Andaluzi – Monumentet e kulturës islame tërheqin interesimin e turistëve

Andaluzia është krahina më jugore dhe më e ngrohtë e Spanjës, pjesë e gadishullit Iberik, ku për tetë shekuj myslimanët kanë lënë gjurmët e tyre në kulturë, arkitekturë, mënyrë të jetës, por edhe mbi gjuhën e cila dallon nga gjuha standarde spanjolle, për çka ndryshe quhet edhe të folurit andaluzian.

Granada, Sevilla dhe Mallaga janë qytetet andaluziane të cilat kanë qenë shtëpi e artistëve të njohur, siç janë Pablo Picasso dhe Ernest Hemingway i cili madje shkroi për Andaluzinë në romanin e tij “Dhe lind dielli”.

Simbol i bashkimit të Spanjës llogaritet Granada, ndërsa njëri nga simbolet e këtij qyteti andaluzian padyshim se është Alhambra ose Pallati i Kuq. Bëhet fjalë për kompleksin e mrekullueshëm romantik me monumente të kulturës islame, që e bën të jetë njëri nga atraksionet kryesore turistike në Spanjë.

Ndërtuar në shekullin e 13-të, Alhambra u ngjan pallateve të përshkruara në “Një mijë e një netët”, koleksionin e famshëm të tregimeve të shkurtra të letërsisë arabe dhe persiane.

Një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës islame në Andaluzi, padyshim se është xhamia e Madhe e Abd al-Rahmanit në Cordoba, e cila u ndërtua në shekullin e VIII, dhe bashkë me Alhambran ndodhen në listën e UNESCO-s të monumenteve që janë trashëgimi botërore.

Kompleksi ka një total prej 1.293 shtylla dhe më vonë u shndërrua në katedrale, që mban emrin Mezquita de Cordoba.

Qyteti më i madh i Andaluzisë është Sevilla, ndërsa në pjesën e vjetër të tij dominon pallati mbretëror Reales Alcazares. Fillimisht është ndërtuar në shekullin XII, dhe në mënyrë shtesë është mbindërtuar, por pavarësisht, mbetet një simbol i kulturës islame në këtë pjesë të Evropës.

Në listën e UNESCO-s, është e regjistruar si pallati më i vjetër mbretëror dhe akoma i shërben këtij qëllimi, ndërsa fotografia kompletohet me pishinat e mrekullueshme të oborrit me të cilat pasqyrohet arkitektura maure.

Mallaga është një tjetër qytet andaluzian, me destinacion kryesor turistik pallatin Alcazaba, që është një monument i rëndësishëm i kulturës islame. Shtëpia e sunduesve të qytetit nga shekulli i XI është e vendosur pranë amfiteatrit antik të ndërtuar nga romakët, para erës sonë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne