Nga Kastriot Myftaraj

Asgjë dhe askush nuk e simbolizon më mirë thelbin mjeran, humbës, qesharak, anakronik të listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në këto zgjedhje, se kandidati nr. 6 në Qarkun e Elbasanit, Fitim Zekthi. Ky Fitim Zekthi, i cili i përket nënlistës “Çili” brenda Listës “Basha”, emrin e vërtetë e ka Fitimtar Zekthi. Me këtë emër ka lindur në Belsh, në vitin 1975, ky mendimtar, i cili nuk i kupton as vetë tekstet që shkruan në faqet e gazetës “Mapo”, gjë që sidoqoftë është në logjikën e mallrave të skaduar të mapove (dyqaneve të kohës së komunizmit), nga të cilët e ka marrë emrin gazeta. Këtë zotëri e quajtën me emrin “Fitimtar” për shkak se në vitin e lindjes së tij, 1975, vietnamezët komunistë dolën fitimtarë në luftën ndaj amerikanëve.

Me këtë rast shumë fëmijë në familjet militante komuniste shqiptare u quajtën me emrin “Fitimtar”. Më vonë, Fitimtarit nisi t’ i vijë turp nga emri i vet dhe nisi të përdorë shkurtimin e tij, “Fitim”. Sot që Fitimtar Zekthi është kandidat për deputet i PD-së, së paku mund t’ i kishte bërë një shërbim partisë me emrin e tij fatsjellës. Sepse emri i shkurtuar që përdor ai, “Fitim”, ka kuptimin e nxjerrjes së të ardhurave financiare, apo material në përgjithësi. Si të mos mjaftonte kaosi që Fitimtari bën me tekstet e veta, e ka bërë edhe me emrin e vet. Por këtë Fitimtarin ka shumë mundësi që ta kemi deputet në Kuvend se është i gjashti në listë në një qark që ka 14 mandate deputetësh.

Megjithëse zgjedhjet e vitit 2013 vërtetuan përfundimisht se partitë e vogla, kur kryetarët e tyre marrin vende të sigurta në listën e PD-së, nuk punojnë më për të sjellë vota, përsëri këtë herë kryetarët e partive aleate morën vende të sigurta në listën e PD-së. Mjafton që të shikosh numrin rendor se ku gjenden emrat e kryetarëve të partive të vogla në listat e qarqeve përkatëse dhe e kupton se sa mandate do të marrë PD në këto qarqe, ndër më të rëndësishmit në vend, duke nisur nga Tirana. Në Qarkun e Tiranës, ku do të ndahen 34 mandate deputeti, kryetarët e dy partive të vogla aleate, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi janë përkatësisht i dhjeti dhe i njëmbëdhjeti në listën e PD-së. Logjika elementare zgjedhore të thotë se këta duhet të ishin zhvendosur tre katër vende më tutje në listë, që të motivoheshin për të punuar që t’ i shtonin votave të PD-së, ato të partive të tyre. Kështu, ata do të bëhen përsëri deputetë, thjesht me votat e PD-së, si në 2013. Mediu dhe Shehi, të cilët tashmë kanë nuhatje të madhe zgjedhore, pasi kanë shumë vite që bëhen deputetë në mënyrë parazitare, e dinë se prania e tyre në listat e PD-së do të bëjë që të mos votojnë shumë mbështetës të PD-së, kështu e kanë të qartë se vendi i njëmbëdhjetë në listë është me shumë mundësi kulmi që mund të arrijë PD në këto zgjedhje.

Në dhjetë emrat e parë të listës së Qarkut të Tiranës ka tre tropojanë. Sali Berisha, Rudina Hajdari, Albana Vokshi. Të mos harrojmë se emri i vjetër i Tropojës, para këtij që i vuri Enver Hoxha është Malësi e Gjakovës. Albana është me prejardhje nga fshati Voksh i Malësisë së Gjakovës. Gjithsej në listën e përgjithshme, në vende të sigurta janë gjashtë tropojano-gjakovarë.

E katërta në listën e Tiranës është Grida Suma, me prejardhje nga Shkodra, familja e së cilës e ndryshoi mbiemrin në “Duma” kur erdhi në Durrës, për arsye se mbiemri “Suma” ka kuptimin që dihet. Por Grida nuk e përmend fare prejardhjen e saj.

Nëse votuesit e Qarkut të Tiranës do të votojnë PD-në më shumë se sa kam thënë më lart, do të bëhet deputet me shumë mundësi edhe 25 vjeçari Blendi Sulaj, kryetar i PR për Tiranën, i cili me ndërhyrjen e Fatmir Mediut te aleati politik Astrit Veliaj, pronar i “Albanian University” (ish-UFO) u bë pedagog atje.

Ajo që të bën përshtypje në listën e PD-së të Qarkut të Tiranës është se mungojnë krejtësisht kandidatët e krishterë, megjithëse Tirana, metropoli i vendit ka shumë banorë të krishterë katolikë dhe ortodoksë.

Nuk kuptohet se përse në listën e Tiranës gjendet në vendin e gjashtë, pra fituese e sigurt, Jorida Tabaku e cila është shtatzanë dhe pritet të lindë fill pas zgjedhjeve. I uroj të lindë një fëmijë të bukur e që të ketë jetë të gjatë, por ajo fill pas zgjedhjeve do të marrë lejen e lindjes e më pas do të jetë e detyruar që të merret më shumë me fëmijën e vogël se me detyrën e saj si deputete. E kështu ikën mandati katërvjeçar. Kësaj i thonë të mos mbetet Jorida pa rrogën e mirë të deputetes dhe privilegjet e tjera që ka mandati.

Megjithë respektin që kam për Dr. Halim Kosovën, nuk arrij ta kuptoj se përse ngulmon që të merret me politikë në moshën 63 vjeç, kur tashmë është e qartë që politika nuk është fusha ku ai ka aftësi për të shkëlqyer.

Fakti që Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, kërkoi dhe siguroi vendin e pestë në listën e Qarkut të Durrësit, është një tregues se sa mandate do të fitojë PD këtë herë nga 14 mandatet e Durrësit.

Oerd Bylykbashi duket se e meriton kryesimin e listës së Durrësit me kontributin e tij, por gjithsesi mandati i tij shkon për llogari të rritjes së numrit të grupit tropojano-gjakovar në PD, pasi ai i përket një familjeje durrsake me origjinë gjakovare.

E dyta në Qarkun e Durrësit, Fatbardha Kadiu (Gjuzi) është me shkollim turk. Ajo ka kryer kolegjin Mehmet Akif në Shqipëri dhe Universitetin Ege në Turqi.

Florion Mima, ortodoks tiranas, në vend që të ishte në listën e Qarkut të Tiranës, për të marrë votat e të krishterëve të shumtë të kryeqytetit, është në Durrës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për katolikun Edi Paloka, i cili gjithashtu është në Durrës. Pas këtyre vjen Agron Duka dhe me kaq mbyllet historia e PD-së në Durrës në zgjedhjet e ardhshme.

Në Qarkun e Fierit, ku do të ndahen 16 mandate, PD nuk merr më tepër se pesë mandate. Më saktë katër, se i pesti në listë është Olsi Çukaj i PAA të Agron Dukës. A do ta përgënjeshtrojë koha këtu aftësinë e kryetarëve të partive të vogla për të parashikuar saktë se deri ku lista e PD-së do të jetë fituese?
Befasia politikisht e neveritshme për mbështetësit e PD-së në Qarkun e Korçës, është që listës së kandidatëve të PD-së në këtë qark i prin Valentina Kolçe (Duka), një profesore historie që në moshën 58 vjeç nuk është bërë dot historiane. Valentina Duka mbahet mend në Korçë se në zgjedhjet e vitit 2001, u soll nga Ben Blushi, kandidat i PS në pushtet në zonën 79 në Korçë, që të kandidonte në këtë zonë, për Partine Demokrate të Reformuar të Genc Pollos, me siglën që i kishte vjedhur PD-së, me mbështetjen e qeverisë. Qëllimi i kandidimit të Valentinës ishte që t’ i shkëpuste sa më shumë vota PD-së, dhe Vali, siç e quajnë, mori 3. 5 % të votave, shumica votues që ngatërruan siglën. Që atëherë Vali u zhduk nga politika për t’ u shfaqur tani.

Numri katër në listën e PD-së së Korçës, nuk përbën befasi që është nga familja e Fahri Balliut. Befasia është se në vend të djalit të Fahriut, Klevisit që është në listë, pritej të ishte vajza e Fahriut, Henrisi, e cila u angazhua në PD duke marrë edhe detyra për organizimin e punës së partisë. Meqënëse djali i Fahriut punon në Presidencën e Republikës, ku pritet ta mbajë edhe Presidenti i ardhshëm Meta, për shkak të miqësisë me Fahriun, shkëputja e tij për të nisur karrierën e sigurt parlamentare është një nga befasitë e këtyre zgjedhjeve. Ndoshta do të ketë një rokadë në familjen Balliu dhe Henrisi do të kalojë në Presidencë në vendin e lënë bosh nga vëllai i saj.

Do t’ i thosha dy fjalë edhe për të pestin e listës së Korçës, Andrea Mano, por meqënëse katër të parët heqin çdo shans që të fitojë i pesti, nuk po e marr mundimin për këtë. Vangjel Duke është treguar shumë optimist, nëse nuk është tallur politikisht me mikun dhe rivalin e vjetër Ligoraq Karamelon, kur e ka vënë të gjashtin në listën e PD-së për Korçën, nga PBDNJ.

Sa për Qarkun e Lezhës, votuesit e PD-së atje janë lodhur duke pritur përgjigje për pyetjen se çfarë lidhje ka me Lezhën i pari i listës së PD-së në këtë qark, Aldo Bumçi? Në ato zona ku ta bëjnë gjenealogjinë familjare në 20 breza, Aldo nuk ka vërtetuar dot lidhjen e qartë me Imzot Luigj Bumçin. Por të gjithë e njohin si dhëndrri i Safet Zhulalit.

E dyta në listën e PD-së për Lezhën, Lindita Metaliaj, e ka emrin në këtë vend fitues sepse e ka burrin tropojan nga Dragobia. Metaliaj është mbiemri i burrit të saj.

Vështirë se PD mund të gjente kandidat më absurd për t’ i prirë listës së Qarkut Shkodër se Romeo Gurakuqi. Studentët e UET ku Romeoja ishte rektor deri tani kur u largua se Henri Çili nuk i jepte rrogën, thoshin se “Zhulieta” e Romeos ishte Henri Çili. Romeo Gurakuqi mban rekordin e palakmueshëm, të pandodhur edhe në vendet më qesharake afrikane, i të qenit rektor i një universiteti, i cili nuk ka degë studimore atë në të cilën është i specializuar ai dhe Romeoja është historian. Një çudi e tillë mund të ndodhë vetëm në Universitetin Euro-labinotian të Tiranës. Shkodranët e vjetër e dinë mirë se Romeoja nuk i përket as familjes së vjetër Gurakuqi, por familja e tij e ka marrë këtë mbiemër duke qenë servitu, siç thuhej në familjet e vjetra katolike shkodrane, pra shërbëtorë pranë familjes.

Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje emri i kandidates së dytë në listën e PD-së, për Shkodrën, Izmira Ulqinaku. Emri i saj tregon se ajo i përket një familjeje me traditë të fortë turkofile. Dhe ajo ka lindur në 1992! Edhe vëllai i saj ka një emër të rrallë turk, Ergyn, që në shqip do të thotë: ushtar në diell.

Nard Ndoka është i pesti në listën e Shkodrës si kryetar i një partie aleate. Duke i besuar aftësisë së kryetarëve të partive aleate të PD-së për të shënuar kufirin se deri ku lista e kësaj partie është fituese, duhet pritur që PD të marrë vetëm pesë mandate në Shkodër, ku do të ndahen njëmbëdhjetë mandate. I gjashti është Bardh Spahia, djali i Ali Spahisë, ish-drejtues i lartë i PD-së. Me kandidaturën e Bardh Spahisë del një tjetër emër i grupit tropojano-gjakovar, pasi Ali Spahia ishte gjakovar.

Sa për listën e Qarkut të Vlorës, ku do të ndahen dymbëdhjetë mandate, është shumë domethënëse që Vangjel Dule, kryetari i një partie aleate, ka këmbënguluar dhe ia ka arritur që të jetë treti në listë. Dule është kryetari i partive të vogla që është në vendin më të lartë në listë, i treti. Kjo tregon se Dule ka parashikim shumë të hidhur për atë se deri ku do të jetë fituese lista e PD-së në këtë qark. Normale kur lista e PD-së në këtë qark udhëhiqet nga një biznesmen problematik i call center-s, jo një figurë politike.

Sa për Qarkun e Beratit nuk kuptohet se përse listës së PD-së atje i prin një korçar, Eduard Halimi. Gjithashtu nuk kuptohet se përse është përsëri në listë Astrit Veliaj i cili zbatoi udhëzimin e Edi Ramës për të mbyllur emisionin politik të Çim Pekës në televizionin e tij privat, që ishte një dritare për opozitën.

Në Qarkun e Gjirokastrës ku do të ndahen pesë mandate por PD pritet të fitojë vetëm një prej tyre, listës i prin Tritan Shehu, i cili në moshën 68 vjeç është, së bashku me Sali Berishën, i vetmi deputet i PD-së që ka qenë në grupin parlamentar të parë të kësaj partie, në 1991, që do të jetë ende i tillë. Në PD nuk e kanë të qartë se përse Tritani është privilegjuar kështu, por unë e kam analizuar këtë çudi politike në një artikull të para disa viteve, me titull “Kur Vatikani punon me dosjet e OVRA-s”.
Ndonëse kryetari i PD-së Basha ka debatuar ashpër me Henri Çilin, pronarin e Universitetit Europian të Tiranës, përsëri ueto-sorosianët gjenden gjithandej listës së PD-së në qarqe, duke përbërë grupin më të rëndësishëm.

Kjo është një kqyrje e shpejtë e listës së PD-së, dhe për të mos e bërë tekstin të lodhshëm për lexuesin, po e ndërpres këtu për t’ iu rikthyer përsëri në ditët në vijim./CityNews.al

21