Analizë – Përse vret demokracia amerikane?

Autor: Erdal ŞİMŞEK

Që nga viti 1991 e këtej Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po punojnë për të shpënë demokracinë në Lindjen e Mesme dhe në disa vende të Afrikës. Vendet që kanë marrë hisen më të madhe nga ky eksport i demokracisë amerikane janë Somalia, Afganistani, Iraku dhe Siria. Mendohet se numri i civilëve të vdekur në vendet ku Amerika ka shpënë demokraci të jetë 5 milionë.

Para se Shtetet e Bashkuara të çonin demokraci në këto vende, këtu pothuajse nuk ka pasur aspak ngjarje të tilla si: luftë civile apo vëllavrasje. Konflikti ndërmjet Talebanit dhe qeverisë së muxhahitëve në Afganistan nuk ka qenë një luftë ndërmjet vëllezërve, por ka qenë tërësisht një grindje politike. Somalia përpiqej të shpëtonte nga kaosi, Iraku kishte një sistem të vendosur. Sadami, lëri armët bërthamore, nuk ka pasur as armë kimike. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pushtuan Irakun duke përdorur pikërisht këtë arsyetim. Dhe vite më vonë pas pushtimit ishin sërish burimet ushtarake amerikane që pohuan se në Irak nuk kishte pasur armë bërthamore. Përmes partnerit të saj në Siri, organizatën terroriste YPG, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shpien demokraci edhe në këtë vend. Le ti hedhim një sy edhe Sirisë, një vend tjetër ku Amerika mundohet të eksportojë demokraci.

Në ditët që lamë pas në mediat sociale u publikua një video 1 minutë e 17 sekonda e gjatë. Kjo video është xhiruar në pjesën veriore të Sirisë. Një i ri me duart e lidhura nga prapa brenda një godine të rrënuar mundohet të buzëqeshë duke mbledhur të gjitha fuqitë që ka dhe në gjuhën kurde thotë këto fjalë:

-“Ju lutem mos më vrisni!”.

Ky i ri kurd, i cili ndodhet në mes të vijës më të hollë që ndan jetë nga vdekja, me një ton zëri mjaft të butë dhe të dhembshur përpiqet të buzëqeshë dhe u kërkon terroristëve me armë në duar që të mos e vrasin. Pra me një mimikë të zbukuruar me buzëqeshje ai u lutet atyre që të mos i grabitin vitet e jetës që ka përpara. Në fakt në një rrethanë të tillë toni i zërit duhet të jetë përgjërues, vajtues dhe klithës.

Në ekran duket se si ai më i shëndoshi nga dy personat e armatosur dhe me flamën në krah të YPG-së, aleates së ShBAsë në Siri, ia kthen të riut sërish në gjuhën kurde dhe me një ton zëri plot zemërim dhe i jep këtë përgjigje: “Nuk iu binde urdhrit. Nuk more pjesë në luftën tonë. Me këtë sjellje që ke bërë, ti ke tradhtuar popullin kurd. Dhe dënimi për tradhtinë është vdekja”. Pas këtyre fjalëve tërheq këmbëzën e armës që kishte në dorë, dhe pastaj qëllon mbi të edhe terroristi tjetër i YPG-së, aleates së ShBA-së në Siri. I riu civil kurd, i cili nuk donte që t’ia grabitnin vitet e jetës që kishte përpara, shkon drejt vdekjes duke buzëqeshur dhe duke mos e kthyer kokën nga plumbat që i vinin edhe pse duart i kishte të lidhura nga prapa.

Ai për cilin aludon terroristi i YPG-së në video është Abdullah Oxhalan, themeluesi i organizatës terroriste PKK dhe që pranohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet evropiane. Madje për të kapur Oxhalanin ShBA-ja kishte kërkuar edhe ndihmën e Turqisë. Organizata terroriste YPG, aleatja e Shteteve të Bashkuara, kurdët që nuk i binden i dëbon nga vendlindja dhe shtëpitë e tyre dhe i syrgjynos. Dhe ata që nuk pranojnë të shpërngulen i ekzekuton pikërisht si të riun 20-vjeçar plot jetë që duket në videon për të cilën ju folëm më larë.

Për arsye të punës që bëj këtë video e pashë shumë herë. Ana më torturuese, më e rëndë e gazetarisë në rrethanat e luftës dhe terrorit është kur detyroheni të shikoni vdekjen e të tjerëve.

Gjatë të gjithë procesionit tim mbi 27 vjet kam dëshmuar edhe dy vrasje të tilla kaq tronditëse. Njëra ka qenë ekzekutimi i një gruaje para syve të fëmijëve të saj në Draxhaç nga terroristët serbë në vitin 1994 në Bosnjë, dhe tjetra ka qenë në luftën e II ruso-çeçene, që filloi në fund të 1999-ës. Aty pashë sërish se si sytë një gruaje çeçene me fëmijë në prehër në Grozni, kryeqytetin e Çeçenisë, po qeshnin përbrenda ndërsa plumbat po i përshkonin trupin gjatë ekzekutimit nga ushtarët rusë. Kanë qenë 2 ose 3 sekonda më të gjata dhe më të rënda se një jetë e tërë.

Numri i kurdëve të detyruar të imigrojnë për shkak të organizatës terroriste YPG, aleatja e ShBA-së në Siri, sot mendohet të jetë mbi 700 mijë. YPG dhe PYD, të cilat pretendojnë se këtë terror e ushtrojnë në emër të kurdëve, në një mënyrë interesante po syrgjynosin 700 mijë nga kurdët e Sirisë, të cilët e shumta në këtë vend mund të jenë rreth 1 milionë vetë.

Mirëpo a e dini se në cilat vende strehohen kurdët që largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të terrorit të PYD-YPG?

Ata strehohen në Turqi, vend të cilin vendet e Evropës Perëndimore, anëtarë të Bashkimit Evropian (BE) e akuzojnë për “presion ndaj qytetarëve me origjinë kurde”.

Mendohet se numri i refugjatëve kurdë që janë strehuar në Turqi për shkak të terrorit të YPG-së është rreth 500 mijë. Duke pasur parasysh që Turqia nuk bën dallime në origjinën etnike të atyre që gjejnë strehim tek ajo, është e vështirë të hamendësosh se sa është në të vërtetë ky numër. Kurse numri i refugjatëve kurdë që janë strehuar në administratën e Barzanit në veri të Irakut është deklaruar rreth 70 mijë. Në këtë situatë mbetet që e gjithë pjesa tjetër e kurdëve të kthyer në refugjatë të jenë strehuar në Turqi.

Kurdët e Sirisë nuk kanë pasur asnjëherë karta identiteti në këtë vend. Pas presionit që Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i bëri Esadit, në periudhën kur ka qenë kryeministër (Erdoani) për herë të parë në historinë e tyre kurdët e Sirisë filluan të pajisen me letërnjoftime (karta identiteti) dhe të gëzojnë të drejtat e shtetësisë së këtij vendi. Para Erdoanit kurdët e Sirisë kishin jetuar me statusin e “refugjatit” në tokat e tyre mijëravjeçare.

A e dini se kurdët që arratisen nga Siria për shkak të tiranisë së PYD-YPG mund të vendosen e jetojnë me lehtësi në çdo qytet të Turqisë? Njëkohësisht ata janë të lirë të punojnë ose të krijojnë biznesin e tyre në çdo sektor.

Pothuajse të gjitha organizatat demokratike dhe opozitare të civilëve kurdë të Sirisë zyrat e tyre qendrore i kanë në kryeqytetin e Turqisë, Ankara dhe në Stamboll. Opozitarët kurdë nuk kanë shans të jetojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në këto vende ata përballen me sulmet e PKK-YPG-së, sulme që ndodhin para syve të policëve evropianë.

Dhe ata liderë politikë kurdë vijnë menjëherë e strehohen sërish në Turqi. Duke i marrë në konsideratë të gjitha këto në mendje na shfaqet vazhdimisht pyetja: “Përse vret demokracia amerikane?/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne