane “Thundra e hekur” që ka frymëzuar “1984”. Të gjithë, nga Upton Sinclair te Philip Roth, theksojnë se janë influencuar prej tij. Por gjurmët e London gjenden edhe tjetërkund. Mjafton të shikosh figurën e tij joshëse dhe imponuese që të sheh, xhupin prej lëkure dhe sheh Marlon Brando dhe James Dean dekada përpara se të vinte momenti i tyre.

Dora-dorës që London u bë më i pasur, idetë e tij politike u bënë më radikale. Shpejt arriti që të apelojë vrasjen e liderëve politikë rusë dhe të thotë se socializmi pashmangshmërisht do të zbarkonte në Amerikë. Theksonte gjithmonë se ishte një lloj Robin Hood, edhe pse në shtëpi mbante një batalion të vogël shërbëtorësh që i vinte në shërbim të vagabondëve dhe të sindikalistëve mysafirë në rezidencën e tij.

Por ka një plagë të mahisur që përshkon konceptimet e tij politike dhe që është e vështirë të injorohet. “Para së gjithash, unë jam një mashkull i bardhë dhe vetëm më pas socialist”, thoshte plot bindje. Socializmi i tij ndiqte një politikë aparteidi të ngushtë: ishte i rezervuar ndaj grupit të tij pigmentor. Të gjitha grupet e tjera etnike, theksonte ai, do të duhet të nënshtrohen… ose shfarosen. “Historia e qytetërimit është historia e një ecejakeje; e një ecejakeje me shpatë në dorë, gjeneratash të forta, për të “pastruar” rrugën dhe krasitur të dobëtit dhe më pak të papërshtatshmit”. Kjo ishte një e mirë, pasi “ata janë të paaftë që të mbështesin përqendrimin dhe përpjekjen e gjatë që janë tipari karakteristik i racave të përshtatura më mirë që të jetojnë në këtë botë”.

Po ata që “nuk janë më mirë të përshtatur për të jetuar në këtë botë”? Në tregimin e tij të vitit 1910, të titulluar “The Uparalleled Invasion”, Shtetet e Bashkuara – me miratimin e qartë të autorit – shpërthen një luftë biologjike kundër Kinës dhe shfaros popullsinë e saj. Pastaj e pushton dhe e vë nën zotërim. Është, thotë historia, “zgjidhja e vetme e mundshme e problemit kinez”. Haley, në një biografi që për shumë aspekte është solide, është kompetente, është tmerrësisht e matur kur flet për racizmin e London, për të cilin, kështu thuhet, racat duhet të mbaheshin të ndara. Nuk është kështu. Mendimi i shpeshtë i tij ishte se të bardhët duhej t’i vrisnin të gjithë të tjerët.

Si arriti të katandisej në këtë pikë? Nëna e tij ishte një raciste psikotike. E mbërthyer nga paniku prej humbjes së statusit të saj, e gjente përjetësisht poshtëruese të jetuarin përkrah zezakëve. Edhe London duket se e ndiente impulsin e fortë e identifikimit me njerëzit e “ngecur në abis”. Edhe ai e gjente poshtëruese dhe për këtë kishte nevojë për një klasë me Untermenschen (njerëz inferiorë, shënimi im) akoma më poshtë. Por në origjinën e tij ishte edhe Virginia Prentiss, që praktikisht e rriti. Nuk mendonte për të kur i krahasonte zezakët me majmunët? Nganjëherë, për një çast të trazuar, njeriu që arrin të jetë kaq elokuent në dhembshurinë e tij ndaj një grupi viktimash të pafajshme duket se kupton faktin se po thotë diçka të poshtër për të tjerët. Në një moment, London thotë se forca e socializmit është në aftësinë e tij për të “shkuar përtej paragjykimeve raciale”; por pastaj këto paragjykime kthehen, bile me të njëjtën mizori të mëpasshme. Gjatë vizitës në Ishujt Havai shfaqet i preokupuar për kulturën autoktone, por më pas do që Shtetet e Bashkuara njëlloj t’i pushtojnë.

Dehjet thuajse konstante me uiski i bëjnë mendimet e tij akoma më pak koherente dhe logjike. Çdo ditë ishte sikur po kërkonte të përfundonte tentativën e vrasjes të së ëmës. Shkroi: “Isha aq i obsesionuar nga dëshira për të vdekur saqë kisha frikë se mos e kryeja aktin gjatë gjumit dhe u detyrova që t’ia dorëzoja revolen time dikujt tjetër me detyrën që ta vinte në një vend ku dora e nënvetëdijes time të mos arrinte ta gjente”. Largonte depresioni e thellë e të errët të tij me dehjen, punën (shkruante 1000 fjalë në ditë çdo ditë) dhe socializmin. Kjo ishte kauza transcendentale e tij. Tregonte se shkonte në takimet politike pre e dëshpërimit, “për t’u kthyer më pas në shtëpi i rigjallëruar, i lumtur dhe i kënaqur”.

Ishte i kënaqur që shkruante vepra relaksimi, por nuk i konsideronte objektivin drejtues të tij. London do të mrekullohej po të zbulonte se sot kujtohet, pothuajse vetëm, për “Kushtrimin e të parëve” (1903), një roman që flet për një qen objekt kujdesi i të gjithë shtëpisë që rrëmbehet dhe detyrohet të shërbejë si qen slite në Alaskë dhe që në fund arratiset dhe shkon të jetojë me ujqërit. Si pothuajse të gjithë heronjtë e London, qeni është i shtrënguar të jetojë në një mjedis të vështirë e të urryer, i detyruar që të luftojë për të mos ngordhur. Historia përmban një mesazh proto – ambientalist: nuk mund t’i shpëtosh natyrës që, për sa dukemi të civilizuar, herët a vonë do të na thërrasë të gjithëve. Por e shkruara e tij, pas një lulëzimi të shpejtë fillestar të përbërë nga realizmi i ashpër, erdhi duke u përkeqësuar barabar me veshkat e tij. Sa më shumë qëndronte larg nga realitet brutal, aq më shumë stili i tij zbehej dhe bëhej një stil manierist: pikërisht atë stil që ai do të donte ta shpartallonte me grushte.

Pikërisht në kohën kur “Kushtrimi i të parëve” po bëhej një bestseller i letërsisë amerikane, editorialistët fillonin të pyesnin nëse London ishte rrasur në burg apo ishte syrgjynosur prej ideve të tij socialiste. Në moshën 40-vjeçare kishte mbaruar. Merrte morfinë për të qetësuar dhimbjet e mëlçisë dhe veshkat që i digjnin nga pija. Teksa vetëvritej me uiski, rritej te London zemërata se Shtetet e Bashkuara nuk po bëheshin ajo republikë socialiste që ai kishte profetizuar. “Nganjëherë arrij të urrej masat, të tallem me këto ëndrra reforme”, i shkroi një shoku. U dorëhoq nga Partia Socialiste duke thënë se ishte tejet e moderuar e reformiste dhe se do të duhej të ndërmerrte një veprim të drejtpërdrejtë; por vetë ai nuk ndërmori as edhe një. I përzënë nga kauza e tij e shpëtimit, vdiq një vit më vonë. Shërbëtori e tij e gjeti duke dhënë shpirt, përkrah tij një copë letër me llogaritjen e sasisë së nevojshme të morfinës për ta vrarë. Pas 40 vjetësh, plumbi i Flora Chaney kishte qëlluar në shenjë.

Tani, a nuk meriton kjo histori që të kujtohet, si diçka më shumë se historia e një qeni vetmitar?

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne