Analistët: Koalicioni qeveritar në Kosovë u prish ashtu sikurse u formua

Analistët kosovarë krizën politike në vend, si dhe rënien e qeverisë me votimin e mocionit të mosbesimit të Qeverisë të propozuar nga grupet parlamentare opozitare e ndërlidhin me fillimin e koalicionimit të deritanishëm PDK-LDK-Lista Serbe, koalicion i cili sipas tyre u prish ashtu sikurse u formua për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme.

Sipas analistëve të cilët u prononcuan për Anadolu Agency (AA), edhe komuniteti ndërkombëtar ka ndikim në krizën e krijuar politike, sepse siç thonë ata, “Kosova duhet të gjejë rrugën e zhvillimit ashtu siç di vetë”.

Analisti politik Ramush Tahiri në një deklaratë për AA foli për formimin e koalicionit qeverisës në zgjedhjet e 2014-tës. Ai rikujtoi se koalicioni paszgjedhor VLAN (Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën) nuk pati sukses të krijojë qeveri për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se koalicionet paszgjedhore nuk pranohen si subjekt i vetëm.

“U arrit të krijohet një koalicion i madh ndërmjet dy partive themelore të Kosovës, i cili funksionoi 3 vjet, por në fund u prish sepse njëri partner i koalicionit, në këtë rast PDK-ja, llogariti se mund t’i ketë 3 funksionet, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin”, tha Tahiri, duke shtuar se mosmarrëveshjet e brendshme ishin një nga arsyet e prishjes së këtij koalicioni.

Sipas Tahirit, kriza politike në vend ka të bëjë edhe me papunësinë e madhe, privatizimin si dhe eksportin dhe importin jo të suksesshëm të Kosovës. Ai thekson se çështjet të cilat kanë shkaktuar protesta të dhunshme dhe bllokime në skenën politike të Kosovës (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe dialogu Kosovë-Serbi) nuk ishin arsye për prishjen e koalicionit dhe mocionin e mosbesimit të qeverisë.

Ai konsideron se në Kosovë ka një hipokrizi të elitave politike, sepse siç thotë ai, “përkundër ndryshimit të mandateve qeverisëse 70 përqind e deputetëve do të jenë po ata të mëparshmit… listat e partive, programet dhe strategjitë e zhvillimit janë po ato që ishin më parë”.

Tahiri në vijim thekson nevojën e tërheqjes së komunitetit ndërkombëtar nga Kosova, që ky vend vet të gjejë rrugën e zhvillimit. “Pafuqia e qytetarit është se e gjithë kjo garniturë, e gjithë kjo elitë mbahet me misionet ndërkombëtare që janë këtu. Misionet janë ato që i mbajnë, që i ushqejnë dhe që i përkrahin. Për atë ne nuk mund të bëjmë ndryshim dhe të kemi shpresë që mund ta ndërrojmë këtë gjendje”, shprehet ai.

“Thellimi i krizës politike nisi me formulën e komunitetit ndërkombëtar”

Ndërkaq, politologu Belul Beqaj në lidhje me koalicionin qeveritar të zgjedhjeve të vitit 2014 për AA thotë se “u prish ashtu sikurse u formua nga mosmarrëveshjet e brendshme”. Mirëpo, ai thekson se përveç çështjeve të hapura të cilat ndikuan në prishjen e koalicionit, thellimi i krizës politike nisi me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar.

Beqaj shton se qëndrimet dhe formula e komunitetit ndërkombëtar se vetëm një koalicion i numrave matematikorë mund t’i zgjidhë çështjet e hapura në këtë vend “është formulë e gabuar, joreale dhe e paqëndrueshme”.

“Kjo është sajuar në sajë të ndikimit të jashtëzakonshëm imponues të faktorit ndërkombëtar, i cili mendoi se nëse krijohet ‘një koalicion i elefantëve’ do të mund t’i çojë deri në fund disa tema të karakterit të rëndësishëm që ndikojnë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka qenë demarkacioni dhe siç ka qenë çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thotë Beqaj.

Sipas politologut Beqaj, si pasojë e kësaj gjendjeje të shkaktuar populli ka humbur totalisht besimin e politikanëve dhe politikës së vendit, ndërsa, siç thotë ai, “asnjë partner nuk i beson partnerit tjetër politik dhe kjo flet për një krizë të thellë morale dhe politike”.

Beqaj pret ndryshime pozitive pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare por jo edhe zgjidhje të çështjeve si demarkacioni dhe asociacioni, mirëpo sipas tij, në këtë konstelacion të raporteve të reja politike kriza do të thellohet. Siç thotë ai, tani ka një përafrim të qëndrimeve për demarkacionin, mirëpo Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të mbetet si “Kali i Trojës” brenda shtetit të Kosovës.

Kujtojmë se me kërkesë të opozitës, më 10 maj në Kuvendin e Kosovës u votua pro mocionit të mosbesimin për qeverinë. Në votimin e mbështetur edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 78 nga 115 deputetë votuan për rënien e qeverisë.

Presidenti i Kosovës Hashin Thaçi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë shpërbëu Kuvendin dhe deklaroi se më 11 qershor do të shkohet në zgjedhje të parakohshme./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne