Analistët: Diskursi i Thaçit për shkëmbin territoresh dëmtoi procesin e njohjeve

Njohjet kanë shkaktuar edhe tjetër përplasje në distancë mes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Përderisa të premten në mëngjes në Beograd u dha lajmi se Dominika ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, në Prishtinë ky lajm u quajt shpifje dhe u publikua një dokument që mohon pretendimet e shtetit serb.

Ndërkohë, shteti i Dominikës ende nuk ka dalë me një qëndrim për këtë çështje.

Por, shqetësuese në Prishtinë po konsiderohet rënia drastike, pothuajse deri në stagnim, e njohjeve të reja dhe kalimi në defanzivë.

Kjo, sipas analistit Imer Mushkolaj, ka ndodhur pas ndaljes së lobit nga partnerët ndërkombëtarë, veçmas SHBA-së dhe mungesës së seriozitetit nga vendorët.

Fajtor për këtë, ai e bën edhe presidentin Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, me hapjen e temës së kufijve me Serbinë, ka dëmtuar procesin e njohjeve dhe rrezikuar integritetin territorial.

Njëjtë mendon edhe Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, sipas të cilit, diskursi i presidentit ka shkaktuar konfuzitet për shkak të hapjes së temës të territorit, që krahas ushtrimit të pushtetit në të, dhe popullsisë, përbëjnë 3 elemente bazë të një shteti.

Kryeziu këmbëngul se presidenti nuk është dashur të hapë këtë temë, që ka prekur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe ka fuqizuar rolin e Serbisë.

Pa u ndryshuar ky diskurs, thonë të dy, nuk mund të ketë përmirësim në sferën e njohjeve ndërkombëtare.

Burimi: Mesahi.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne